E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hoxhaj ngushëllon Sekretaren Clinton për vdekjen e Larry Rossin

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, përmes një telegrami ka ngushëlluar Sekretaren Amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, pas ndarjes nga jeta të diplomatit amerikan, Lawrence G. Rossin (Larry Rossin).

Në emër të Qeverisë dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës, Ministri Hoxhaj, në letër, i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta Sekretares Clinton dhe familjes Rossin, pas ndarjes së parakohshme nga jeta e mikut të madh të Kosovës, Larry Rossin.

Hoxhaj ka vlerësuar lartë figurën e diplomatit të shquar Rossin, i cili gjatë jetës dhe veprimtarisë së tij është shndërruar në një figurë të shquar të përpjekjeve të diplomacisë amerikane për triumfin e vlerave të lirisë dhe demokracisë në botë, e veçmas në rajonin tonë.

Ministri Hoxhaj po ashtu ka shprehur konsideratat më të larta dhe mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin e Larry Rossin me angazhimin e tij për shumë vite në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, më pas si Shef i parë i Zyrës Amerikane në Kosovë, si dhe në kohën e shpalljes së pavarësisë, si zëvendësshef i UNMIK-ut në Kosovë.

“Populli i Kosovës do ta përkujtojë me pietet të lartë figurën e Larry Rossin, i cili do të mbahet mend jo vetëm si mbështetës i pavarësisë së Kosovës, por edhe si një nga diplomatët që ka qenë pjesë e veprimeve konkrete për shtetndërtimin në Kosovë”, thuhet në telegramin e Ministrit Enver Hoxhaj.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›