E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilltari i PS: Nuk kisha hasmëri

 VLORE/ QEMAL BIRAKUKëshilltari socialist i Vlorës, Morand Hoxha, kalon rrezikun për jetën pas shpërthimit të tritolit C4 në makinën e tij, mbrëmjen e së shtunës. Sipas mjekëve, fillimisht 38-vjeçari ka shfaqur shenja të një kujtese të dobët, probleme me dëgjimin dhe shikimin si pasojë e atentatit, duke bërë të pamundur marrjen e dëshmisë së tij. Gjatë ditës së djeshme ai është mbikëqyrur jo vetëm nga mjekët e spitalit të Vlorës, por dhe nga forca të shumta të policisë, të cilat nuk lejonin asnjë lëvizje para derës së reanimacionit. Vetëm në orët e pasdites, grupi hetimor ka mundur të marrë një dëshmi të plotë të Hoxhës, i cili ka treguar itinerarin e ditës së shtunë. Sipas tij, makinën e kishte parkuar që rreth orës 10:00, përballë shkollës 8-vjeçare "Ismail Qemali". Pasi ka mbaruar mbledhjen e PS-së së Vlorës, Hoxha ka qenë gjatë pjesës tjetër të ditës me tre shokë të tij, me të cilët ka qëndruar deri në mbrëmje. Rreth orës 21:00 ai është kthyer në vendin ku kishte lënë makinën, "Benz" 240, në shoqërinë e një miku të tij, i cili banonte përballë. "Në momentin që jam bërë gati për të hapur derën e makinës, ka ndodhur shpërthimi. Më tej nuk kujtoj gjë", ka pohuar Hoxha. Specialistë nga Tirana kanë ekzaminuar vendin dhe makinën e shkatërruar totalisht nga fuqia e madhe shpërthyese. Ata dyshojnë se tritoli ishte vendosur nën sedijen e shoferit ose mbi kroskot, duke e komanduar në momentin ku pronari i saj i është afruar mjetit. Vetë Hoxha ka pohuar se makinën nuk e ka lënë në asnjë moment të hapur. I pyetur nëse ka pasur konflikte më parë, këshilltari socialist, me detyrë jurist në ndërmarrjen e ujësjellësit, ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë problem që të kishte frikë se do t'i ndodhte ky atentat. Ai ka sqaruar se një vit më parë, kur policia e kapi me armë pa leje, pas një sherri, motivi ka qenë banal dhe është sqaruar me personin me të cilin u konfliktua. Gjatë ditës së djeshme, policia e Vlorës ka shoqëruar në komisariat 8 persona, duke i marrë në pyetje, por që më pas janë lënë të lirë. Nga ana e saj nuk jepet ndonjë motiv mbi ngjarjen, pasi hetuesit nuk kanë mundur të ngrenë ndonjë pistë konkrete, nisur nga dëshmia e të plagosurit. "Nuk kam as hasmëri e as ndonjë borxh. Me personat që jam përplasur një vit më parë jam pajtuar, sepse bëhej fjalë për një sherr banal", pohoi Hoxha. I pyetur për këtë ngjarje, kreu i PS-së së Vlorës, Eltar Deda, u shpreh se gjatë mbledhjes së zhvilluar Hoxha nuk kishte shprehur ndonjë shqetësim. "Asnjëherë nuk na ka thënë se pasur probleme me persona të tjerë. Nëse do të kishte, jam i sigurt që do na i kishte thënë në mënyrë shoqërore. Nuk dua të besoj se kjo ka prapavijë politike", deklaroi Deda, duke kërkuar zbardhjen e shpejtë të ngjarjes. "Atentati, provë e krizës politike"Deputetja e PS-së, Luiza Xhuvani, e cilësoi ngjarjen e ndodhur në Vlorë, si tjetër provë e krizës së rëndë politike që po kalon Shqipëria. "Si deputete e qarkut të Vlorës, por mbi të gjitha si nënë, i bëj thirrje Sali Berishës, të heqë dorë nga politika e përplasjes, nga politika e konfliktit. Të heqë dorë nga gjuha e urrejtjes, nga fjalori që nxit kundërvënie dhe që për pasojë, rezulton edhe në ngjarje të tilla, si ajo e mbrëmshmja, kur Morand Hoxha, fatmirësisht shpëtoi gjallë, por që në qytetin e Vlorës dhe në të gjithë Shqipërinë la një shije të hidhur dhe përforcoi edhe më shumë ndjenjën e frikës dhe pasigurisë", u shpreh ajo në një deklaratë për mediat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›