E Shtunë, 31 Tetor 2026

KiE për trafikun: Më tepër punë për të luftuar paragjykimet

Këshilli i Europës nëpërmjet një raporti të grupit të ekspertëve mbi masat kundër trafikimit të qenieve njerëzore, i njohur si GRETA ka publikuar raportin e parë të vlerësimit për Shqipërinë.

Në këtë raport thuhet se autoritetet shqiptare duhet të kushtojnë vëmendje në rritje për problemin e trafikimit në Shqipëri, pasi ai është në rritje.

Më tej theksohet se në vendin tonë ka pasur fushata të shumta për rritjen e ndërgjegjësimit, ndërsa më shumë të tjera duhet të bëhen për të luftuar stereotipet dhe paragjykimet ndaj grupeve të margjinalizuara, të cilat nxisin trafikimin dhe parandalojnë riintegrimin e viktimave.

Gjithashtu në raportin e KiE, vihen në dukje masat e rëndësishme të marra nga autoritetet shqiptare për të parandaluar dhe luftuar trafikimin e qënieve njerëzore.

Gjithashtu, u kërkohet autoriteteve shqiptare të shtojnë hapat e ndërmarrë për të nxitur arsimim dhe punësim për anëtarët e grupeve vulnerabël ndaj trafikimit.

Sipas këtij raporti, vëmendje e posaçme duhet t`i kushtohet përmirësimit të bashkëpunimit me vendet e destinacionit në lidhje me riatdhesimin e viktimave.

Përveç kësaj, GRETA u kërkon autoriteteve shqiptare që të forcojnë masat për mbrojtjen e viktimave të trafikimit, duke marrë në konsideratë situatën e veçantë të viktima fëmijëve, pavarësisht nëse ato kanë rënë dakord apo jo që të marrin pjesë në procedurat gjyqësore.

Krahas të tjerave në raportin e KiE kërkohet nga autoritetet që të ndërmarrin hapa për t`u siguruar që legjislacioni në lidhje me konfiskimin e të ardhurave nga veprat penale të trafikimit të zbatohet dhe se viktimat e trafikimit mund të ushtrojnë të drejtën e tyre për kompensim.

Mësohet se një draft i parë konfidencial i raportit iu dërgua autoriteteve shqiptare dhe komentet e tyre janë marrë parasysh në raportin përfundimtar të vlerësimit të miratuar nga GRETA.
 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›