E Enjte, 5 Nëntor 2026

Kumbaro: Ata që marrin në menaxhim një stacion plazhi, të sigurojnë edhe vrojtuesin

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka nisur përgatitjet për sezonin e ri veror në plazhet shqiptare. Ministrja Mirela Kumbaro zhvilloi një takim me përfaqësuesit e Federatës shqiptare të vrojtuesve të plazhit dhe shpëtimit në ujë. Ajo tha se “të gjitha subjektet përveç pastërtisë dhe cilësisë së shërbimit, u duhet së pari të sigurojnë jetën e pushuesve të tyre”.
Zonja Kumbaro theksoi se “gjithkush që merr në menaxhim një stacion plazhi ka detyrimin të sigurojë edhe vrojtuesin e plazhit po ashtu, së bashku me infrastrukturën përkatëse”. “Kjo punë nuk është me dëshirë, por detyrim ligjor që vjen nga VKM nr. 171 e miratuar në vitin 2019” shtoi ministrja.
Shqetësimi u përcoll tek titullarja e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit nga përfaqësuesit e Federatës Shqiptare të Vrojtuesve të Plazhit dhe Shpëtimit në Ujë, një bashkim i 12 shoqatave që deri tani kanë certifikuar 1010 vrojtues plazhesh.
Zonja Kumbaro kujtoi se ata të cilët do të aplikojnë për herë të parë nga 27 janari për menaxhim të parcelave gjatë sezonit të turizmit detar, edhe bizneset që i kanë tashmë kontratat, duhet të marrin masat për ta plotësuar këtë detyrim.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›