E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këto bluza janë të zeza!

Vetëm një ditë më parë, Instituti i Statistikave bëri publike një anketim ku shqiptarët nxirrnin si më të korruptuarit bluzat e bardha.

Një ditë më vonë, nga një aksion i policisë përfunduan në pranga një doktor, një farmaciste si dhe një bashkëpunëtor i tyre, jo për marrje ryshfeti siç ndodh rëndom, por për vjedhjen e ilaçeve.

Vjedhja e barnave dhe më pas shitja e tyre që kapte vlerën e 30 milionë lekëve, bëhej tek Spitali Onkologjik, atje ku përplasen për pak shpresë ata që vuajnë nga sëmundja më e rëndë dhe në të shumtën e herëve pa shërim, kancerit.

 Drejtori i qendrës së kontrollit të barnave në QSUT, Besnik Jakaj theksoi se ilaçet me pullë që ishin për përdorim spitalor janë shitur në farmaci të ndryshme duke sjellë mungesa të ilaçeve në spitale. Sipas tij, janë marrë rreth 50 lloje ilaçesh që duhej të ishin përdorur për pacientët në spital, duke detyruar këta të fundit t’i blinin në farmaci.

Thuajse është bërë e zakonshme që në spitalet publike mungojnë medikamentet më elementare dhe mjekët si gjithmonë, duke u ankuar për mungesën, u japin këshilla pacientëve jo vetëm për të blerë barnat e duhura, por edhe vendin se ku. Skema është e qartë: mjekët brenda spitalit nxjerrin prej andej në mënyrë të paligjshme barnat duke i çuar në farmaci që në shumë raste janë të tyre ose të të afërmve të tyre.

Biznesi i bluzave të bardha me barnat u godit kësaj here nga policia. Nga operacioni i koduar “Clexane”, u arrestuan shtetasi Andonaq Zili, 38-vjeç, banues në Tiranë, Nikoll Prenush Koleci, 43-vjeç, banues në Tiranë, me profesion Doktor, si dhe Jetmira Enver Koleci, 42-vjeç, banuese në Tiranë, farmaciste në Spitalin Onkologjik, njëkohësisht bashkëshorte e doktorit 43-vjeçar. 
 
Policia sqaroi se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin si dhe me persona të tjerë, të cilët realizonin vjedhjen e medikamenteve mjekësore të destinuara për përdorim Spitalor dhe konkretisht për pacientë të shtruar si dhe atyre që trajtoheshin me medikamente falas pranë Spitalit Onkologjik në Tiranë.

Gjatë hetimit rezultoi se medikamentet të cilat ishin për përdorim të brendshëm, vidheshin nga shtetasit e mësipërm dhe më pas  tregtoheshin duke i shitur e përfituar shuma të konsiderueshme të ardhurash. Pasi  vidhnin medikamentet të cilat ishin për përdorim të brendshëm të spitalit dhe me vulën përkatëse ndalohet shitja e tyre, detyronin pacientët që ndodhen të shtruar në spital, që të blinin medikamente pranë farmacive.

"Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar dy automjete të cilat shërbenin për shpërndarjen dhe transportimin e medikamenteve të vjedhura si dhe një sasi e konsiderueshme medikamentesh mjekësore të cilat arrijnë vlerën rreth 80 mijë lekë të rinj", thekson policia.  

Medikamentet u gjetën në automjetet e shtetasve të mësipërm si dhe në banesën e shtetasit Nikoll Koleci të vendosura në një ambient garazhi, në kushte jo të përshtatshme për ruajtjen e tyre.  Aktualisht nga strukturat e hetimit të krimit të Policisë së Kryeqytetit, po punojnë intensivisht në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë për të identifikuar të tjerë persona apo punonjës që merren më këtë aktivitet të kundraligjshëm.

Pas arrestimit gjeti kohë të reagonte edhe drejtori i spitalit më të madh në vend, QSUT-së, Saimir Ivziku, i cili theksoi se nuk do të lejohen më afera të tilla korruptive, thua se u përdorën për herë të parë.  “Çdo punonjësi që i konstatohet shkelje, largimi nga puna do të jetë i menjëhershëm dhe çështja do të shkojë për hetim në Prokurori”, theksoi ai.

Ivziku shtoi se është ngritur një grup pune që po merret me verifikimin në të gjitha hallkat të lëvizjes së medikamenteve, materialeve të mjekimit nga farmacia qendrore drejt farmacive periferike dhe në shërbimet përkatëse.

“Në një moment, kur ne me një përpjekje të jashtëzakonshme bëjmë të mundur sigurimin e barnave dhe materialeve në të mirë të pacientëve, persona të tillë të cilët guxojnë dhe do të guxojnë të vënë dorë mbi ilaçet e spitalit, nga ana jonë do të përballen me ashpërsinë më të madhe”, tha më tej ai.

“Ne duhet të gjejmë dhe të vëmë në zbatim të gjitha mënyrat, sesi ta nxjerrim këtë sistem jashtë akteve te tilla të shëmtuara. Të marrim çdo lloj mase, deri ne vënien e abuzuesve para drejtësisë”, vijoi kreu i QSUT-së. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2011-09-23 14:02
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›