E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi thërret të shtunën tryezën Rama-Berisha, Islami: Formula që do zgjidhë krizën politike

 ADI SHKEMBIPresidenti Bamir Topi zyrtarizon tryezën me kreun e maxhorancës dhe opozitës. Pas konsultimesh të shumta ditët e fundit, kryetari i shtetit bëri të ditur se do të thërrasë të shtunën në orën 11.00 bisedimet për zgjidhjen e krizës politike që ka prekur vendin pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Por kjo tryezë nuk do të jetë e para dhe e fundit, për shkak se vetëm takimet në nivel ekspertësh do të përpunojnë marrëveshjen e plotë mes palëve. TakimetKreu i shtetit ka vendosur dje pas një axhendë të ngjeshur të konkretizojë nismën për moderimin e bisedimeve. Në mesditë, në orën 10.45 Topi ka takuar Ambasadorin e Spanjës, Manuel Montobio de Balanse, vendi i të cilit ka Presidencën e radhës së Bashkimit Evropian dhe kreun e delegacionit të Komisionit Evropian në vendin tonë, Helmuth Lohan. Pas rreth 45 minutash bisedime, dy ambasadorët ia kanë lënë vendin kreut të diplomacisë amerikane në Tiranë, Xhon Uidhërs. “Këto takime, në të cilat u inkurajua roli kyç i Presidentit si moderator, u organizuan në kuadrin e vazhdimit të konsultimeve të Kreut të shtetit me përfaqësuesit e Komunitetit Ndërkombëtar nën frymën e rekomandimeve të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe qëndrimeve të Bashkimit Evropian mbi situatën aktuale politike në Shqipëri”, thuhet në njoftimin për shtyp të Presidencës. Më tej theksohet se “gjatë takimeve u diskutua mbi rëndësinë dhe nevojën e mbajtjes së tryezës së dialogut mes Kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të opozitës, Edi Rama, nën moderimin e Presidentit Topi, në përpjekje për t’i kontribuar normalizimit të klimës politike dhe rivendosjes së dialogut parlamentar”. Në mesditë, Presidenti bëri të ditur se do të thërrasë tryezën në fundjavë. “Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, vendosi që të thërrasë tryezën politike, ditën e shtunë më 13 shkurt 2010, në orën 11.00, në Selinë e Presidentit, në vijim të takimeve të sotme me Kreun e Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Ambasadorin Helmut Lohan, me Ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës, Manuel Montobio de Balanse, me Ambasadorin e SHBA-së në vendin tonë, Xhon Uithers II, si dhe pas kontakteve me Kryeministrin dhe Kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe Kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama”, thuhet më tej në faqen e internetit të Presidencës.PrapaskenatPak orë pas njoftimit bëhen të ditura detajet e axhendës së kreut të shtetit deri ditën e mbajtjes së tryezës, por edhe formati i saj. Burime në Presidencë bëjnë të ditur për gazetën se Topi do të vazhdojë edhe gjatë ditës së sotme takimet me ambasadorë të akredituar në Tiranë. Ndërkohë mësohet se shkaku i mbajtjes të shtunën të bisedimeve mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste është axhenda e Kryeministrit Berisha. Kreu i qeverisë do të niset të enjten në Itali, ku do të marrë pjesë në një forum ekonomik dhe të premten pritet të ketë një takim me Kryeministrin Silvio Berluskoni. Dy ditët e ardhshme, e marta dhe e mërkura duket se nuk kanë qenë të mjaftueshme për përgatitjen e tryezës, kështu që është parë e arsyeshme që ajo të mbahet pikërisht të shtunën. Burime pranë dy forcave të mëdha bëjnë të ditur se takimi i 13 shkurtit do të jetë mes Presidentit Topi, kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Kjo tryezë nuk pritet që të japë zgjidhjen e krizës, por një mesazh nga të gjitha palët se kanë vullnetin për ta zgjidhur atë. Bisedimet mes stafeve tekniko-politike të PD-së, PS-së dhe Presidentit do të vazhdojnë gjatë ditëve pas tryezës për të kompletuar marrëveshjen mes palëve. Forcat politike kanë më pak se 20 ditë kohë për të konkretizuar akordin mes tyre, përpara se të mbërrijë 4 marsi, ditë kur përfundon edhe afati që deputetët e opozitës të bëjnë betimin. Dy tryezat te TopiQë nga koha kur Bamir Topi ka marrë postin e Presidentit, Sali Berisha dhe Edi Rama janë ulur në një tavolinë me të dy herë. Tryeza e parë ka qenë në 11 shtator në Pallatin e Brigave për zhvillimin urban në kryeqytet. Ndërkohë e dyta është mbajtur gjashtë ditë më vonë, këtë herë për reformën në sistemin e drejtësisë. Që nga ajo kohë marrëdhënia mes forcave politike dhe Presidentit ka pësuar lëkundje përsa i përket disa çështjeve që kanë ngjallur debat publik si shkarkimi i Sollakut apo hetimi i disa ministrave të kabinetit qeveritar. Islami: Formula që zgjidh krizënDeputeti socialist Kastriot Islami dha dje fazat që do të ndjekin negociatat mes Edi Ramës dhe Sali Berishës në tryezën e presidentit. Islami ka treguar dhe skemat e mundshme të arritjes së zgjidhjes politike në vend gjatë emisionit “7/7” të gazetarit Agron Bala në TVSHçfarë skenarësh mund të kemi në këtë moment që do të çojnë në zgjidhjen e krizës?Duhet të kemi parasysh të paktën në teknologjinë e negocimit gjithmonë liderët kryesorë shkojnë në momentin e fundit kur është parapërgatitur e gjithë situata, normalisht çohen ekspertë, që bëjnë bisedime, përgatisin draftet dhe kur zgjidhja është arritur atëherë bëhet shtrëngimi i duarve mes dy liderëve.Ndoshta jemi në fazën kur Presidenti i Republikës i ka bërë lëvizjet e duhura për të qenë afër zgjidhjes? Natyrisht Presidenti i Republikës ka bërë konsultimet e nevojshme, edhe me faktorin ndërkombëtar që duhet të kemi parasysh edhe sipas rezolutës së KiE-së vetëm asiston Presidentin, nuk është palë, nuk ndërhyn dhe këtë e kanë bërë të qartë. Shqipëria normalisht duhet të ishte e maturuar si anëtare e NATO-s dhe kjo është arsyeja që ndërkombëtarët nuk bëhen palë.    Cilët janë skenarët e zgjidhjes së krizës?Unë shikoj tre mundësi për zgjidhjen e krizës; nëse palët do të mbeteshin në këtë retorikë dhe nuk do të tërhiqeshin nga pozicionet e tyre, tavolina e Presidentit mund të dështonte. Dhe nuk mendoj se ka shumë gjasa që kjo tryezë të dështojë. E dyta, mund të ishte një zgjidhje e pjesshme, ka dhe një çështje tjetër që lihet dhe me respektimin e Kushtetutës, me mandatet e deputetëve. Mund të ndodhte që zgjidhja të ishte e pjesshme, deputetët të hynin dhe të dilnin nga Parlamenti. Në këtë rast kriza shtyhej për tu zgjidhur më vonë. Kriza do të quhej si jo shumë e thelluar, e pazgjidhshme dhe reporterët e KiE-së do të përgatisnin një raport e më pas një rezolutë më të ashpër ndaj politikës shqiptare duke vendosur dhe përgjegjësitë për palët, të cilat mendoj se do të ishin asimetrike. Këtu kam parasysh praktikat e hartimit të rezolutave në KiE, praktikë që e kam ndjekur dhe vetë prej disa vitesh me Gjeorgjinë. Varianti i tretë, është ai i një zgjidhje të kompromisit. Zgjidhja do të ishte e tillë, që PS mund të pranonte vetëm këqyrjen e materialeve zgjedhore. Nga pikëpamja formale i gjithë dokumentacioni zgjedhor që është në KQZ ka tre pjesë, kutitë me materialet zgjedhore, ka një pjesë që janë fletët e votimit që shkatërrohen në prezencë dhe ka një pjesë tjetër që listat e votuesve, procesverbalet që shkojnë në arkivin e shtetit. Mund të bëhej marrëveshja që të hapeshin kutitë dhe të shiheshin vetëm materialet zgjedhore, këto që do të shkonin në Arkivin e Shtetit. Kam përshtypjen që kjo zgjidhje do të ishte më e pranuar për PS, ku do t’i thoshte votuesve të saj, u hapën kutitë, u panë materialet zgjedhore, do të duhej një periudhë 6 mujore për të parë materialet dhe për të nxjerrë konkluzionet e nevojshme, ndërkohë që Berisha do tu thoshte elektoratit të tij që nuk hapa materialet zgjedhore, por respektova nenin x të Kodit që përcakton trajtimin e materialeve zgjedhore. Pra ky do të ishte një trajtim dhe hapje dhe mos hapje të kutive zgjedhore ku të dy palët do të dilnin të plotësuara nga kërkesat e tyre, një zgjidhje e ndërmjetme. Si do ta zgjidhnit ju këtë situatë në negociata?Po të isha unë, nuk do ta kisha lënë të vinin gjërat deri në këtë pikë. Sepse dua të them se i gjithë veprimi im dhe i kolegëve që kemi pasur të njëjtin qëndrim, që nuk janë vetëm 5 deputetë, por janë 1/3 e kryesisë së PS, mbi 1/3 e Asamblesë Kombëtare të PS-së, është mbi 40% e Kongresit të PS-së, të paktën në fazën kur kjo është testuar, për shumë nga çështjet e sidomos për çështjen e bojkotit, kemi pasur atë qëndrim. Kam parë shumë analistë që thonë ditët e fundit se LMN dështoi, dhe them se këtë gjë e di që nga fundi i nëntorit. Në kompjuterin tim kam rezolutën e KiE-së që është miratuar dhe në dhjetor kam qenë në Komisionin e Monitorimit ku është diskutuar si anëtar i këtij komisioni dhe i gjithë qëndrimi im ka qenë në rezonancë me atë çfarë është shkruar në këtë rezolutë, përveç amendamenteve që i janë bërë rezolutës, që nuk kanë prekur thelbin e saj.Cili është qëndrimi juaj dhe i grupit tuaj në këtë tryezë?Ne vazhdojmë të jemi kompatibël në qëndrimin tonë dhe i qëndrojmë idesë se bojkoti duhet ndërprerë. Një nga qëllimet e kësaj tavoline është kthimi në normalitet, që do të thotë zhvillim i demokracisë parlamentare, duke përdorur të gjithë mandatin e deputetit në hetimin dhe transparencën e zgjedhjeve. Për mendimin tim, krahas të gjitha qëndrimeve që kemi mbajtur do të ishte mirë që PS të kondiciononte qëndrimin e saj në të ardhmen dhe jo në të shkuarën. Ajo duhet të përgatiste një listë të çështjeve që duhet ët garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme duke dhënë dhe garancinë më të madhe në zgjedhje. Kur kam qenë ministër i jashtëm kam luftuar kundër bojkotit të PD, sot nuk mund të mbështes bojkotin e PS-së. Formula e KompromisitPër objektin e hetimit të zgjedhjeve1. Do të pranohet si objekt hetimi i zgjedhjeveHapja e kutive dhe shqyrtimi vetëm a) Librit të Protokollit;b) Fletores së vendimeve tip të KQV-së; c) Regjistrit të posaçëm të zgjedhësve; dhe d) Listës së zgjedhësve. 2. Nuk do të jenë objekt hetimi a) fletët e votimit; b) kundër fletët e fletëve të votimit c) gjithçka tjetër që nuk është e shkruar në trajtë eksplicite në objektin e hetimitII. Efektet afatshkurtra të këtij "kompromisi"• PSSH ndërpret bojkotin dhe grupi i PSSH futet në Kuvend• PSSH e konsideron të plotësuar kërkesën e saj për "hapjen e kutive"• PD e konsideron objektin e hetimit në përputhje me kërkesat e nenit 178 të Kodit zgjedhor dhe të nenit 6 pika b të udhëzimit, Nr.1, datë 30.01.2006, "Për hapjen e kutive të votimit, kutive të materialeve zgjedhore dhe administrimin e dokumentacionit zgjedhor të gjendur në to, pas përfundimit të zgjedhjeve".• Debati për cilësinë e zgjedhjeve zhvendoset në KuvendMilo: Dy partitë kanë dhënë zgjidhje të njëanshme Gjinushi: Rama e Berisha nuk e zgjidhin krizën, të zgjerohet tryezaDy aleatët e PS, Skënder Gjinushi dhe Paskal Milo kërkojnë zgjerim të tryezës së presidentit, pasi sipas tyre, negociata mes dy partive të mëdha nuk kanë dhënë zgjidhje të qëndrueshme. I pyetur nga Panorama, kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi tha dje se ky format i tryezës nuk mund të japë rezultatin e pritur. “Krizat kanë ardhur nga PD dhe janë zgjidhur nga tavolina të përbashkëta më të mëdha se dy parti. Shkaktari i krizës është Saliu. Asambleja Parlamentare e Këshilli i Evropës ka rekomanduar një tryezë partiake. Unë nuk pres që kjo tryezë në këtë format të zgjidhë krizën aktuale dhe kam besimin e plotë se nisur dhe nga krizat e mëparshme, tryeza do të vijë duke u zgjeruar me pjesëmarrjen dhe të partive të tjera”, u shpreh Gjinushi. Edhe aleati tjetër i PS, PSD tha dje se tryezat mes dy partive të mëdha kanë qenë jo transparente dhe me zgjidhje të njëanshme.“Nuk është fjala për xhelozi dhe as për protagonizëm të sforcuar siç mund t’i shkojë në mend ndonjërit, por një nevojë dhe garanci për marrëveshje dhe kompromise të ndershme dhe gjithëpërfshirëse politike pjesëmarrja në tavolinën e së shtunës dhe të faktorëve të tjerë politikë të maxhorancës dhe opozitës. Koha e samiteve politike dyshe ose negociatat jo transparente të partive të mëdha të së kaluarës kanë treguar se marrëveshjet që ato kanë prodhuar kanë qenë të përkohshme, të njëanshme, madje të dëmshme për stabilitetin politik dhe interesin e vendit për zgjedhjet, si institucion i vullnetit të popullit për kushtetutën dhe për balancën e institucioneve shtetërore, qeverisëse dhe përfaqësuese”, u shpreh Milo. Kreu i PDS-së i ka bërë apel dhe faktorit ndërkombëtar që po negocion ditë e fundit që të mos nxisë kompromise formale. “Arbritrat ndërkombëtarë që po punojnë këto ditë në fushën e minuar të politikës shqiptare nuk duhet të harrojnë precedentët e krijuar në Shqipëri, në ndonjë rast edhe prej tyre, që për hir të një arnimi politik, ose eksperimenti diplomatik në terrenin primitiv shqiptar, të nxisin kompromise në emër çfarëdo kompromisi, për të mos pasur sot dhe vetëm sot të humbur dhe të fituar, por që mund të kenë nesër dhe në të ardhmen përsëri një humbës të madh që do të jetë Shqipëria dhe shqiptarët”, u shpreh Milo. Dy aleatët e PS kanë mbështetur që ditën e parë kërkesën e PS-së për hapjen e kutive dhe kanë qenë prezentë në të gjitha protestat e organizuara nga socialistët. Sajmir Tahiri“Berisha po anashkalon tryezën”Deputeti i PS-së, Sajmir Tahiri akuzoi dje kryeministrin Berisha se po tenton të shmangë tryezën e kreut të shtetit. “Vetë tryeza e dialogut, të cilën Sali Berisha vazhdon ta anashkalojë me pretekste që në të vërtetë nuk kanë të bëjnë as me Kushtetutën e as me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, nuk zgjidh përfundimisht as krizën e demokracisë e shtetit ligjor, as krizën institucionale e as krizën ekonomike, por vetëm i hap rrugë zgjidhjes përfundimtare duke vendosur në themel garantimin e votës së lirë”, tha Tahiri. Sipas tij “zgjidhja më e mirë për interesin madhor të qytetarëve është rivendosja e demokracisë, duke rikthyer besimin e publikut se në këtë vend ekzistojnë të gjitha mundësitë për të bërë zgjedhje të lira e të ndershme”.Meta: Dialog konstruktiv që të mos dëmtojë institucionetZv.kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta tha dje në një intervistë për “Deutsche Welle” se maxhoranca ka krijuar të gjitha kushtet për zgjidhjen e krizës. “Në të gjitha drejtimet maxhoranca ka qenë shumë e hapur për të plotësuar kërkesat e opozitës, qoftë edhe duke i dhënë maxhorancën  e një komisioni hetimor parlamentar, gjë  që normalisht nuk i takon opozitës, i takon maxhorancës, por është vullneti i maxhorancës që të lëshojë shumicën në një rast të tillë. Pra duket qartë që ka një përpjekje për një tension krejtësisht artificial, e cila vjen më shumë si rezultat i faktit që kryetari i Partisë Socialiste nuk është deputet, por ky ka qenë një vendim i tij dhe për këtë kërkon ta mbajë dialogun jashtë Parlamentit”, tha Meta. Sipas tij “Megjithatë besoj se janë të gjitha mundësitë që me më shumë vetëpërmbajtje  dhe duke u ngritur mbi interesat e ngushta të rivendoset një dialog konstruktiv, i cili nuk dobëson institucionet, sepse nuk mund të jetë qëllimi i një dialogu për të dobësuar institucionet, por për t’i forcuar institucionet. Natyrisht duke i garantuar edhe opozitës gjithë hapësirat për të ushtruar përgjegjësitë”. Kreu i diplomacisë shqiptare theksoi se zgjedhjet e 28 qershorit u cilësuan nga OSBE si më të mirat, teksa shtoi se e vetmja krizë ekziston te kreu i PS-së, i cili nuk po pranon humbjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›