KiE i hap rruge hetimit te akuzave ndaj Thacit por dhe Shqiperise

Komiteti Parlamentar i Asamblesë së Këshillit të Europës (APKE) për të drejtat e njeriut dhe legjislaturë ka miratuar në Paris projektin e raportit të anëtarit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së nga Zvicra, Dick Marty, me të cilin akuzohet Kryeministri Hashim Thaçi për krime dhe lidhje me grupet kriminale. Komisioni për Çështjet Ligjore në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës ka bërë thirrje për hetime ndërkombëtare dhe rajonale mbi akuzat për zhdukje, trafikim organesh, korrupsion dhe marrëveshje të fshehta ndërmjet grupeve të krimit të organizuar dhe qarqeve politike në Kosovë. Në bazë të projektrezolutës së miratuar dje në Paris, të bazuar në raportin e Dick Marty, komisioni thekson se “kishte një numër të dhënash konkrete dhe konvergjente”, siç shprehen ata, që konfirmonin se serbë dhe shqiptarë ishin burgosur në vende sekrete nën kontrollin e UÇK-së në veri të Shqipërisë. Këta të burgosur, thekson raporti, janë trajtuar në mënyrë çnjerëzore dhe degraduese para se të zhdukeshin. Komisioni thotë se “një numër të dhënash konfirmojnë se menjëherë pas përfundimit të konfliktit të armatosur, organet ishin hequr nga disa të burgosur në një klinikë në territorin shqiptar në afërsi të Fushë-Krujës, me destinacion vende të huaja për transplantim. “Njerëzit ishin rrëmbyer dhe çuar në Shqipëri. EULEX ka një procedurë të hapur për një kamp ku ka pasur burgje sekrete dhe vrasje në Kukës në veri të Shqipërisë. Ka disa burime që dokumentojnë se Shqipëria ishte e shqetësuar nga kjo. Komisioni i bëri thirrje EULEX-it dhe misionit të Bashkimit Europian në Kosovë që ta përqendrojnë punën hetimore te këto krime. Vetë nismëtari i këtij raporti, anëtari i Asamblesë Parlamentare të KiE-së, senatori zviceran Dick Marty, deklaroi se hetimi i tij është shumë serioz dhe se ai ka fakte e prova për akuzat e bëra në raport, duke u kërkuar autoriteteve përkatëse të nisin hetimet, pasi të kenë shqyrtuar me vëmendje raportin e tij. Ai bëri thirrje që t’u jepet rëndësi dëshmive që paraqiten në këtë raport. Marty tha se ka kryer personalisht hetime gati 2-vjeçare, por se në raportin e publikuar nuk ka bërë publike të gjitha të dhënat.
HalitiNë mbledhjen e djeshme të Komitetit të Këshillit të Europës për të drejtat e njeriut, ka marrë pjesë edhe nënkryetari i Parlamentit të Kosovës, Xhavit Haliti, i cili deklaroi se “opinioni publik dhe liderët politikë në Kosovë kanë qëndruar pothuajse njëzëshëm mbi kritikat e këtyre raporteve dhe kanë mohuar të ketë pasur aktivitete të tilla. Raporti i Këshillit Europian, megjithatë, është një çështje plotësisht e ndryshme. Ka qenë një investigim i plotë nga institutet kompetente europiane.
Ne mohojmë akuzat dhe pretendimet e paraqitura në raport. Megjithatë, ne mbështesim Kosovën si shtet Europian dhe e shohim të ardhmen e Kosovës, askund tjetër përveç si anëtare e Bashkimit Europian. Për këtë arsye, ne në PDK i bashkohemi Dick Marty në thirrjen për një hetim kompetent ndërkombëtar mbi pretendimet dhe akuzat e bëra në raportin e Këshillit të Europës. Ne kërkojmë bashkëpunim të plotë të autoriteteve kosovare në një hetim të tillë. Kërkojmë mbështetjen nga Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara dhe shteteve të tjera në këtë përpjekje”.