E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kielini: Ndaj Makabit si ndaj Realit

Në të njëjtën periudhë të një viti më parë Juventusi përgatitej për t’u përballur me Realin e Madridit në ndeshjet për Ligën e Kampionëve. Dy ndeshje njëra pas tjetrës që u vendosën nga golat e Aleks Del Pieros, të cilët i dhanë fund krizës së Juventusit.

Sot, ekipi italian, pa kapitenin Del Piero, mendon për sfidën me Makabi Haifan. Kundërshtari natyrisht që është i një niveli më të ulët në krahasim me “Galaktikët”, por megjithatë bëhet fjalë për një ndeshje tepër delikate për ecurinë e bardhezinjve në Europë. Fitorja në Ligën e Kampionëve mungon që prej 19 shtatorit të vitit të kaluar. Kohë e gjatë për një skuadër që ka gjithmonë synimin të fitojë.

“Një vit më parë ishim pothuajse në të njëjtën situatë – tregon Xhorxho Kielini për “juventus.com” -. Në kampionat gjërat nuk shkonin mirë, kishim humbur dy ndeshje dhe ishim shumë poshtë në klasifikim. Pa përmendur dëmtimet e shumta”. Dhe më tej shton: “Fitorja me Realin ishte një kthesë për ne, sepse menjëherë pas saj erdhën të tjerat. Kjo duhet ë ndodhë edhe kësaj here”.

Pas dy barazimeve kundër Bordosë dhe Bajernit, Juventusi duhet të marrë patjetër tri pikët në këtë ndeshje, për të shpresuar në kalimin e grupit dhe Kielini ka besim tek forca e grupit.

“Të mërkurën duhet të luajmë me të njëjtin intensitet që u pa në fushë një vit më parë kundër Realit. Jo vetëm kjo ndeshje, por edhe ajo e kthimit në Tel-Aviv duhet të fitohen patjetër, për të qenë më të qetë në ndeshjet e fundit në grup. Nuk e njohim shumë kundërshtarin, personalisht njoh vetëm sulmuesin Dvalishvili, me të cilin u ndesha para një muaji me Kombëtaren kundër Gjeorgjisë. Është një skuadër për t’u respektuar, edhe për atë që ka bërë kundër Bajernit dhe Bordosë, ku u mund vetëm në minutat e fundit”, përfundoi mbrojtësi juventin.



                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›