E Enjte, 5 Nëntor 2026

Kiev/ Rama: Rindërtojmë një bllok banesash në Irpin! Zelensky: S’jemi rivalë në rrugën drejt BE

Nga Kievi, kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se vendet e Ballkanit Perëndimor do të rindërtojnë secili nga një bllok banesash për banorët në Irpin, sot i shkatërruar nga bombardimet ruse.

Në konferencën e përbashkët me shtyp me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, Rama tha se një gjë e tillë do të bëhet në mënyrë “ballkanase”, pa shumë procedura.  

“Jam i lumtur që ratë dakord me propozimin tonë për të bashkuar përpjekjet për të ndërtuar një bllok secili prej vendeve ndërtesën e tij për familjet e Irpinit. E di që BE dhe shumë të tjerë janë pjesë e kësaj përpjekje, pro le ta bëjmë në mënyrë Ballkanike, pa shumë burokraci dhe të jemi të parët që e bëjmë këtë. Shprehim mbështetjen e plotë të idesë dhe kërkesës suaj që BE t’i japi Ukrainës statusin e vendit kandidat. Jemi të lumtur t’i bashkojmë emrat tanë me tuajin në këtë deklaratë të përbashkët. Nuk duam të spekulojmë që BE nuk e ka mbajtur fjalën me ne dhe pse duhet të bëjnë diçka tani për Ukrainën. Ne nuk jemi të kënaqur me BE, por jemi të angazhuar për rrugëtimin europian për brezat e ardhshëm. E kuptojmë këtë dëshirë të Ukrainës për të marrë statusin e vendit kandidat dhe nga ana jonë keni mbështetje të plotë nga ne”, tha Rama.

Po ashtu ai shtoi se Shqipëria, si vend anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, do të ngrejë zërin për shqetësimet e Ukrainës.

“Jam krenar të ndaj me ju që Shqipëria si anëtare jo e përhershme në Këshillin e  Sigurimit është e privilegjuar t’i japë zë rreth asaj tryeze shqetësimeve dhe kërkesave të popullit ukrainas për një paqe të drejtë”, u shpreh Rama.

Nga ana tjetër, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky e vuri theksin te çështja e integrimit në BE, ku tha se vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Ukraina, e meritojnë të jenë pjesë e unionit.

“Sot pritëm një takim shumë të rëndësishëm, praktikisht një samit të Ukrainës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, me kreun e qeverisë shqiptare dhe kreun e Malit të Zi. Ky takim është dëshmi e mbështetjes për Ukrainë nga na e kryeministrave dhe popujve të vendeve të tyre, për integritetin territorial të Ukrainës. Ne ramë dakord se një përgjigje taktike kundër agresionit rus duhet të jetë një mbështetje më e intensifikuar ndaj Ukrainës dhe më e shpejtë, sidomos në armatime. Paketa e shtatë e sanksioneve kundër Rusisë duhet të jetë edhe më e fortë. Në BE duhet të kalojmë ndasitë. Ukraina, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut duhet të bëhen anëtarë me të drejta të plota të BE. Vendet tona nuk janë rivalë në këtë rrugëtim”, tha ai.

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç ka bërë thirrje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, ndërsa shprehu mbështetjen e vendit të tij për rindërtimin e Ukrainës pas përfundimit të agresionit rus.

“Lufta të ndalet, çdo gjë tjetër është më pak e rëndësishme. Duhet të gjejmë një rrugë për të ndaluar shkatërrimet masive, vrasjet e njerëzve. Do keni mbështetje të plotë për rindërtimin. Ne jemi vende të vogla, por keni mbështetjen tonë, do japim kontributin tonë. Ne shpresojmë që kjo vizitë, ky samit i 3 kryeministrave nga Ballkani Perëndimor, është një mesazh i fortë për vendet e BE-së, për partneret e BE-së që kanë mundësi reale për të bërë më shumë se ne. Duhet të jemi në të njëjtën gjatësi vale. Ajo çfarë keni bërë deri më tani është e pabesueshme”, tha ai.

Gjatë kësaj vizite në Ukrainë, Rama dhe Abazoviç kanë vizituar edhe  zonat e bombarduara të Borodyanka dhe Irpin. Rama dhe Abazoviç u nisën mbrëmjen e djeshme drejt Kievit, ndërsa kjo është vizita e parë e kreut të qeverisë shqiptare në Ukrainë, që prej nisjes së luftës. Shqipëria ka shprehur mbështetjen e saj ndaj Ukrainës, ndërsa i është bashkuar edhe sanksioneve të BE kundër Rusisë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›