E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kievi goditet nga dronë kamikazë të prodhuar në Iran

Forcat ruse sulmuan rajonet e Kievit dhe të Odesës në Ukrainë, me dronë të prodhuar nga Irani, si dhe përdorën raketa për të goditur zona të tjera. Lajmi u bë i ditur nga  zyrtarë ukrainas.

Një sulm i kryer pranë Makariv, një qytet i vogël që ndodhet 50 kilometra në perëndim të Kievit, shkatërroi infrastrukturën kritike të qytetit. 

Në të gjithë rajonin e kryeqytetit, banorët, jeta e të cilëve kishte rifilluar normalitetin kur lufta u zhvendos në lindje muaj më pare, u zgjuan përsëri nga sirenat e sulmit ajror.

Rusia intensifikoi bombardimet e saj ndaj zonave civile javët e fundit, pasi ushtria e saj humbi terren në rajone të shumta të okupuara të Ukrainës, që presidenti Vladimir Putin i pretendoi ilegalisht si “territor rus”. Mbështetësit e Putinit i kërkuan atij që të përshkallëzojë fushatën pas sulmit në urën e Krimesë.

Nuk është e qartë nëse dronët e mbushur me eksploziv shkaktuan ndonjë viktimë. Zyrtarët ukrainas thanë se dhjetëra njerëz vdiqën këtë javë, pasi ushtria ruse rriti shtrirjen e sulmeve të saj.

Zyrtarët ukrainas thanë sot se iranianë, në territoret e pushtuara nga Rusia në Ukrainë, po stërvitnin rusët se si të përdorin sistemet Shahed-136, të cilat mund të kryejnë sulme ajrore në tokë, luftë elektronike dhe shënjestrim. Vendosja e tyre mund të tregojë se ushtrisë ruse po i mbarojnë dronët e saj.

 /rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›