E Diel, 1 Nëntor 2026

Kesiq: Serbia më afër qëndrimit të Kosovës sesa anasjelltas

Analisti serbo-amerikan Obrad Kesiq, nga firma konsultative TSM, thotë se në bisedimet e Beogradit dhe Prishtinës mund të jetë arritur përparim, por mund të mos jetë duke u bërë publik.

“Mendoj se mund të arrihet një marrëveshje sepse megjithëse qëndrimet duken shumë larg mes Beogradit dhe Prishtinës, ato janë më të afërta sesa duket në pamje të parë. Si Beogradi edhe Prishtina kanë pranuar një farë zgjidhjeje që përfshihet në Planin Ahtisaari, por asnjëra nga palët nuk do që të flasë për të shkuar përtej tij”, tha Kesiq për “Zërin e Amerikës”.

Ai shton se Beogradi nuk e ka pranuar asnjëherë planin, prandaj e paraqet çdo propozim si diçka të re, ndërsa Prishtina nuk do të flasë për asgjë që shkon përtej planit Ahtisaari.

Kesiq thotë se duhet të ketë një kompromis dhe në kënvështrimin e tij Serbia i është afruar më shumë qëndrimit të Kosovës sesa anasjelltas. Sipas tij, koha po ikën dhe nëse BE-ja nuk arrin një marrëveshje, atëherë për shkak të zgjedhjeve në dy vendet do të krijohet një gjendje e ngrirë që mund të sjellë paqendrueshmëri.

“Unë parashikoj që vendimi për një datë për kandidaturën e Serbisë në BE të jetë pozitiv falë faktit që duhet të tregojnë përparim”, tha Kesiq./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›