E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oficerët e ndërlidhjes presin, prefiksi s’pret

Qeveria e Serbisë, siç raportojnë mediet e Beogradit, ka “ndezur të gjithë motorët”, për të startuar në zbatimin e marrëveshjes me Kosovën. Ajo tashmë ka formuar grupin aksional, kurse gjithë “hartën implementuese” do t’ia dorëzojë komisionarit për Zgjerim të BE-së, Stefan Fyle, i cili do të vizitojë Beogradin të premten.

Përveç grupeve do të ketë edhe nëngrupe, që do të merren me pronat serbe në Kosovë, shëndetësinë, arsimin, policinë...

“V.Novosti”, duke numëruar të gjitha punët që po bën Qeveria e Beogradit, për të qenë gati për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, shkruan se “tash për tash ende nuk dihet nëse do të funksionojnë përfundimisht oficerët për ndërlidhje (midis Kosovës e Serbisë), për të cilët janë marrë vesh të dy palët apo e gjithë puna do t’i ngarkohet ekipit për implementimin e marrëveshjes”

Dejan Paviqeviq, të cilin Qeveria e Serbisë e ka emëruar oficer të vetin të ndërlidhjes dhe i cili ka udhëhequr ekipin për negociata në dialogun teknik, i ka thënë kësaj gazete se mbledhjet e grupeve të ekspertëve të të dy palëve asnjëherë s’janë ndërprerë: harmonizimi rreth IBM-së, kadastri, librat amë... Sa u përket oficerëve për ndërlidhje, kanë mbetur të pazgjidhura edhe disa çështje teknike...” – ka deklaruar Paviqeviq.

Ai po ashtu ka përmendur vazhdimin e procesit përmes ekipit aksionar, për zgjidhjen e katër çështjeve kryesore – prefiksi telefonik për Kosovën, statusi i telefonisë fikse e mobile dhe bashkëpunimi i organeve rregullatore rreth ndarjes së frekuencave.

Sipas Paviqeviqit, me insistimin e BE-së çështja e pronësisë së telekomunikacionit në Kosovë, siç e quan ai – të Serbisë, është shtyrë për negociata të mëvonshme. “Por tash për tash më e rëndësishmja është zgjidhja e prefiksit... Në tavolinë momentalisht është oferta që Serbia krahas prefiksit 381 të marrë edhe një – 383, që do t’ia jepte për shfrytëzim institucioneve të përkohshme të Prishtinës”, siç vazhdon Beogradi zyrtar ta quaj shtetin e pavarur e sovran të Kosovës./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›