E Diel, 1 Nëntor 2026

Këtë vit u importuan mbi 600 vetura

Markat e veturave “Volkswagen”, “Skoda”, “Ford” ishin veturat më të kërkuara në Kosovë gjatë periudhës janar-korrik të këtij viti. Gjatë kësaj periudhe janë importuar 632 vetura. Kryetari i Shoqatës së Importuesve të Autorizuar të Automjeteve të Reja, Bujar Hoxha, ka bërë me dije se vlera e akcizës për veturat e reja me motor mbi 2 000 kubikë është 500 euro, ndërsa e atyre mbi 3 000 kubikë është 1 000 euro.

Hoxha ka apeluar tek institucionet që për veturat e reja të hiqet tërësisht akciza, si dhe të ketë lehtësira për makinat që janë “eko”. Sipas Hoxhës, importi i veturave të vjetra do të duhej të ndalohej për shkaqe ekologjike. “Rekomandoj të ndalohet importimi i makinave më të vjetra se pesë vjet, ndërsa për makinat e reja të hiqet akciza tërësisht dhe të ketë lehtësira për të gjitha veturat ‘eko’, të cilat lirojnë më pak gazra të dëmshme”, ka thënë Hoxhaj.

Ndërsa zëdhënësi i Doganës së Kosovës (DK), Adriatik Stacileci, ka bërë me dije se importi më i lartë i veturave gjatë periudhës janar-korrik të këtij viti është nga Gjermania, Franca, Japonia si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Stavileci ka treguar se importi i veturave të reja përgjatë kësaj periudhe është 632 copë. Ai ka thënë se në të njëjtën periudhë të vitit 2012 sasia e veturave të importuara ishte më e lartë prej 653 sosh. Sa i përket vlerës së akcizës për periudhën 2012, zëdhënësi Stavileci është shprehur se ajo ishte 32 000 000 euro, kurse TVSH-ja 1 682 549 64. Stavileci ka thënë se gjatë kësaj periudhe të këtij viti vlera e akcizës është 36 500 000 euro, ndërsa ajo e TVSH-së 1 549 192 31. Kurse sa iu përket automjeteve transportuese, Stavileci ka deklaruar se importi i automjeteve transportuese të reja në periudhën e njëjtë të vitit 2012 ishte 51 sosh, kurse vlera e TVSH-së ishte 121 707 86, ndërsa në vitin 2013 është 88 sosh, me TVSH prej 186 698 49.

Maloku: Makinat ‘eko’ duhet lirohen nga taksat ekologjike

Ndërkaq kryetari i Partisë së të Gjelbërve të Kosovës (PGJK), Daut Maloku, ka thënë se makinat ekologjike duhet detyrimisht të shkarkohen nga taksat ekologjike dhe të ketë stimulime të tjera për rritjen e numrit të shfrytëzuesve të këtyre makinave. “Ky synim është plotësisht në përputhje me normat, standardet dhe strategjinë e BE-së për uljen e ndotjes nga automjetet si dhe ngritjen e cilësisë së ajrit urban dhe stimulimin e teknologjive inovative”, ka thënë Maloku. Sipas Malokut, makinat e vjetra ndikojnë në buxhetin e shtetit dhe buxhetin familjar. “Me rritjen e numrit të makinave, veçmas atyre të vjetra, siç është rasti me Kosovën, problemet mjedisore e shëndetësore sa vijnë e shtohen dhe me këtë ngarkohet dhe dëmtohet buxheti i shtetit dhe ai familjar, i cili shkon për shërimin e sëmundjeve të ndryshme respirative e psikike që shkaktohen s’i pasojë e cilësisë së dobët të ajrit aty ku jetojmë, punojmë apo frekuentojmë”, ka deklaruar Maloku. /Epoka e re/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›