Këshilli Kombëtar i Integrimit, Tabaku: Administrata publike është dyfishuar! Ahmetaj: Punësimet sipas vlerësimit

Është mbajtur sot mbledhja e Këshillit Kombëtar të Integrimit, për diskutimin e reformës së administratës publike dhe procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Në fjalën e saj, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi se raporti i OSBE-ODIHR ngre shqetësime për punësimin gjatë fushatës elektrorale dhe sipas saj, shifrat e dhëna janë shqetësuese.
“Sot korrupsioni nuk është korrupsion banaqesh. Nuk luftohet me konferenca. Janë punësuar 10 mijë persona gjatë tremujorit të fundit të 2021. Pavarësia politike, punësimi me meritë, përgatitja dhe trajnimi mbeten ende sfidë e vendit. Administrata është dyfishuar dhe në kushtet e buxhetit kjo shifër është shqetësues. Raporti i OSBE-ODIHR ngre shqetësime për punësimin gjatë fushtës elektorale si dhe me përdorimin e aseteve publike. Trajnimi i administratës publike mbetet problematik për procesin e integrimit. Raporti i progresit të KE për administratën publike, theksohet nevoja e forcimit të administratës publike, në kuadër të procesit të anëtarësimit”, tha Tabaku.
Ndërsa zv.Kryeministri Arben Ahmetaj deklaroi se ligji për administratën publike është i detajuar dhe sipas tij administrata sot është shumë larg politizimit. “Në 2014 është votuar ligji i administratës publike qe ka konsoliduar të gjithë praktikën. Sot përveçse kemi një ligj të detajuar. Që nga mënyra se si merren në punë, si vlerësohen, një ligj organik që është me mbi 84 vota, praktikisht sot administrata është ndryshe dhe është e pamundur të futësh sot në administratën publike nëse nuk kalon procedurat tashmë të konsoliduara të marrjes në punë. Kanë qenë 1500 vende bosh në administratën publike dhe vlerësimin e bën administrata, mund të ketë vende bosh, por është një proces në vazhdimësi”, tha Ahmetaj.
Kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla në fjalën e mbajtur në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit deklaroi se shpreson që javën e ardhshme të arrihet një zgjidhje që Shqipëria të mbajë Konferencën e Parë Ndërqeveritare. Balla ka kërkuar po ashtu edhe rishikimin e ligjit për rolin e Kuvendit në procesin e Integrimit Evropian.
“Ende besoj dhe shpresoj se si sot një javë Këshilli Evropian do arrijë të zhbllokojë një inpass ku ka hyrë procesi i zgjerimit përmes vetos bullgare ndaj Maqedoninë e Veriut. Besoj se lidershipi i kancelarit Scholz, presidentit Macron, udhëheqësve të tjerë të KE, do arrijnë të gjejnë një zgjidhje që javën e ardhshme Shqipërisë t’i caktohet data për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Në këtë kontekst, këto mbledhje dhe raportime të njëpasnjëshme të Këshillit Kombëtar të Integrimit duhet të vazhdojnë. Mendoj që duhet të përcaktojmë edhe nevojën e rishikimit të ligjit për rolin e Kuvendit në procesin e Integrimit Evropian. Kuvendi duhet ta ndryshojë këtë ligj me një qasje të re për rolin që duhet të luajmë për procesin e ri, atë për anëtarësim. Në momentin e mbajtjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare, duhet të kemi gati dhe hapat e tjerë. Kemi marrë masat e duhura për procesin screening. Duhet një vlerësim adekuat për ku jemi me legjislacionin me përafrimin e asaj që quhet Acquis communautaire dhe atë që quhet grupet e çështjeve me të cilat do fillojmë negociatat”, tha Balla.
/rtsh.al/