Kin Dushi na denoncon ndrydhjen!
“Ka qenë një sistem në formën e një pallati me mure, por pa mure, me dyer, por pa dyer. Kjo për shkak se të gjithë jetonin me dyer dhe me mure, por të gjithë kërkonin të shikonin punët e të tjerëve”, ky është perceptimi i regjisores së re, Sonila Ulqinaku, për kohën e totalitarizmit, një realitet të cilin e thellon me anë të kujtimeve të fëmijërisë së saj, por është gjurmë mentaliteti dhe në ditët e sotme, arsyeja pse kjo shfaqje vihet në skenë pas 50 vjetësh. Sipas saj, këto janë edhe disa mbeturina që ende ekzistojnë sot, të cilët e cilësojnë si të drejtë të ndërhyjnë në jetën private të tjetrit dhe t’i diktojnë atij se si të jetojë. “Unë jam e mendimit që nëse do ta ndrydhësh shumë qenien njerëzore, ajo pa dyshim kalon në ekstrem”, - thotë Ulqinaku, e cila dy net më parë ka vënë në skenën e Teatrit Kombëtar shfaqjen “Banorët e shkallës numër 5”, me regji të Kin Dushit, në kuadër të festivalit teatror të të rinjve. Është një projekt realizuar vetëm me një shumë prej 700 mijë lekësh të vjetra, sipas saj, e mjaftueshme vetëm shpenzimet e publicitetit, si dhe për t’i dhënë një shpërblim aktorëve. Kjo nuk konsiderohet pagesë, por është sakrifica e të rinjve, për të shfaqur vizionet e tyre dhe për të qenë në treg”, - thekson regjisorja. Kjo shfaqje shënoi të dytin konkurrent në Festivalin Teatror të të Rinjve, e cila vinte me interpretimin e aktorëve të rinj Ermira Hysaj, Valdrin Hasani, Arber Islami, Xheni Demi, Alfred Zeneli, Klodian Hoxha, Brikena Sinanaj, Daniel Zhuli, e skenografi të Klajd Kapidanit. Regjisorja Ulqinaku tregon emocionet e saj pas shfaqjes së dramaturgut shqiptar, Kin Dushi, e pa kursyer edhe “denoncimin” për realizimet regjisoriale në teatër. Për të mungon fryma intriguese dhe entuziazmi i së resë.
Dy net më parë u vu në skenën e Teatrit Kombëtar shfaqja juaj “Banorët e shkallës numër 5”. Na thoni diçka për pritshmërinë e saj...
Shfaqja është pritur shumë mirë. Qëllimi im me këtë shfaqje ishte që të sjell një formë të re të teatrit me veprat shqiptare. Mendoj se ka komunikuar me publikun, pikërisht sipas parashikimeve që unë kam pasur që në fillim. Natën e parë sigurisht që emocionet bëjnë të tyren, ndërsa aktorët e panë që komunikimin e kishin të mirë, mesazhet shkuan tek publiku, të cilët u bënë gati “një” në fund. Ndërsa shfaqja e natës së dytë, erdhi edhe më e bukur, pasi aktorët ishin edhe më të çliruar, publiku e pa që kjo është një shfaqje ku ndërthuret mirë fjala me plastikën e aktorit, teknika e fjalës me atë të lëvizjes së trupit, kishte një dinamikë të përkryer. Mendoj se kemi realizuar një punë të mirë dhe kemi arritur qëllimet se përse unë erdha në këtë festival.
Na thatë, vetëm vlerësimet, po kritikat si paraqiten pas shfaqjeve?
Ka pasur disa zëra vetëm për tematikën e shfaqjes, por gjithsesi edhe kritikat janë shumë të vlefshme, sepse lavdërimet erdhën më shumë për gjetjen e formës, se si këto tematika, sot të vjetruara, janë përcjellë në këtë mënyrë në realitetin e sotëm.
“Banorët e shkallës numër 5”, një vepër e Kin Dushit. Pse bëtë këtë zgjedhje?
Në fakt, unë kam nisur një repertor timin, me pjesë shqiptare. Para dy vjetësh kam vënë në skenë veprat “Pas vdekjes” dhe “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër” të Çajupit, ku të dyja komeditë ishin të ndërthurura në një shfaqje të vetme, të cilën e titullova “Kujtime nga Çajupi”. Kam dhënë gjithsej 25 shfaqje, brenda dhe jashtë Shqipërisë, në Kosovë, Ulqin, Maqedoni etj., të cilat u pritën shumë mirë. Kam përzgjedhur të tillë repertor, në varësi të viteve, pra duke filluar që me veprat më të hershme. Pjesa e Kin Dushit erdhi si rrjedhë e kësaj vazhdimësie, e cila u përkiste viteve ‘50-‘60. Do të ketë sigurisht edhe vazhdimësi të shfaqjeve të viteve pasuese, deri në ditën e sotme, për të bërë një revistë me autorë shqiptarë, duke qenë se është evidentuar një mungesë e theksuar e autorëve shqiptarë në skenën e Teatrit Kombëtar. Kam pasur dëshirë që për të pasur një identitet tonin, për të shkuar jashtë Shqipërisë mendoj se nuk ka më mirë që të përfaqësohesh me identitetin shqiptar.
Duke qenë se ju jeni një regjisore e brezit të ri, ndërkohë, ju prezantoheni me dramaturgjinë shqiptare në skenën e Teatrit Kombëtar. A ishte kjo një lloj strategjie për të sfiduar fjalët se nuk kemi dramë shqipe të shkruar?
Po, sigurisht që është një lloj strategjie. Duke qenë se personazhet janë shqiptarë, e ne i njohim mirë ata, pasi i jetojmë çdo ditë, përbën një plus të madh për t’u prezantuar përpara publikut. Por, vështirësia është shumë e madhe, pasi është fjala për një pjesë disi skematike për kohën e atëhershme, e shkruar që në vitet ‘50-‘60.
Unë nuk e kam lënë siç e ka shkruar autori, vepra vjen e parë nga Sonila. Është Kin Dushi, por e parë nga unë.
A mund të na veçosh nga kjo vepër punën tënde krijuese, origjinalitetin që mund të sjellë një regjisor mbi një vepër të gatshme?
Kam hequr disa personazhe në vepër, ndërsa i kam shtuar disa të tjerë, siç është roli i komandantit. Arsyeja për të cilën e kam sjell këtë vepër është se ndjenja njerëzore nuk duhet poseduar. Ka qenë një sistem i cili ishte një pallat me mure, por pa mure, me dyer, por pa dyer. Kjo për shkak se të gjithë jetonin me dyer dhe me mure, por të gjithë kërkonin të shikonin punët e të tjerëve. Këto janë edhe disa mbeturina që ende ekzistojnë sot, të cilët e cilësojnë si të drejtë të ndërhyjnë në jetën private të tjetrit dhe t’i diktojnë atij se si të jetojë. Unë jam i mendimit që nëse do ta ndrydhësh shumë qenien njerëzore, ajo pa dyshim kalon në ekstrem.
Por kjo është një vepër e viteve ‘50-‘60, një kohë jo e jetuar nga rinia e sotme, e rrjedhimisht gjithçka jetonte në tjera forma.....
Ndaj, edhe unë kam gjetur formën e groteskut, për ta ironizuar gjithçka. Këta janë njerëz që ai i madhi i vë në rreshtore kur të dojë, dhe në momentin që gjejnë mundësinë që nuk vëzhgohen bëjnë atë që flet për ndjenjën njerëzore.
Për të rinjtë e sotëm kjo atmosferë që përmendet, pra jeta sociale në diktaturë, është pak e vështirë të perceptohet...
Nuk jemi aq larg nga koha e diktaturës, gjurmët janë ende, mentaliteti, njerëzit... Ndonëse unë nuk jam edhe aq e vogël në moshë. Deri diku e mbaj mend atë kohë, që në fëmijërinë time. Jam rritur me pianon, por në disiplinë shumë të hekurt. Studioja gjatë gjithë kohës për të shkuar në koncerte, me programe që nuk ishin aspak për moshën tonë. Kështu që e di se çfarë është disiplinë e asaj kohe, e di çfarë do të thotë të mos luash dot si fëmijët e tjerë. Deri diku e kam jetuar këtë lloj disiplinë të hekurt e ndrydhjeje, kështu që më kujtohet fëmijëria ime në këtë rast. Por, siç dihet ne jetojmë me prindërit tanë në shtëpi dhe shikojmë se çfarë problemesh kanë ata nga rinia që kanë kaluar në atë periudhë.
A ju ka shërbyer shkolla e regjisurës? Kush ka qenë udhërrëfyesi juaj në drejtimin regjisorial?
Kam pasur shumë mbështetje në rrugëtimin tim drejt teatrit, sidomos nga profesor Esat Oktrova, i cili nuk jeton më. Atë e kujtoj me shumë dashuri dhe mundohem që në të gjitha shfaqjet e mia t’i referohem atyre çfarë ai më ka mësuar. Një mbështetje të fortë kam pasur edhe nga prof. Mezin Pajo, i cili më ka drejtuar dhe inkurajuar, pasi teatri në Shqipëri nuk është diçka e lehtë. Dhe kanë qenë jo pak rastet kur jam treguar skeptike për zgjedhjen time, pasi regjinë e shikoja si një sfidë shumë të madhe.
Ju keni vënë shumë vepra në skenë, që do të thotë se nuk i përkisni brezit të të rinjve. Pse zgjodhët të konkurronit në festivalin teatror të të rinjve?
Kam zgjedhur festivalin e të rinjve, sepse grupi i punës që unë po ndërtoj, të cilin kam tre vjet që po e përgatis, është me të rinj. Për të sjellë gjëra të reja, është e domosdoshme energjia e re, potenciale të reja dhe dëshira të reja. Pasi një pjesë e teatrit është mësuar me të vjetrën dhe nuk po munden të shkëputen prej saj.
Cilat janë këto dëshira të reja, të të rinjve?
Dëshirat e reja janë që të shikohet teatri në kultin që meriton. Ka shumë forma të reja të teatrit që në vitet që ka humbur Shqipëria duhet të vrapojë që t’i arrijë.
Cili është mendimi juaj për teatrin që bëhet sot?
Nuk kam asgjë kundër teatrit klasik, por mua më pëlqen që të gjejmë forma të reja për të komunikuar me publikun dhe për ta mbajtur atë të intriguar për të qenë pranë kësaj skene. Mendoj se shumë pak nga shfaqjet që janë dhënë prej regjisorëve me përvojë kanë mbajtur publikun të intriguar. Dikur flitej për mbi 200 shfaqje, në botë po ashtu, ndërsa këtu vepra “vdes” me 12-15 shfaqje maksimumi. Kjo është shumë e dhimbshme, nuk mund të jetë një shfaqje teatri kaq e shkurtër, pasi bëhet fjalë për një punë shumë voluminoze. Mendoj se shumë pak nga regjisorët tanë kanë pasur shfaqje që mund t’i marrësh edhe si pika referimi. Mund të veçoj regjisorin francez që vuri një shfaqje në TK, Spiro Dunin, ndërsa pjesa tjetër lë për të dëshiruar.
Sigurisht që në këtë konkurrim një arsye për pjesëmarrje janë dhe financat. A kishit mbështetje të mjaftueshme?
Dihet që ky është një projekt për të rinjtë, por mbështetja financiare nuk ishte e mjaftueshme. Ne marrim vetëm 700 mijë lekë të vjetra për një shfaqje dhe kjo është e mjaftueshme vetëm për të bërë publicitetin dhe për t’i dhënë një shpërblim aktorëve, e kjo nuk konsiderohet dot pagesë. Kjo është sakrifica e të rinjve, për të shfaqur vizionet e tyre dhe për të qenë në treg.