Mjeshtër i Madh për Bujar Kokonozin
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nderoi dje me urdhrin “Mjeshtër i Madh” artistin e shquar, regjisorin dhe drejtorin e fotografisë, aktualisht drejtor artistik i televizionit kombëtar “Top Channel”, Bujar Kokonozin, me motivacionin: “Për kontribut të rëndësishëm në krijimin dhe zhvillimin e medias elektronike shqiptare, për të komunikuar te publiku emisione me vlera të mëdha artistike, me përmbajtje kombëtare dhe progresive”. Në një ceremoni zyrtare të organizuar në mjediset e Institucionit të Presidencës, ku merrnin pjesë artistë, aktorë, figura dhe personalitete të shquara të skenës, kinematografisë dhe medias shqiptare, kryetari i shtetit i dorëzoi Bujar Kokonozit urdhrin e lartë dhe dekretin përkatës në shenjë vlerësimi. Përmes falënderimeve për Presidentin, për drejtuesit e kolegët e “Top Medias”, Bujar Kokonozi tha se ky është një çast shumë i rëndësishëm për të. “Këtë titull e ndaj me ju dhe me gjithë të tjerët që nuk janë në këtë moment, por që kemi punuar bashkë. Dëshiroj të kujtoj në këtë çast zotin Dritan Hoxha, krijuesin e kompanisë më të fuqishme në Shqipëri. Nderim për veprën e tij! Ajo që desha të thosha është se kam akoma shumë për të dhënë. Besoj se koha do të më ndihmojë”, u shpreh mes emocionesh ai. “Zakonisht nuk është në ritualin e ceremonive të dekorimit për të marrë fjalën, por kam një lloj detyrimi moral, duke e njohur Bujarin prej shumë kohësh, por ky mikrofon nuk është për ta shfrytëzuar për qëllime personale, sepse sot jemi këtu për të nderuar një artist, një mjeshtër të vërtetë. Jo pa qëllim ju e merrni sot titullin ‘Mjeshtër i Madh’. Ju jeni mjeshtër, që e keni demonstruar me punë e vepra në vite. Zhvillimi juaj nuk ka qenë revolucionar, por ka ardhur nëpërmjet evolucionit. Fakti që ju shoqëroheni sot me kaq zonja e zotërinj, që janë njerëz të shquar të botës së medias, tregon që gjërat nuk vijnë vetëm, por vijnë së bashku me mjeshtra të tjerë dhe me kolegë. Ju e thatë se keni punuar në shumë vende dhe sot jeni pjesë e një medie, që padyshim është një nga më të kualifikuarat. Më vjen mirë që ju sot merrni këtë titull. Përtej këtij titulli ka edhe tituj të tjerë, por titujt nuk e bëjnë njeriun të ngrihet në piedestal. Juve ju ka bërë vepra juaj”, u shpreh Presidenti Topi. Bujar Kokonozi e ka nisur karrierën e tij në vitin 1971, duke lëvruar në disa gjini si operator, drejtor i fotografisë, regjisor dhe aktualisht drejtor artistik në televizionin kombëtar, “Top Channel”. Disa nga realizimet e shumta të tij përfshijnë rreth 15 filma artistikë, mbi 30 dokumentarë, telekomedi, drama, koncerte, spektakle, por edhe etyde e kronika. Ndër çmimet e fituara më parë renditen: “Aleksandër Moisiu”, çmimi “Naim Frashëri”, “Kamera më e mirë” në disa festivale kombëtare filmash etj.
#