E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilltarët e majtë: Basha e Kosovrasti të dorëzojnë çelësat dhe bravat e vjedhura

Genti GazheliKëshilltarët e majtë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, deklaruan sot se do të thërrasin shumë shpejt mbledhjen e radhës, nën drejtimin e kryetarit të ri, Aldrin Dalipi.

Ata akuzuan kryebashkiakun Lulzim Basha se po mban peng selinë e Këshillit Bashkiak.

Shumica dërrmuese në këshillin bashkiak, 31 këshilltarët i kërkojnë Lulëzim Bashës dhe të ndjerit ish-kryetarit të Këshillit Bashkiak, Njaziut, të dorëzojë çelësat dhe bravat e vjedhura natën e 2 majit.

Luli po të dojë ta marrë në shtëpi Njaziun, po bravat dhe çelësat ti lërë në bashki. Salla e këshillit bashkiak është hapësirë publike dhe si e tillë është e qytetarëve të Tiranës.

Lulëzim Basha ka përgjegjësi direkt për presionin dhe mbajtjen peng të ambienteve të Këshillit Bashkiak, i cili po e kujtojmë nuk është në varësi të tij, por në varësi të shumicës dominuese.

Qytetarët presin vendimet, kryetari i Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi, së shpejti do të thërrasë mbledhjen e radhës për të vendosur në interes të qytetarëve. Luli duhet të dorëzojë çelësin dhe jo të ndërrojë bravën”, deklaroi në emër të anëtarëve të majtë të Këshillit Bashkiak të Tiranës, Genti Gazheli.

Të majtët kanë zgjedhur Aldrin Dalipin si kryetar të Këshillit Bashkiak, kurse të djathtët thonë se mbledhja e tyre ka qenë e paligjshme. Njazi Kosovrasti ka deklaruar se nuk do e lëshojë postin e kryetarit./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›