Këshillimi Kombëtar, pezullimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve kur marrin vendime të paligjshme

Kryeministri Edi Rama publikoi këtë të martë pyetjen e 10-të të Këshillimit Kombëtar. Pyetja ka të bëjë me pezullimin nga sistemi i drejtësisë të gjyqtarëve dhe prokurorëve, vendimmarrjet e të cilëve janë haptazi në kundërshtim me ligjin.
“Ka njerëz që thonë se gjyqtarët dhe prokurorët, që nuk kanë kaluar ende Vetingun, duhet të pezullohen automatikisht nga sistemi i drejtësisë nëse vendimmarrjet e tyre janë haptazi në kundërshtim me ligjin. Të tjerë thonë se pezullimi dhe përjashtimi nga sistemi duhet të kryhet sipas procedurave në fuqi. Si mendoni ju?”, thuhet në pyetjen drejtuar qytetarëve.
Qytetarët kanë tre mundësi për të kthyer përgjigje për këtë pyetje.
-Gjyqtarët dhe prokurorët që abuzojnë me detyrën e tyre duhet të pezullohen automatikisht nëse vendimmarrjet e tyre janë haptazi në kundërshtim me ligjin.
-Gjyqtarët dhe prokurorët që abuzojnë me detyrën e tyre nuk duhet të pezullohen pa një hetim të thelluar sado kohë që ky hetim të kërkojë.
-Nuk di të gjykoj mbi këtë çështje
Kryeministri Rama fton të gjithë që të bëhen pjesë e këtij kuvendimi popullor me rëndësi strategjike për Shqipërinë.
“Me falenderimin e madh për 30.048 bashkëqytetarët e bashkëqytetaret, kudo ndodhen, që janë përfshirë deri tani në Këshillimin Kombëtar, duke e plotësuar pyetësorin online, ju ftoj të gjithëve të bëheni pjesë e këtij kuvendimi popullor për çështje me rëndësi strategjike për Shtëpinë tonë Shqipërinë”.