Kiço Fotiadhi Medalje e artë për një zë të lartë
Medalje e artë për ikonën e radios dhe të televizionit Kiço Fotiadhi
Kleo Lati

Kico Fotiadhi
Dhërmiu, ky vend i mrekullueshëm, i mahnitshëm, perlë e bukurisë natyrore shqiptare, por edhe perlë e historisë dhe e kulturës së saj. Një fshat me përmasat e një qyteti. Vendosur në këmbët e Akrokeraunëve, mbi supet e kodrave, të cilat diku bien butë dhe diku bien si thikë mbi valët e bekuara të Jonit shkëlqimtar. Vendosur aty si prej dorës së vetë Zotit, apo të fatit, (Dhërmiu është me fat që Zoti e vendosi aty, apo vetë Zoti është fatlum që nga qielli lart në Akrokeraune, vështron tej e tej Dhërmiun mahnitës?), në një shtrirje të gjerë, sa edhe syri nuk e rrok njëherësh të gjithin, deri ku tokat e tij puthen me brigjet e mahnitshme detare, që bartin me vete histori, mite, legjenda, nga ato më të pabesueshmet, por edhe njerëz dhe histori reale që duket sikur janë vazhdim i miteve.
Në këtë vend të bekuar lindi Kiço Fotiadhi. Njeriu që identifikohet menjëherë prej dy gjërave: zërit dhe fytyrës.
Një zë i rrallë, që fillimisht ka buçitur përmes valëve të Radio Tiranës përpara më shumë se gjysmë shekulli, por edhe një fytyrë e dashur e ekranit të televizionit. Zëri dhe fytyra e tij janë pjesë e vyer e suksesit dhe e krenarisë së Radios dhe Televizionit Shqiptar. Lidhja mes tyre dhe Kico Fotiadhit është e pandarë, ashtu si jetët e dy njerëzve që nuk mund ta kuptojnë lumturinë e vet pa njëri-tjetrin.
Këtë e ndien edhe kur bisedon me Kiço Fotiadhin. Sa herë ndodh që ulem dhe bisedoj me të, më mrekullon fakti që edhe kur ai tregon për gjëra personale nga jeta e vet, i lidh ato pashmangshmërisht me radion dhe televizionin, ashtu sikurse kur bie fjala për radion dhe televizionin, në rrëfimet e tij të ndjera dhe pasionante hyjnë natyrshëm edhe fragmente nga jeta e tij.
Një lidhje e bukur, e çmuar, që nuk është ndërprerë as sot, kur zëri i Fotiadhit nuk dëgjohet më në radio dhe fytyra e tij nuk shfaqet më në ekran. Por kjo, në fakt, nuk ndryshon asgjë.
Kiço Fotiadhi është aty, në historinë e radios dhe të televizionit. Si një pikë referimi. Si një përvojë e vyer dhe si një shkollë. Të krijosh një përvojë në përmasat e një shkolle është diçka unikale. Po të bisedosh me specialistë të radios dhe të televizionit sot, ata të thonë se folësi i talentuar Kiço Fotiadhi e ka krijuar një shkollë të tillë. Nuk është pak një vlerësim i tillë. Është, madje, shumë. Flet për atë kontribut dhe përvojë të vyer që ky njeri i ka dhënë radios dhe televizionit për më shumë se dyzet vjet.
Në jetë njeriu nuk nderohet për atë që ka marrë. Gjithnjë nderimi është për atë që ai ka dhënë. Pikërisht për këtë kontribut të madh, sot vjen edhe nderimi që Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i bën Kiço Fotiadhit, me dhënien e medaljes Naim Frashëri i Artë. Një vlerësim i lartë, që shpreh mirënjohjen për atë që ky njeri i ka dhënë shoqërisë. Vlera e një shoqërie matet, veç të tjerash, edhe nga kujdesi dhe vëmendja që ajo tregon ndaj individit.
Qysh në adoleshencë, tek dëgjoja zërin buçitës dhe të ëmbël të Kiço Fotiadhit në radio apo në televizor, nuk e di pse në përfytyrimin tim bëheshin një buçitja e dallgëve të Jonit tek rrihnin shkëmbinjtë e brigjeve dhërmiase, erërat me piskamë që duket se zbrisnin prej Akrokerauneve dhe në vrapin e tyre teposhtë Dhërmiut merrnin fuqinë e perëndive dhe lëshonin kumte të çuditshme. Dhe ajo që më magjepste akoma më shumë, sa herë dëgjoja zërin e këtij spikeri të rrallë, ishte se, njëherësh, më dukej se tek ai zë ngjisheshin edhe ëmbëlsia dhe shushurima përkëdhelëse e valëve lozonjare të Jonit, edhe puhiza dhe freskia përtëritëse e ajrit të mbushur me jod deti.
Erërat, që në Dhërmi ngjajnë me muzikë të çuditshme, duket sikur zbresin nga qielli dhe rendin tutje, përzihen me detin dhe pastaj deti i kthen sërish këto zhurma melodish, përmes zhaurimës dhe buçitjes së dallgëve që përplasen në breg, duke bërë që jehona e tyre të ngjitet sipër, të përshkojë grykat dhe shpatet e fshatit, të hyjë në çdo oborr shtëpie dhe pastaj të ngjitet akoma më lart, drejt malit, drejt qiellit, andej edhe nga ka zbritur.
Bisedoj me Kiço Fotiadhin për jetën e tij, dhe biseda për Dhërmiun vjen aq natyrshëm. Ai flet me një emocion djaloshar për figurat e shquara të këtij fshati, të cilin e quan kryeqyteti i fshatrave të Shqipërisë, me një adhurim për pleqtë e dikurshëm, të arsimuar dhe me kulturë jete të fituar nga emigrimet në Francë, Itali, Greqi, Amerikë. Tregon se në kujtesën time, edhe pse isha fëmijë i vogël, janë të fiksuara përjetësisht të gjalla pamjet e atyre pleqve të urtë dhe të mençur, tek mblidheshin çdo mbrëmje te Potami, shumica e tyre të veshur me kapele republike, me papijon, ata mbanin bastunë me koka banozi dhe tespihe të fildishta. Të dëgjoje ata tek bisedonin me njëri-tjetrin, të dukej vetja sikur ishe në një teatër. Flisnin bukur dhe me fjalë të mençura. Qetësia dhe urtia e tyre më kanë mahnitur jo vetëm atëherë kur isha fëmijë, por edhe tani. Ata pleq rrezatonin kulturë në gjithçka.
Biseda vjen natyrshëm edhe te një emër i shquar me rrënjë në Dhërmi, Petro Marko. Ky njeri i madh, kolos i letërsisë shqipe, për mua shkrimtar i përmasave europiane, (preferoj ta quaj edhe Hemingueji shqiptar) e lartëson akoma më shumë emrin e Dhërmiut, ashtu sikurse edhe Dhërmiu ia lartëson emrin atij. Fotiadhi flet me admirim për shkrimtarin e shquar, të cilin e ka njohur shumë mirë nga afër. Ai ishte jo vetëm një talent i madh, por edhe një burrë i bukur. Të imponohej me fuqinë e talentit, por edhe me bukurinë e shtatit.
Kiço Fotiadhi tregon se me krijimtarinë letrare të Petro Markos jam njohur qëkur isha fëmijë. Në shtëpinë tonë kishte shumë libra dhe revista të kohës. Ne, fëmijëve të tij, babai na la trashëgim më shumë libra sesa rrënjë ullinjsh dhe portokajsh. Te disa revista letrare të viteve 30-të, unë kam lexuar për herë të parë krijime letrare të Petro Markos, Nonda Bulkës, Aleks Cacit.
Ky rrëfim i Kiço Fotiadhit më mrekullon, ashtu sikurse edhe më drithëron. Më mrekullon për dashurinë për dijen dhe kulturën që babai i tij, mësuesi i talentuar dhe shumë i respektuar jo vetëm në jug, por edhe në veri të vendit, u transmetonte fëmijëve të vet. Më drithëron ngaqë unë e njoh faktin e dhimbshëm të jetës së Kiços, i cili mbeti jetim kur ende nuk kishte mbushur 9 vjeç. Babai i tij, mësuesi i talentuar, Piro Fotiadhi, një metodist i shkëlqyer, siç kam dëgjuar të flitet për të nga ata që e kanë njohur, u nda përgjithmonë nga kjo jetë kur ishte vetëm dyzetë vjeç. Nxënës i njeriut të ditur dhe patriotit të shquar, Jani Minga, mësues i qindra e mijëra fëmijëve që më pas do bëheshin njerëz të shquar të fushave të ndryshme, si mësues, ekonomistë, mjekë, diplomatë (njëri prej tyre edhe ministër i Jashtëm i vendit, Reis Malile), që kujtohet me respekt jo vetëm në Vlorë dhe në Dhërmi, ku lindi, por edhe në Lezhë ku vdiq. Mbylli sytë kur punonte me aq pasion si drejtor i shkollës Hydajet Lezha në qytetin me emër në historinë e kombit tonë, në Lezhë. Dhërmiasi Piro Fotiadhi u mësonte me një pasion të veçantë fëmijëve lezhjanë gjuhën e bukur shqipe dhe u përcillte atyre dije dhe kulturë.
