Përvojat e Kosovës, në themelimin e Këshillit të Etikës

Përvojat e Kosovës në organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Etikës, do t’i shërbejnë Maqedonisë në themelimin e këtij trupi rregullator të gazetarëve.
Në takimin e sotëm mes gazetarë, është prezantuar ideja e Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), që gazetarët të themelojnë organin që do të veprojë në rast të shkeljes së rregullave etike nga ana e mediave dhe gazetarëve.
Kryetari i Këshillit të Etikës në Kosovë, Nehat Islami, ka porositur sot në Shkup se, funksionimi i mirëfilltë i këtij trupi kërkon këmbëngulësi dhe rezistencë ndaj presioneve.
“Njerëzit janë shumë të kënaqur nga epilogu. Neve na thonë ‘kujdestarët e shpirtit’, sepse tek ne vijnë njerëz të ofenduar dhe të dëmtuar nga shpifjet, dhe ne veprojmë në bazë të kallëzimeve të tyre. Ne vendosim në afat prej 30 ditësh, kurse në gjykatë pritet 5 vite për epilogun. Që të keni një trup rregullator të respektuar, duhet të ndaloni që të ushtrohet presion mbi ju, dhe të ndikojnë autoritetet, sepse kështu do të humbni rolin, funksionin dhe kredibilitetin”, ka deklaruar Islami, transmeton Zhurnal.
Sipas kreut të SHGM-së, Naser Selmani, në Këshillin e Etikës do të aderojnë gazetarë, pronarë të mediave dhe ekspertë.
“SHGM insiston në vetërregullimin e gazetarisë, për shkak se është e përcaktuar për standardet profesionale. Në mesin tonë ka numër të madh gazetarësh që kanë hequr dorë nga profesionalizmi, në emër të interesave personale. Kujdesin për këtë duhet ta kenë redaktorët dhe pronarët. Liria e përgjegjësisë. Sa më shumë të jenë të përgjegjshëm gazetarët, aq më shumë do të jenë të lirë”, ka deklaruar Selmani. /Indeksonline/
Në takimin e sotëm ka marrë pjesë edhe ambasadori i Britanisë së Madhe, Kristofer Ivon, i cili ka përcjellë mesazhin për respektimin e standardeve etike, duke theksuar se “liria e mediave nuk u takon vetëm gazetarëve dhe qeverisë, por dhe të gjithë qytetarëve”.