E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kështu fjalët ndryshojnë botën

Shpesh më pyesin se si është e mundur që fjalët të mund t’i vënë në krizë organizatat e fuqishme kriminale, në gjendje të llogarisin në qindra njerëz të armatosur dhe në kapitale të forta. Dhe si është mundur – kjo pyetje më përsëritet fort shpesh, para se gjithash jashtë – që një shkrimtar të mund t’i vër në krizë organizatat e afta të faturojnë miliarda euro në vit dhe të dominojnë territore të paana?

Është e komplikuar të jap një përgjigje të vetme dhe, në të vërtetë, përgjigjja e vetme që më vjen në mendje, më e pranueshmja është se pikërisht përhapja e fjalës është ajo që fut frikën. Nuk është shkrimtari, autori, nuk është as libri në vete, as fjala si e vetme, ajo që arrin t’i ndezë reflektorët e për këtë të fusë frikën. Ajo që realisht frikëson është se mos po merren vesh disa ngjarje të caktuara dhe, mbi të gjitha, mos po ndërshihen më në fund mekanizmat që i kanë shkaktuar. Ajo që frikëson është mos dikush befas do të ketë mundësinë të kuptojë se si shkojnë punët. Mos do t’i ketë instrumentet që zbulojnë atë që fshihet mbrapa. E para se gjithash mos do ta ketë mundësinë t’i perceptojë historitë e caktuara si histori personale. Jo më si histori të largëta, jo më si ngjarje gjeografikisht në distancë, po si diçka që është pjesë e jetës së tyre. Atëherë, ajo të cilës i tuten më së shumti organizatat kriminale nuk është vetëm drita e vazhdueshme që iu hidhet sipër, po mbi të gjitha se mos mijëra, ndoshta miliona persona në Itali dhe botë do të mund t’i dëgjojnë ngjarjet dhe fatin e tyre si diçka që ka të bëjë me të gjithë.

Dikujt mund t’i shkojë mendja se kjo vaki është një vizion tepër mediatik, andaj larg realitetit. Ama s’është kështu. Shumë episode tregojnë se kthimi i vëmendjes, edhe e intelektualëve dhe artistëve, kah organizatat kriminale dhe ajo që ndodh përreth tyre, i ka ndryshuar gjërat dhe fatin e shumë personave përnjëmend. Historia e Giuseppe Impastato, gazetar i vrarë në Cinisi në Sicili, më 1978, është një shembull. Kur Impastato qe vrarë, opinioni publik u kushtëzua pavetëdijshëm nga deklaratat që vinin nga Cosa Nostra. Se ishte vetëvrarë në një nënlloj atentati kamikaz për ta hedhur në ajër një binar. Ky ishte versioni fillestar, i dhënë edhe nga forcat e rendit. Pastaj, pas më shumë se njëzet vitesh, del një film, I cento passi (Njëqind hapat), që jo vetëm rikuperon kujtimin e Giuseppe Impastato-s – tashmë e ruajtur sall nga pak miq, nga i vëllai, nga e ëma – por, tamam, atë kujtim ua jep të gjithëve, si një dhuratë. Një dhuratë shtetit të së drejtës dhe drejtësisë. Ky kujtim i rikuperuar arrin ta rihap një proces që do të mbyllet me dënimin e Tano Badalamenti-t, në atë kohë i burgosur në Shtetet e bashkuara. Një film rihap një proces. Një film i jep dinjitet historik një djaloshi që përkundër ishte regjistruar si një lloj vetëvrasësi i krisur, terrorist.

Iu ka bërë vaki shumë personave. Pipo Fava, gazetar i I Siciliani, një revistë që po e bezdiste shumë Cosa Nostra-n, vritet gjersa është duke shkuar ta marrë mbesën në teatër. E qëllojnë në krye, e shfytyrojnë. Vrasjet e organizatave kriminale kanë prore një sintaksë simbolike. Qëllimi në fytyrë, për shembull, ka një domethënie ndryshe në krahasim me qëllimin në gjoks. Pippo Fava-n e shfytyrojnë, e qëllojnë në zverk e pas pak orësh nisin ta përhapin lajmin, që pastaj do të bëhet versioni zyrtar në shoqërinë civile katamneze – apo do të duhej ta definojmë jocivile – se ishte vrarë ngase ishte “puppo”, ose homoseksual, siç thonë në Sicili. Ngase i kishte prekur të rinjtë jashtë shkollës. E kishin sajuar këtë proçkë për ta delegjitimuar, për të ngjallur neveri sapo të përmendej emri i tij. Për ta ngjallur atë përshtypje të mosbesimit ndaj personave, e cila pi ujë në rrethana të tilla.

Cilido që merret me mafitë, ndien këtë baltë rreth vetes: baltën e mosbesimit. Unë bashkëjetoj me të prej vitesh; që nga dita e parë. Mosbesimi shkon me hapa të barabartë me përditshmërinë, para se gjithash ajo e nëpunësve, të bezdisur thjesht nga fakti se si ke arritur te shumë njerëz. Kjo, mbi të gjitha, nuk i nderon intelektualët dhe gazetarët. “Si vallë ke arritur deri te gjithë ata njerëz?”. Në një Vend ku ai që ka arritur te shumica ka bërë marrëveshje me ndonjë pushtet ose ka zgjedhur t’i hajë fjalët e veta. “Ku ke tradhtuar? Ku je shitur? Me kë je lidhur?”. Cinizmi i nëpunësve është prore ky: të arrish te një publik i gjerë lexuesish, dëgjuesish, vrojtuesish, do të thotë, thënë troç, t’i pranosh kodet më të ulëta, më të mbrapshta të komunikimit.

Mirë pra, organizatat kriminale nuk janë aq ndryshe mes tyre në vlerësimin dhe delegjitimimin e armiqve të tyre. Organizatat kriminale kanë nevojë të çojnë përpara një aksiomë: kush është kundër nesh, e bën nga interesi personal. Kush është kundër nesh, është duke e njollosur territorin, ngase ne nuk ekzistojmë ashtu siç po na paraqesin. Kush është kundër nesh, është paguar nga dikush për të qenë kundër nesh. E, në hipotezën më të mirë, po bën karrierë personale mbi kurrizin tonë.

Fjalët, kur arrijnë te shumë njerëz, kur tregojnë për disa pushtete, bëhen mjaft të rrezikshme. Mjaft të rrezikshme ngase rreziku është në atë se duhet t’i mbrosh me trupin tënd, gjakun tënd, me vetë mishin tënd. Iu ka ndodhur shumë shkrimtarëve, shumë e shumë gazetarëve. Italia ka një karakteristikë që në përgjithësi, kur tregojnë për ne, nuk na përcillet: Italia është një Vend i ligë. Shumë i ligë. Ngaqë është një Vend ku është zor të realizohesh, ku e drejta duket privilegj.

Historia e antimafisë shpesh është një histori ligësish enorme e kur i bie në të s’mund ta kuptoj si është e mundur kjo, përballë ngjarjesh tragjike dhe shkurt të qarta. Vdekja e don Peppe Diana, për shembull. Vdekja e një njeriu, një të riu, i vrarë pak pasi i kishte mbushur tridhjetë vjet, në kurriz të të cilit, me vite, është folur mbarë e mbrapshtë. Se ishte vrarë për lidhje të dyshimta me gra, se kishe bashkëpunuar me një klan. Se kishte vdekur ngase edhe ai ishte i përzier e jo ngase kishte shkruar një dokument, Per amore del mio popolo non tacerò, që i kishte bezdisur bukur fort pushtetet kriminale. Në atë dokument, don Diana, shënjonte rrugën që do të kishte ndjekur si prift i Casal di Principe. Aty deklaronte cila ishte detyra e një prifti në ato toka, do të thotë të tregojë, denoncojë dhe, bash, të mos heshtë.

Vdekja, kështu, bëhet garanci se ajo që ke thënë dhe bërë është e vërtetë, ose paksëpaku që ke besuar deri në fund. Arsyetimi im është një arsyetim i vështirë të kuptohet dhe e kuptoj se po i kërkoj një mundim të pashoq atij që po më lexon. Megjithatë, është një mundim që ia vlen barra qiranë të bëhet për ta kuptuar si funksionon mekanizmi e fjalës. Anna Politkovkaja, shkrimtare dhe gazetare ruse, u vra dhe të njëjtën ditë të ekzekutimit të saj burri i saj deklaron se ka, përveç dhimbjes së thellë, edhe një ndjesi qetësie, pothuajse lehtësimi. I lë pa gojë të gjithë. Pse qetësi? Pse lehtësim? Si është mundur? “Ngase e di”, shpjegon ai “se e di se të paktën me vdekjen s’do të jetë më e njollosur”. Pak ditë para se Anna të vdiste, kishin tentuar ta sekuestrojnë, për ta narkotizuar dhe për t’i bërë foto erotike që t’ua shpërndajnë gazetave të gossip-it. Përballë një delegjetimimi të tillë mund t’i lutesh sall vdekjes. Ai që punon me fjalët, me fjalët që ua fusin frikën disa pushteteve, e di shumë mirë se vetë ato pushtete nuk mund të lejojnë që ti njëkohësisht të kesh autoritet dhe jetë. O njërën o tjetrën. Po qe se e ke jetën s’ke autoritet, po qe se e ke autoritetin s’e ke jetën.

Shumë shkrimtarë dhe gjykatës janë gjendur para nevojës të detyrohen të zgjedhin. Unë vetë kam pasur të bëj, në këto vite, me shumë gjykatës që janë përballur me frikën, terrorin se do të duhet të vdesin, por edhe më tepër se do të delegjitimohen. Si mund të shpëtohet fjala nga ky ndëshkim i tmerrshëm i dyfishtë? Duke bërë që të mos i përkasë më një personi të vetëm. Fjala, nëse resht së qeni imja, e dhjetë të tjerëve, e pesëmbëdhjetë të tjerëve, e njëzet të tjerëve dhe bëhet e mijëra personave, nuk mund të deligjitimohet më, ngase edhe nëse më deligjitimon mua, ato fjalë tashmë janë bërë të të tjerëve. E edhe nëse do të duhej të eliminohej fizikisht personi që i pari i ka shqiptuar, prapëseprapë do të ishte tepër vonë.

E di mirë se ai që rrezikojmë të jemi të heshtur nga romanticizmi i tepërt nëse shqiptojmë shprehje si “fjalë e përdorur nga shumica”, “fjalë kundër pushtetit”. Por jam i bindur se bërja konkrete e një fjale do të thotë para se gjithash t’i lejohet asaj një realizim i plotë në përditshmëri. E gjersa fjala të bëhet realisht efikase kundër mafieve nuk duhet të ketë pushim. Ëndrra e madhe që kanë disa shkrimtarë është ajo që fjalët e tyre të mund të ndryshojnë realitetin, që fjalët e tyre, qoftë edhe në kohë, të mund të drejtojnë në mënyrë efektive rrugëtimin njerëzor drejt udhësh të reja. Natyrisht se e kuptoj që askush s’mund ta izolojë çastin e saktë në të cilin Dostojevski dhe Tolstoj e kanë modifikuar, drejtuar apo thjesht sugjestionuar mendimin njerëzor. S’është se një muaj pas daljes së shkrimeve të tyre ka ndryshuar ndonjë gjë menjëherë. Askush s’mund ta thotë cila është pesha reale e Metamorfozës së kafkës, apo e fjalëve të Ovidit. Askush s’mund ta thotë sa i kanë bërë më të mira, më të këqija apo më indiferente qeniet njerëzore.

Ama ai që ka mundësinë dhe privilegjin e çuditshëm e dramatik t’i shohë fjalët e veta teksa veprojnë në realitet, kur ende është gjallë, kur libri i tij është ende i nxehtë, atëherë ky shkrimtar mund t’i bjerë në të se sa, në mënyrë efektive, pesha specifike e fjalëve të tij është futur në përditshmëri, duke ndihur në modifikimin e sjelljeve të njerëzve. Kur ngjet kjo, e kupton se pushteti real që kanë fjalët është njëmend i pafundmë, edhe më tepër ngase është një pushtet anarkik. Një pushtet që bazohet në bashkëndarje dhe në bindje nuk është më pushtet e fjala, kur pranohet, nuk ngjall më mosbesim dhe frikë. E kur kjo ngjet, do të thotë se diçka po ndryshon, se diçka tashmë është ndryshuar, se askush s’mundet më t’ia lejojë vetes t’i injorojë ca argumente, të lidhet me disa territore dhe me disa logjika.

Unë vij nga një tokë e komplikuar ku çdo gjë drejtohet nga pushtetet kriminale. E tëra është nën zotërimin e tyre dhe e tëra është shprehje e tyre, nga seksualiteti te kronika lokale. Dhe është pikërisht nga kronika lokale që kam dashur ta tregoj territorin tim për të dëshmuar se ekziston një mënyrë për ta rrëfyer ditë për ditë kronikën, në qoshqe, në gazeta të cilat pastaj do të dërgohen nëpër bare, që do të qarkullojnë nëpër sallameri, te berberët, që shkon krejtësisht përkrah gjuhës dhe logjikave të organizatave kriminale.

Do të thuhet se janë gazeta me tirazhe shumë të vogla dhe shpërndarje të kufizuar në ato zona. Por është saktësisht në ato zona që ato duhet të qarkullojnë. Aty duhet të komunikojnë, të ndërtojnë opinione dhe ta bëjnë lexuesin t’i ngjitet logjikës së camorra-s. Aty duhet të konsiderohet normale që një i penduar të definohet i ndyrë. Që ai që vdes duke luftuar organizatat kriminale të sillet menjëherë në dimensionin e tij mediokër prej njeriu si të gjithë.
Sepse ai që kundërvihet – sipas optikës së tyre – nuk është duke iu kundërvënë sistemit të gjërave, është duke u kundërvënë ngase dëshiron të fitojë më shumë, ngase dëshiron hapësirë më të madhe. Është penduar ngase nuk është bërë shef. Po na denoncon ngase s’e kemi bërë të fitojë, ngase dëshiron ta marrë vendin tonë. Po shkruan sepse s’ka guxim ose aftësi për t’u bërë njëri nga ne e kështu bëhet anticomorrist.

Elementi thelbësor për këtë pushtete është të demonstrojnë se të gjithë kemi vese, të gjithë jemi të ndyrë, të gjithë ndjekim dy gjëra: pushtetin, pra famën e paratë, dhe gratë. Ose burrat, natyrisht. Të sinjalizohet se mund të mos jemi të shenjtë ose heronj, por njerëz të ndryshëm, me të gjitha kontradiktat e rastit, kjo përkundër ngjall bezdi, fut frikë, ngase do të ishte si të pranohet se mund të ndryshojmë edhe pa e komprometuar jetën tonë apo pa u detyruar të arrijmë kushedi çfarë shkallësh të përsosjes apo sakrificës. Se nuk mund të jetë, nuk duhet të jemi vetëm të prishur, vetëm të gatshëm të pranojmë kompromisin.

Shumësish pyesin atë që iu kundërvihet organizatave kriminale pse e bën këtë gjë. Është një vrapues, një atlet, një rekordmen në njëqind metra, të cilin e kanë pyetur njëherë pse kishte vendosur të vraponte. E përgjigja e tij është përgjigjja që unë i jap vetes dhe atij që çdo herë më pyet pse merrem me disa tema dhe pse vazhdoj ta jetoj këtë jetë ferri. Atë vrapuesin e pyetën: “Po pse vrapon?”. E ai u gjegj: “Pse unë vrapoj?”... pse ti je ndalur?”.
Edhe mua ma ka ëndja të gjegjem kësisoj. Kur më pyesin pse rrëfen, përgjigjem thjesht: “... e pse ti nuk rrëfen?”.

Përktheu: Arben Idrizi

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›