Brukseli inkurajon kufitaret greke
Ndërsa Greqia thuajse e ka mbyllur për shqiptarët pikën më të madhe të kalimit kufitar mes dy vendeve, nga Brukseli vijnë mesazhe që inkurajojnë policët arrogantë të shtetit fqinj dhe zhgënjejnë edhe më tepër qytetarët shqiptarë.
Drejtori për Ballkanin në Komisionin Europian, Pierre Mirel, në një intervistë për “Top Channel” ka treguar pasojat që vijnë nga abuzimi me heqjen e vizave dhe se gjithë shtetasit shqiptarë që kërkojnë të udhëtojnë në hapësirën Shengen duhet të plotësojnë disa kushte.
“Nëse do të abuzohet me detyrimet, kjo mund të lindë idenë te disa vende anëtare “që në fund të fundit, nuk e bëmë mirë me këtë liberalizim”. Ndaj është e rëndësishme që kushtet të respektohen. Kështu të gjithë qytetarët të mund të përfitojnë nga ky sistem, në mënyrë që të mos ketë rrezik ndonjë ditë e që disa vende anëtare të thonë ‘Jo, duhet ta pezullojmë’. Ndaj ne do ta monitorojmë këtë çështje. Do shohim sesi kushtet që çuan drejt marrjes së këtij vendimi, do të respektohen”, është shprehur Mirel. Ndërkohë, ai ka sqaruar se njerëzit mund të bllokohen në aeroporte, sepse duhet të plotësojnë disa kushte. “Ka kushte, e do të pyeteni nëse ju i keni të ardhurat për të qëndruar në vendin ku po shkoni. Pra, ekziston kjo mundësi. Ndaj, fushata e nisur tani është e rëndësishme për të parandaluar të tilla rreziqe”, ka sqaruar Mirel.
Ndërkaq, për çështjen e anëtarësimit për në BE, diplomati europian është shprehur se: “Varet nga Shqipëria dhe Parlamenti e qeveria të cilët duhet të punojnë fort për të siguruar se kushtet do të përmbushen. Topi është në fushën e Shqipërisë, siç është në fushën e Malit të Zi e siç do të jetë në atë të Serbisë vitin e ardhshëm, kur ne do të japim opinionin tonë”. Ndërkaq, zyrtarët e Komisionit Europian që vizituan Tiranën shpeshherë gjatë procesit të liberalizimit të vizave pritën në shtëpinë e tyre, 50 qytetarët shqiptarë, të shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Basha. Përfaqësuesi i presidencës belge, Melchior Watelet, tregoi që në fillim se “heqja e vizave është një provë, një konfidencë që u është ofruar shqiptarëve”.
Pasi tregoi një aventurë personale që ka hasur në veri të Shqipërisë, edhe Luigi Soreca, shefi i njësisë në Drejtorinë e Përgjithshme për Çështjet e Brendshme, bëri të njëjtën lidhje mes çështjes së vizave e zgjerimit. “Shumicës prej tyre u thashë: Hajdeni në Europë, por kthehuni në Shqipëri”, tha Soreca.
Sjellja e kufitarëve grekë të rajonit të Epirit dhe deklaratat e zyrtarëve të Brukselit tregojnë se, pavarësisht entuziazmit të politikës, heqja e vizave nuk solli atë që pritej.