Kim i Koresë së Veriut kritikon kryeministrin për përmbytjet

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un qortoi ashpër kryeministrin e tij dhe zyrtarë të tjerë të lartë për atë që ai e quajti “reagim i tyre i papërgjegjshëm ndaj përmbytjeve të fundit të tokave bujqësore përgjatë bregdetit perëndimor të vendit”. Kjo u bë e ditur të martën nga mediat shtetërore.
Përmbytjet e verës në Korenë e Veriut shpesh shkaktojnë dëme serioze në tokat bujqësore për shkak të kullimit të dobët dhe shpyllëzimit.
Vëzhguesit thonë se sulmi i Kim ndaj zyrtarëve të lartë ka të ngjarë të synojë që të fajësojë ata për vështirësitë ekonomike dhe pasigurinë ushqimore të vendit, si dhe të krijojë terrenin për një riorganizim të lidershipit.
Kim të hënën vizitoi një baticë bregdetare perëndimore, ku uji i detit shkatërroi argjinaturën, duke përmbytur më shumë se 270 hektarë fusha orizi.
Pas inspektimit të situatës, Kim akuzoi zyrtarët për “neglizhencë dhe papërgjegjshmëri në realizimin e detyrave”, sipas Agjencisë Qendrore Koreane të Lajmeve.
Kim kritikoi kryeministrin Kim Tok Hun për shfaqjen e “qëndrimit soditës “,- tha KCNA. Ai e qortoi zv.kryeministrin për dështim në kryerjen e detyrave të tij me besnikëri dhe akuzoi drejtorin e zyrës së bonifikimit të baticave për fshehjen e karburantit që supozohej të përdorej për projekte ndërtimi.
“Në vitet e fundit disiplina administrative dhe ekonomike e kabinetit të Kim Tok Hun është bërë seriozisht jofunksionale dhe, për rrjedhojë, dembelët po prishin të gjithë punën ekonomike të shtetit në një mënyrë të papërgjegjshme”, tha Kim Jong Un, sipas KCNA.
Kim i quajti përmbytjet e fundit një fatkeqësi të shkaktuar nga njeriu, duke përmendur një projekt ndërtimi të dështuar që supozohej të përmirësonte kullimin në zonë.
Ai urdhëroi masa të rrepta disiplinore për ata që janë përgjegjës për dëmet e përmbytjeve.
Vëzhguesit e Koresë së Veriut thonë se lëvizjet e Kim Jong Un janë jashtëzakonisht të forta duke qenë se nuk kishte raportime për viktima njerëzore. Ata thonë se Kim mund të përdorë përmbytjet si një shans për të riorganizuar zyrtarët e lartë në një përpjekje për të përforcuar besimin e publikut në qeverinë e tij, ndërsa ai lufton për të ringjallur një ekonomi të shkatërruar nga COVID-19. Apnews
/rtsh.al/