AAK e AKR nuk e marrin seriozisht idenë e Mustafës

Ideja për bashkimin e së djathtës, e artikuluar nga kreu i LDK-së Isa Mustafa, vjen në kohën kur përflitet mundësia e një koalicioni të ri ndërmjet PDK-së dhe AAK-së, në të cilin, kjo e fundit ka mundësi ta fitojë postin e kryeministrit.
Zyrtarët e AAK-së nuk dëshirojnë ta shohin këtë si një përpjekje për ta penguar një koalicion të tillë. Anëtari i kryesisë së AAK-së, Ernest Luma thotë se me këtë po del në pah roli i pazëvendësueshëm i Ramush Haradinajt.
“Nuk e di, është çështja e atyre që i kanë marrë nismat, por si parti politike vlerësojmë se që gjithnjë e më shumë, të gjitha zhvillimet po e përforcojnë dhe po e shohin si të domosdoshëm rolin e Haradinajt në proceset e tashme dhe në sfidat që e presin vendin”, tha Luma për Radio Kosovën.
Ndërsa zyrtarët e AKR-së, thonë se ideja e Mustafës nuk ka ndikuar në qëndrueshmërinë e koalicionit aktual. Shefja e Grupit Parlamentar të kësaj partie, Myzejene Selmani tha se AKR-ja aktualisht është duke u marrë me strukturimin e degëve dhe nëndegëve të saj, ndërsa për të tjerat, ka thënë se duhet parë si po zhvillohet situata.
“Çështja e koalicionit me PDK-në është duke funksionuar mjaft mirë, ndërsa e drejtë e zotëri Isa Mustafës është t’u bëjë ftesë subjekteve, që do të thotë varet tash se si do të zhvillohet situata në të ardhmen, mirëpo koalicioni për momentin është duke funksionuar mjaft mirë”, tha Selmani.
Që nga hedhja e idesë për bashkimin e së djathtës, kreu i LDK-së Isa Mustafa të vetmin takim kishte atë me kryetarin e LDD-së, Nexhat Daci, nga i cili nuk ka dalë asnjë rezultat.
Derisa Mustafa ka shprehur tashmë ambicien e tij që në çfarëdo koalicioni, ai ta marrë postin e kryeministrit të vendit, duket se edhe nga kreu i LDD-së ka marrë përgjigje negative në këtë drejtim, ngase Daci ka thënë se përpjekjet e tij të vazhdueshme do të shkojnë në drejtim të rikthimit të Ramush Haradinajt në krye të Qeverisë.