Këshilltarët e LDK-së padisin Komunën

Ata ia kanë mësyrë dyerve të gjykatës pasi që pas kërkesave të shumta që kanë bërë nuk kanë arritur të marrin pagat, që sipas tyre arrijë vlerën deri në 20 mijë euro.
Në padinë e paraqitur në gjykatë thuhet se grupi prej tetë këshilltarëve të LDK-së kërkojnë kompensimin e paushallit për tre muajt e fundit të vitit 2009, si dhe kërkohet 50 % e pagës për tre këshilltarë të këtij subjekti që kanë kryer punë tjera, në sektorin publik.
Islam Husaj, nga grupi i këshilltarëve të LDK-së, ka thënë se pagesa për kompensim, në shumë prej 100 eurosh, u takon secilit anëtar të kuvendit pavarësisht se a është periudhë zgjedhore apo jo. Shumat e cilat pretendohet që kanë mbetur pa u paguar, mund të arrijnë në 20 mijë euro.
“Po të llogariten, dalin se janë 12 300 euro borxhe për 41 këshilltarë. Pastaj, pagat e kryesuesit dhe zëvendës kryesuesit, si dhe 50 përqindëshi për të gjithë këshilltarët që kanë punë dytësore, atëherë kjo shumë mund të arrij deri në 20 mijë euro”, ka thënë Husaj.
Padi të veçantë kanë ngritur edhe ish-kryesuesi i asamblesë komunale të Pejës, Ali Sylqa së bashku me zëvendës kryesuesin, Fahrudin Mexhitoviq. Ata kanë kërkuar kompensimin e tri pagave për periudhën për tre muajt e parë të vitit 2012.
Ndërkohë që në Drejtorinë komunale për Buxhet dhe Finaca, Sali Krasniqi, zyrtar për paga në këtë drejtori, fajin e ka hedhur në Ministrinë e administratës publike dhe në vetë këshilltarët.
“Faji i këshilltarëve është se nuk kanë bërë kërkesë direkte në Ministrinë e administratës publike. Ata janë kompetent për këto paga, sepse paga është ndalur nga ata”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi më tej, ka sqaruar se arsye e mos pagesës së këtyre pagave janë ligjet e zgjedhjeve që e parashohin largimin nga pagat, nëse këshilltarët janë kandidatë për t’u zgjedhur sërish në kuvend. /Kosovapress/