Kilaj me kërkesa urgjente për KEK-un

Kryetari i Komunës së Malishevës, Isni Kilaj, ka pritur sot në zyrën tij, zyrtarët e lartë të KEK-ut. Ai u është ankuar atyre për çkyçjen e energjisë nga rrjeti elektrik në disa institucione të Malishevës.
Avni Alidemaj, drejtor ekzekutiv i rrjetit dhe Naim Sahiti, drejtor ekzekutiv për furnizim në KEK, kanë marr nga Kilaj kërkesa urgjente për rrjet në Komunën e Malishevës dhe një shqetësim për një ndërprerje të rrymës, për institucionet.
“Jam shumë i pakënaqur me sjelljen e përgjegjësit KEK-ut, i cili kishte vendosur për ndërprerjen e rrymës për institucionet publike, përfshi edhe shkollat, e që kishte të bëjë me një borxh vetëm për faturën e fundit”, tha kryetari Kilaj, duke shprehur shqetësimin e tij, për atë formë të ndërprerjes së rrymës.
“Ky person, është tendencioz dhe i ndikuar politikisht në veprimet e tij në raport me institucionet, pasi Komuna e Malishevës, asnjëherë nuk i ka mbetur borxh KEK-ut, andaj edhe kërkoi që ju ta shqyrtoni sjelljen e atij zyrtari të KEK-ut”, ka shtuar Kilaj, thuhet në një komunikatë për media të publikuar në ueb-faqen e Komunës së Malishevës.
Ndërprerja e furnizimit me rrymë, kishte ndodhur në fund të muajit mars, ndërsa problemet më të mëdha janë paraqitur në shkollat e Komunës së Malishevës, të cilat kryesisht furnizohen me ujë, përmes pompave.
Lidhur me këtë shqetësim, zyrtarët e lartë të KEK-ut kanë thënë se “ do ta shqyrtojnë këtë shqetësim serioz të kryetarit, në raport me atë zyrtar përgjegjës për KEK-un për Malishevë”.
Më pas kryetari Kilaj, ju ka parashtruar disa kërkesa urgjente zyrtarëve të lartë të KEK-ut, e të cilat, kanë të bëjnë me largimin e disa shtyllave në dy rrugë kryesore në Malishevë, pastaj furnizime me transformator në disa fshatra, legalizimin e një trafo afër stadiumit të qytetit, për nevoja të stadiumit dhe furnizimin me shtylla betoni për dy fshatra, kërkesa për të cilat ka investuar edhe komuna në pjesën e saj, për realizimin e këtyre nevojave.
Drejtorët ekzekutiv Sahiti dhe Alidemaj, kanë premtuar se do angazhohen maksimalisht për realizimin e shpejt të kërkesave, të cilat në fakt edhe zyrtarisht ishin bërë më herët në adresë të KEK-ut. /Indeksonline/