E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Ki kujdes kokën”, Tritan Shehu: PS po na kërcënon me jetë

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu ka denoncuar kolegët e tij socialistë në Kuvend se po kërcënojnë me jetë deputetët demokratë.

Duke folur nga karrigia e sallës së Kuvendit, Shehu tha se mazhoranca po u mohon praninë në sallë deputetëve të Partisë Demokratike, duke mos i lejuar të hyjnë brenda godinës, ku jashtë është vendosur edhe gardhi metalik nga garda e institucionit.

Ai shtoi se mazhoranca po shkon deri aty sa po kërcënon me jetë deputetët demokratë teksa iu referua një paralajmërimi të mëparshëm të deputetit Braçe kur tha se “deputetët të kenë kujdes kokën”.

“Këtu po mashtrohet, po mashtrohet rëndë. Jashtë janë deputetët që i ndalojnë. Janë deputetët tuaj që i ndalojnë. Janë deputetët tuaj që i kërcënojnë me kokë si Braçe pak më parë, që i tha; kij kujdes kokën! Çfarë janë këto paralajmërime që ndodhin në sallën e Parlamentit. Nuk është e vërtetë që deputetët tanë i ndalon kush nga Partia Demokratike, janë ushtarët që i ndalojnë atje jashtë. Kanë zbatuar të gjitha rregullat e mëparshme, por këtu mashtrohet sepse ju po shkatërroni parlamentarizmin dhe të shkatërroni këtë godinë”, tha Shehu.

Një numër i madh i deputetëve të Partisë Demokratike nuk lejohen në seancat plenare të Kuvendit pasi janë përjashtuar për shkak të dhunës brenda dhe jashtë këtij institucioni nga ana e ligjëvënësve demokratë, të cilët kanë përmbysur dhe djegur karriget në seancat plenare të fundshtatorit. 

Më pas, në fillim të këtij muaji, Sekretariati i Etikës së Kuvendit bëri të ditur se u përjashtuan përkohësisht 24 deputetë të opozitës nga seancat plenare të Kuvendit, për shkak se dogjën karrige para ndërtesës së institucionit.

Sekretariati vendosi që kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, bashkë me sekretarin e përgjithshëm të kësaj partie, Flamur Noka, dhe deputetin Bledion Nallbati, të përjashtohen për 60 ditë nga seancat plenare.

Ndërsa, 20 deputetë të tjerë janë përjashtuar për 40 ditë. Një deputet tjetër është përjashtuar për 10 ditë nga seancat parlamentare.

Vendimi për përjashtimin e tyre u mor pas kërkesës që bënë një grup deputetësh të Partisë Socialiste menjëherë pas seancës së 30 shtatorit, e cila u shoqërua me akte dhune brenda dhe jashtë Kuvendit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›