E Diel, 1 Nëntor 2026

Sëmundjet neurologjike, faktorët ambjentale shkaktarët kryesorë

TIRANË- Faktorët ambjentalë, janë shkaktarët kryesorë të sëmundjeve neurologjike, ndërkohë që pajisja me aparatura diagnostikuese-trajtuese në spitalet në vend, ka bërë që ato të kapen në kohë.

"Ndotja e ambjentit është një një nga faktorët që sot është provuar dhe këtu futen grimcat e ndotjes nga hidrokarburet, nga djegja e plastikës, ato që gjenden në prezervantët në ushqime dhe duhani po bën një dëm të madh shëndetësor", tha neurokirurgu Mentor Petrela në konferencën për neuro-onkologjinë.
Sipas tij, nisur nga këta faktorë, shoqëria duhet të reflektojë dhe të marrë masa nëpërmjet edukimit, duke filluar që nga fëmijët deri tek të rriturit ndërsa duhet të bëjnë kontrolle rutinë tek mjeku për gjendjen e tyre shëndetësore.
Sa i takon trendit të sëmundshmërisë në neurokirurgji, Petrela thotë se ka rritje që lidhet me mundësinë e diagnostikimit në kohë, me futjen e aparaturave diagnostikuese në të gjithë spitalet në vend, por jo e ardhur nga shtimi i rasteve.
Duke përshëndetur punimet e kësaj konference, ministri Shëndetësisë, Petrit Vasili, u ndal në arritjet mjekësore në fushën e neuro-kirurgjisë, për të cilën një meritë të jashtëzakonshme kanë mjekët, por edhe infrastruktura bashkëkohore.
"Tashmë është krijuar domain-i i duhur për të synuar gjëra të medha dhe për të mos pasur tabura të paarritshmërisë, por objektivitetin se gjithçka mund të arrihet duke pasur bindjen e thellë se profesorët dhe mjekët shqiptarë mund të tentojnë ashtu si kolegët e tyre në perëndim dhe gjetkë, sfida apo ndërhyrje dhe trajtime të cilat afrojnë me nivelet bashkëkohore të trajtimit mjekësor të patologjive të ndryshme", tha Vasili.

Ai cilësoi projektin për pajisjen me aparatura të neuro-kirurgjisë një histori suksesi, por edhe investimet në zhvillimin e kapaciteteve shkencore për ta vënë të gjithë këtë investim në shërbim të të sëmurëve.
"Ndërhyrjet tepër fine të cilat kryhen në spitalet tona janë prove e asaj që qytetarët shqiptarë përfitojnë tashmë në spitalet tona. Njëkohësisht janë edhe përgjigje për cilindo që përpiqet të demotivojë klasën mjekësore shqiptare, që përpiqet të thotë gjithçka kundër saj dhe në dëm të pacientëve shqiptarë, në një kohë kur realitetet e ditës dhe mrekullitë që dalin nga duart e mjekëve dhe infermirëve shqiptarë janë provë që realitet motivues", tha Vasili, ndërsa shtoi se "përplasjet me sfidat, sakrificat e përditshme që bëhen janë të gjitha në shërbim vetëm të qytetarëve shqiptarë".
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›