E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dedin Suli, një jetë kushtuar skenës

Përvjetori Koreografi po përgatit një historik për baletin shqiptar

Teksa një ditë më parë festoi 75-vjetorin e lindjes, Dedin Suli është ende aktiv në krijimtari. Ndonëse vitet e kanë mënjanuar nga skena, ku për dekada me radhë dha kontributin si kërcimtar e si koreograf, Suli, përmes librave të tij, dokumenton jetën dhe punën e figurave të njohura të baletit apo koreografisë. Ndonëse prej 20 vjetësh bashkë me familjen ai jeton në Padova të Italisë, mbetet i pashkëputur nga zhvillimet artistike në Shqipëri. Dedin Suli u lind në qytetin e Shkodrës më 26 mars 1935, në një familje qytetare me tradita patriotike dhe kulturore. Në vitin 1948-1950 ai qe nxënës në shkollën “11 Janari” në Shkodër. Aty pati fatin të njihej me kompozitorin Prenk Jakova, nga i cili ka dëgjuar përveç muzikës sonë edhe atë të repertorit botëror. Fillimin e karrierës së tij e shënon pjesëmarrja në konkurset kombëtare për valltar profesionist që organizonte Filarmonia Shqiptare në vitin 1951. Aktiviteti artistik i Dedinit fillon me baletin “Shatërvani” i Bahcesajit (1951) për të vazhduar me “Esmeralda”, “Kujdesi i kotë”, “Romeo dhe Xhulieta”, “Lola” etj. Ka qenë pjesëmarrës në disa opera dhe filma artistikë. Për aktivitetin e tij është vlerësuar me disa çmime, ndërsa si njohës i fushës ka shkruar dy libra: njëri për valltarin e njohur Besim Zekthi dhe tjetri për koreografin Agron Aliaj. 75-vjetori i jetës po i jep forcë për të mbaruar librin e tretë për historinë e baletit shqiptar.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›