E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontestohet emërimi i Bedri Hamzës

(E plotesuar) Instituti Demokratik i Kosovës përmes një deklarate për media ka shprehur shqetësim "ndaj vendimeve të fundit të Kuvendit të Republikës së Kosovës për vendosjen e anëtarëve me libreza partiake në krye të institucioneve të pavarura dhe shumë të rëndësishme për shtetin e Kosovës".

"Zgjedhja e sotshme e z. Bedri Hamza për Guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës është në kundërshtim të plotë me nenin 140 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës i cili shprehimisht thotë se: “Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, është institucion i pavarur i cili i përgjigjet vetëm Kuvendit të Kosovës”", thuhet në deklaratë.

Aty thuhet po ashtu se edhe neni 6 i Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, ka përcaktuar pavarësinë dhe autonominë e këtij institucioni.

"Duke ditur që z. Hamza për një kohë të gjatë është anëtar dhe faktor i rëndësishëm i Partisë Demokratike të Kosovës, zgjedhja e tij për Guvernator të Bankës Qendrore cenon kushtetutshmërinë dhe konceptin themelor të institucioneve të pavarura. Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës ngjashëm vepruan edhe para disa javëve, kur zgjodhën anëtarin e Këshillit të përgjithshëm të PDK-së, z. Blerim Rexha, për Kryesues të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit", thuhet në deklaratën e KDI-së.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Bedri Hamza, është zgjedhur guvernator i ri i Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës.

Nga 67 deputetë sa kanë qenë në sallë, 58 nga ta kanë votuar për zotin Hamza.

Në kohën kur ka filluar përzgjedhja e guvernatorit, deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Lëvizjes “ Vetëvendosje”, e kanë lëshuar seancën e Kuvendit të Kosovës, pasi sipas tyre, me emërimin e Hamzës si guvernator, politizohet Banka Qendrore e Kosovës, apo siç është thënë, më emërimin e Bedri Hamzës, Banka qendrore e Kosovës mund të quhet si Banka e Partisë Demokratike.

Bedri Hamza, ka qenë ministër i Financave, ku nga kjo pozitë ka dhënë dorëheqje në janar të këtij viti. Ende nuk është zgjedhur ministri i ri i Financave.

---

LDK-ja assesi nuk po pajtohet që shef i Bankës Qendrorë të Kosovës është emëruar Bedri Hamaza.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri tha se më këtë akt Qeveria e Kosovës dhe PDK-ja po u jep grusht institucioneve demokratike të vendit.

Beqiri e ka akuzuar edhe EULEX-in që nuk ka ndërhyrë për të ndalur votimin e Hamzes. Ai tha se LDK do të gjej rrugët ligjore që të kontestojë votimin e sotëm të Guvernatorit.

“Ky akt është në vazhdën e privatizimeve të PDK-së për institucionet publike. Ne do të shohim edhe format ligjore për ta kontestuar këtë votim. Nga ana tjetër edhe institucionet ndërkombëtare, në këtë rast EULEX është dashur ta thotë fjalën e vetë, ngase ata po reagojnë për çështje shumë më banale. Por duket se edhe ky mision i sundimit të ligjit është bërë argat i PDK-së", ka thënë Beqiri.

Ndërkaq, Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci tha se në votimin e sotëm për Guvernatorë të BQK-së janë evidentuar tri situata.”Zgjedhja e guvernatorit ka qenë konformë ligjeve. Sot u pa se koalicioni qeverisës po funksion dhe se i ka numrat deri ne fund të mandatit. Pastaj, u pa se kush janë ata që po e bllokojnë jetën institucionale në vend. Mua më vjen keq ngase kanë qenë edhe disa deputet që kanë pasur vullnetin të rrinë në kuvend, por janë penguar”, tha Grabovci

 ....................................................

Me 58 vota 3 kundër dhe 6 abstenime, Bedri Hamza është zgjedhur Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës.

Gjatë kohës së votimit dy partitë opozitare LDK dhe Vetëvendosje kanë lëshuar sallën ashtu sië kishin paralajmëruar. AAK ka qëndruar në sallë por duke votuar kështu kundër zgjedhjes së Bedri Hamzës për Guvernator.

Njejtë kanë vepruar edhe deputetët nga grupi E15. Lëshuan sallën dhe u shprehën kundër zgjedhjes së Hamzës për Guvernator.

LDK, fuqishëm ka kundërshtuar zgjedhjen e Hamzës në krye të BQK-së.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së ka thënë se me emërimin e Bedri Hamza në krye të BQK-së, i ndërrohet emërimi në Banka Private e PDK-së.

“Po përfundon gjithë cikli i politizimit në institucione të varura dhe partiake. Është e qartë që kandidati Hamza është eksponent i lartë i PDK-së. BQK duhet të jetë institucion i pavarur dhe që i përgjigjet vetëm Kuvendit. Zgjedhja e Hamzës Guvernator është shakaja më e madhë dhe turpi më i madh në vazhdimin e kësaj që po ndodh. BQK do të jetë Banka private e PDK-së ose e qeverisë, njësoj është”, ka vlerësuar Beqiri.

Nga ana tjetër, Visar Ymeri, emërimin e Hamzës, Guvernator të BQK-së, e ka quajtur uzurpim nga kryeministri, dhe se De fakto do ta drejtojë BQK-në.

“Është një uzurpim nga kryeministri, është një hap cilësor në kapjen e shtetit, për shkak se institucioni I BQK-së, është institucioni më i rëndësishëm financiar në vemd, institucioni më i rëndësishëm në ndërtimin e sovraniteti. BQK duhet të jetë e pavarur nga presioni apo qeveria. Duhet të jetë transparent. Çdo lloj i ndikimit shkel pavarësinë e këtij institucioni. Kryeministri De Facto do ta drjetojë BQK-në”, ka vlerësuar Ymeri.

Ndërka, AAK, ka qëndruar në sallë por duke votuar kundër Hamzës që të zgjidhet si Guvernator i BQK-së.
“AAK do t’i mbahet konsistent vendimit të vet dhe do të votojmë kunder”, vlerësoi Gjini.

Ndryshe, Bedri Hamza, pati dhënë dorëheqje në muajin maj nga drejtimi i Ministrisë së Financave.

Duke e konsideruar punën në Ministrinë e Financave si përmbyllje të një cikli në karrierën e tij, pas lirimit nga posti i tij Hamza tash do ta drejtojë Bankën Qendrore të Republikes së Kosovës./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›