Topi E ardhmja ime svaret nga ata qe jane kunder meje

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në një intervistë të dhënë në emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla, në “Top Channel”, deklaroi se askush nuk mund t’i bëjë presion në pozicionin që mban. I pashqetësuar, kreu i shtetit shqiptar shprehet edhe për çështjen e rrëzimit të një pjese të madhe të dekreteve nga ana e mazhorancës, duke theksuar se ai “nuk futet në koshiencën ose subkoshiencën e të tjerëve”. Në lidhje me çështjet e drejtësisë Topi thekson se ai është i hapur për të dëgjuar dhe për të ndihmuar në rast se ndaj këtij sistemi ka presione, por thekson se varësia ose jo e gjyqtarëve nga politika ngelet në dorën e tyre. Në lidhje me të ardhmen e tij politike, Topi thekson se ai vetë nuk e ka vendosur ende rikandidimin për President dhe fati i tij politik nuk varet nga ata persona të cilët e kanë diskutuar për të vetëm tre muaj pasi është emëruar në këtë pozicion...
Liberalizimi i vizave, një koment i juaji?
Është, sikurse e thatë ju, një ëndërr e realizuar. Një nga ëndrrat më të bukura. Sigurisht bëhet më e bukur kur kujton se si kemi qenë dhe në çfarë situate izolimi kemi qenë dhe kam parasysh këtu dekada dhe jo vetëm periudhën që kemi jetuar ne, por edhe prindërit tanë. Historitë e izolimit janë histori të shumta, nga më të ndryshmet, të përjetuara në mënyrën më unikale. Kështu që të jesh i lirë do të thotë që të kesh fituar pikërisht shkallën e parë që të jep mundësinë të jesh së pari njeri, së dyti të kesh mundësi të njohësh botën që ti i takon, së treti të rrisësh dimensionet e një qytetari të Shqipërisë. Kemi thënë që jemi fizikisht dhe gjeografikisht pjesë e Europës. Kështu kemi qenë gjithmonë. Sot ndihemi vërtet qytetarë të lirë të një Europe vërtet të lirë.
Ne jemi vend anëtar i NATO-s siç thatë ju, por jemi një vend ku nuk ka një demokraci funksionale. Kemi Kuvend, por s’kemi Parlament të mirëfilltë. Kemi Kryetare Kuvendi dhe një administratë të politizuar dhe këto nuk i them unë, por i thotë opinioni i shprehur nga Bashkimi Europian pas kërkesës sonë për të marrë statusin e vendit kandidat.
Ne e kemi parë, e kemi studiuar dhe është një pikë referimi e punës së përditshme i gjithë raporti i Komisionit Europian, ku çdo institucion, çdo parti politike gjen veten e vet, sepse e kemi vlerësuar qëndrimin e Komisionit Europian si një qëndrim objektiv mjaft realist, mjaft profesional. Është e domosdoshme që çdo njeri, i cili është në një pozicion të caktuar, çdo parti politike duhet patjetër që ta studiojë në mënyrë të vazhdueshme, sepse gjërat edhe kur duhen të rikuperohen, kur duhen të përmirësohen nuk mund të përmirësohen brenda ditës. Këto janë çështje që kanë të bëjnë me formimin dhe me pozicionimin e çdo faktori, patjetër edhe me komunikimin. Është e pamundur që gjërat të realizohen mirë në rast se nuk ka dialog, nuk ka komunikim, nuk ka një lloj predispozicioni për t’i zgjidhur gjërat, sidomos kur klima apo spektri politik në Shqipëri ka pësuar ndryshime të rëndësishme, veçanërisht pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008. Keni dëgjuar ju të diskutohet më për tryeza të partive politike? Gjithmonë përdoret, ose më mirë përdorej. Tani është gati-gati e pamundur dhe e panevojshme, sepse spektri politik është koncentruar, partitë politike të vogla sot janë pjesë e formacioneve të mëdha politike, kështu që kur bëhet fjalë, bëhet fjalë për të diskutuar për përfaqësuesit kryesorë të mazhorancës dhe opozitës. Nëse do të duhet të ulen, nëse do të duhet të ndajnë opinion, nëse do të duhet të arrijnë një produkt. Pra e parë nga pikëpamja e një studimi politik do të thosha që gjërat edhe në këtë sens kanë ndryshuar në Shqipëri. Kjo ka bërë të nevojshme që partitë politike kryesore patjetër të strukturohen në mënyrë të tillë për të kuptuar që pa një bashkëpunim, gjërat do të mbeten në mes. Kur janë dy individë, këtë e them në të gjitha komunikimet parimore që ndodhin në jetën e përditshme. Në rast se janë dy individë, mjafton njëri të mos jetë dakord, atëherë gjërat mbeten të parealizuara.
Megjithatë në Parlamentin shqiptar ka ndodhur edhe më keq se kaq. Po marr një shembull shumë konkret, atë të votimit të ligjit për pronat kur nga deputetë të vetë mazhorancës ka pasur reklamime, siç është zoti Oketa, reklamime të hapura për një votim, le të themi, të manipuluar. Pra shkon më tutje se kaq. Duket se ky sistem po prodhon mosfunksionalitet të institucioneve të rëndësishme, siç është vetë Kuvendi.
Sistemet janë të provuara. Unë nuk e shikoj defektin te sistemet…
Atëherë ka ose sisteme të gabuara, ose fajin e kanë individët që e zbatojnë…
Mendoj se është një lloj interpretimi i sistemit. Çdo individ ka përgjegjësinë e vet. Unë nuk dëshiroj të futem në komente, të cilat s’më takojnë t’i bëj, por nëse bëj një vlerësim.
Duhet t’i mbetet dikujt përgjegjësia, gafa politike apo jo?
Po natyrisht.
S’mund të ketë faj jetim në rast të tillë.
Parlamenti funksionon mbi bazën e rregullave specifike për Parlamentin. Ju siguroj që sot këtu mund të flas më shumë për Parlamentin, nga eksperienca, sesa për Presidencën.
Si e shikoni “krizën e dekreteve” që vazhdon midis institucionit të Presidentit dhe shumicës?
Së pari, duhet të kuptoni dhe besoj se e keni kuptuar që nuk ka shans që dikush apo shumëkush të ushtrojë presion larg ushtrimit të funksionit të Presidentit të Republikës.
Ndoshta nuk ka shans që ju t’i dorëzoheni këtij presioni, por që dikush mund të ushtrojë presion?
Së paku, përderisa Presidenti i Republikës është i motivuar të kryejë funksionin e tij kushtetues dhe ligjet që përcaktojnë gjithë mënyrën e sjelljes së tij, çdo presion që mund të bëhet është i paperceptueshëm nga Presidenti. Kjo ka qenë arsyeja që unë kam bërë dallimin midis sjelljes sime politike dhe institucionale. Ju vetë e keni parë që mund të kem qenë shumë pasionant për të diskutuar tema politike dhe kam qenë shumë i ftohtë në vendimmarrjet institucionale, por kam thënë që sipas Kushtetutës çdo institucion mundet, përderisa i është dhënë kjo e drejtë për të gjykuar dhe nuk kam bërë komente e interpretime, por kur diçka futet në një rrjetë kronike, pastaj nuk është domosdoshmëri ta thotë Presidenti i Republikës. Atë e gjykojnë njerëzit, e gjykon politika, e gjykon media, e gjykojnë ndërkombëtarët dhe, nga ky këndvështrim, përderisa unë thashë që, me të tërë elementet e veta, raporti i Komisionit Europian është realist dhe objektiv, gjej edhe përcaktimin që është bërë për rastin konkret.
Megjithatë është e rëndësishme ta dëgjojmë nga ju për shembull drejtpërdrejt. Cilat kanë qenë arsyet që u refuzuan kaq shumë, në mënyrë sistematike kandidaturat e gjyqtarëve apo u përzgjodhën ....?
Nuk futem as në konshiencën dhe as në subkonshiencën e të tjerëve.
Zoti President, t’ju kujtoj një çast tjetër të vështirë: në muajin gusht ju u akuzuat nga shumica se shkelët Kushtetutën për tejkalim të qëllimshëm të afateve të zgjedhjes së kreut të Gjykatës Kushtetuese. Si e pritët këtë akuzë?
Përderisa isha në ndërgjegje të plotë, që gjithçka ishte sipas Kushtetutës, nuk bëri ndonjë efekt kjo akuzë. Pak muaj më vonë po kjo shumicë tenton të bëjë të njëjtën gjë për mandatin e disa anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Edhe njëherë, tani është një raport, është një marrëdhënie që shkon midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Gjykatës Kushtetuese. Shpeshherë kam dëgjuar shumë njerëz që të shprehen se Presidenti i Republikës është garanti i Kushtetutës. Për definicion, garant i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë është Gjykata Kushtetuese, por në mënyrë individuale, institucionale, çdo individ që është në një karrige të rëndësishme, është garant i kësaj Kushtetute, sepse ai duhet të garantojë që brenda ushtrimit të veprimtarisë së tij, duhet të jetë konform Kushtetutës, por për çështje që kanë të bëjnë me interpretimin e Kushtetutës, me vlerësimin final të së drejtës për t’u konsideruar kushtetuese është Gjykata Kushtetuese. Fakti që ka shkuar në një komunikim të tillë, le të presin vendimin e këtij institucioni.
Shumë vetë janë pak skeptikë, zoti President, kur panë se kryetari i Gjykatës Kushtetuese daljen e tij të parë publike e bëri kur shkoi në zyrën e Kryeministrit.
Mos e keqinterpretoni, sepse detyra e medias është që ta trajtojë realisht.
Po kjo pyetje ishte...
Atë e ka thënë vetë kryetari i Gjykatës Kushtetuese. Ju mendoni se njerëzit nuk do të komunikojnë?
Le të komunikojnë, por ai shkoi te Kryeministri.
Natyrisht, që do të shkojë nëse ka nevojë për buxhet, për konsolidim të strukturës, ka nevojë për mjedise dhe patjetër, kur e kërkon nevoja, do të shkojë të komunikojë me të. E rëndësishme është që të mos paragjykohet qëndrimi i tij, i moralit të tij dhe i pozicionit si kryetar i Gjykatës Kushtetuese. Duhet që gjërat të kuptohen ashtu siç janë. Nuk ka mbetur për të dëshmuar se ka shkuar në zyrë, për të nënkuptuar se ai person do t’i nënshtrohet vullnetit të shumicës, se është gabim. Ne po themi se sot njerëzit duhet të jenë pa asnjë lloj kompleksi që të takohen me njëri-tjetrin. Ende do t’i kemi këto reminishenca nga ajo periudhë: “Shiko se ai ka dalë nga burgu e mos e takoni!!!”, “Shiko, se ai është me atë qëndrim politik dhe mos e takoni!!!”. Shoqëria jonë dhe, sidomos politika, duhet të çlirohet nga kjo mënyrë e vlerësimit të gjërave. “Ky gazetar qëndron pranë atij.” E rëndësishme është sesi do të qëndrojë në kohë vlerësimi për politikanin, për gazetarin. Se kë takon, e si e takon, është nevojë dhe domosdoshmëri qytetare e ditës; njerëzit duhet të takohen me të gjithë, pa asnjë lloj paragjykimi. Mund të rrihet për të pirë një kafe, mund të konsumohet një drekë. Do t’i quaja jashtëzakonisht primitivë të gjithë ata që duke parë dy politikanë që mund të jenë të partive të ndryshme së bashku, i bëjnë objekte pa fund të gazetave, të anatemimeve, bëjnë vlerësime, ndoshta pastaj edhe të porositura për të denigruar iksin apo ipsilonin. Në rast se njeriu nuk është i lirë të takojë cilido që dëshiron të takojë, qoftë edhe për një arsye të një sjelljeje qytetare, atëherë ç’vlerë ka marrja me politikë? Çfarë besimi jep për atë tjetrin kur njerëzit shkojnë në politikë për t’u futur në llogore? Kjo është politika më primitive e mundshme.
Tani po përfundon viti 2010 dhe unë dua të them që njeriu duhet të jetë i lirë, sepse në këtë mënyrë ai ndihet mirë, pastaj të gjitha gjërat e tjera janë në funksion të lirisë së individit. Në qoftë se ti bën hapa për të qenë i skllavëruar, atëherë është një çështje që është zgjedhur gabim.
Ç’mund të na thoni për sistemin e drejtësisë dhe presionet që mund të ushtohen?
Sot, nëse një gjyqtar dëshiron të jetë i pavarur, mund të jetë i pavarur. Në rast se ai dëshiron të jetë i varur, dëshiron që për interesat e tij të jetë i lidhur diku për një interes të caktuar, është një çështje që ka të bëjë absolutisht me strukturën dhe integritetin moral të gjyqtarit. Sot unë nuk shoh arsye për të thënë që gjyqësori, apo prokuroria kanë presion nga dikush. Këto janë tema aq të debatuara, aq të hapura në publik, saqë ne do e kishim aq zë për të thënë: “Shiko se po bëhet një presion nga dikush”. Sot unë e shikoj më shumë si një mungesë të gatishmërisë, flas jo të sistemit, por të ndonjë individi që kërkon të thotë: “Shiko jam i detyruar, sepse më ka marrë filani në telefon”, “Jam i detyruar, sepse prapa kësaj çështjeje është filani”. T’i kthehemi retrospektivës. Në një mbledhje të Këshillit të Lartë të Drejtësisë më shumë se një vit përpara kam bërë një thirrje publike për cilindo, për çdo qytetar, i cili duhet të përballet në prokurori, ose gjykata. Nëse konstatohet që pas një çështjeje aludohet për dikë, duhet patjetër që ai të bëhet prezent. Kam hapur kanalin e komunikimit të Presidentit për cilindo, i cili mund të aludojë, mund të ketë dëgjuar që përmendet emri, duke filluar që nga emri i Presidentit. Dhe, të jeni i sigurt që në momentin e parë pas verifikimit sigurisht, do të ketë shembuj të drejtpërdrejtë të penaliteteve që lidhen me njerëzit që shfrytëzojnë në sfond figurën e x-it apo të y-it. Ky është një vend i vogël, një vend i cili ka nevojë patjetër që të ketë drejtësi, një vend tek i cili merret vesh gjithçka që ndodh. Njerëzit duhet të jenë kurajozë nëse prapa petkut të një gjyqtari, të një prokurori vjen për koracë, për mburojë një x emër i cilitdo, duhet të kenë kurajë ta deklarojnë në mënyrë institucionale, zyrtare. Natyrisht që fjalë mund të ketë në mjedis, por natyrisht që gjërat duhet të kanalizohen në rrugë zyrtare. Ju e dini po ashtu mirë që mjaft raste kanë kaluar nga KLD-ja, kur gjyqtarët kanë pasur probleme në ushtrimin e detyrës së tyre dhe janë penalizuar. Tjetër gjë që kalojnë në hallka të tjera. Unë respektoj si President të gjithë të drejtën që ka edhe Gjykata e Lartë për të verifikuar çështjen. Ky është një nga shembujt që tregon se ekziston një pavarësi e plotë e sistemit gjyqësor, kur Gjykata e Lartë nuk ka një rast e dy, por ka disa raste, hedh poshtë vendimin kolegjial të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, aty ku është dhe Presidenti i Republikës.
A jeni i kënaqur ju zoti President nga puna e Prokurorisë së Përgjithshme dhe nga mënyra se si ajo ka operuar, sidomos në këtë vit?
Prokurori i Përgjithshëm propozohet nga Presidenti, miratohet nga Kuvendi dhe t’ju bëj një pyetje që do e përdor për të kuptuar që është ndryshe nga ç’mendoni ju. Ku raporton institucioni i Prokurorit të Përgjithshëm? Raporton te Presidenti, apo raporton te Kuvendi?
Raporton te Kuvendi i Shqipërisë.
Atëherë, përgjigjen për performancën e institucionit duhet ta gjeni pikërisht te parlamentarët, ata që monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme punën e institucionit të Prokurorisë.
Zoti Topi, kështu siç qëndrojnë punët sot kjo mazhorancë mund t’ju rikandidojë?
Fakti është që Presidenca vërtet ka kaluar më shumë se gjysmën. Unë ushtroj veprimtarinë time. Unë nuk jam mësuar që perspektivën e jetës sime të shkoj që ta certifikoj pikërisht te këta njerëz që kanë diskutuar fatin politik edhe tre muaj pas momentit të zgjedhjes sime si President, sepse fati politik është një përzgjedhje, në radhë të parë e koshiencës individuale. Mënyra se si sillet institucioni me institucione të tjera nuk është thjesht duke parashikuar, apo duke i bërë parashikimet e gjërave se çfarë do të ndodhë pas vitit 2012. Çështja është që çdo individ merr notën për mënyrën se si interpreton institucionin, rolin në institucion gjatë periudhës së ushtrimit të funksionit të tij. Gjërat do i lëmë në rrjedhën e vet natyrale. Do kemi rast për të diskutuar bashkë, edhe për të parashikuar pastaj lëvizjet e mëtejshme të individit që sot është në atë pozicion. Por, nuk më është dukur normale që në mënyrë të vazhdueshme të bëhen gjithnjë aludime se cili do të jetë pozicioni i Presidentit aktual. Është një çështje që ka të bëjë në mënyrë ekskluzive me personin që po flet këtu dhe këtë nuk kam dashur ta ndaj dhe nuk do ta ndaj asnjëherë me askënd, aq më shumë në një emision televiziv.