E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kina: SHBA të bëjë më tepër për nxitjen e besimit reciprok

UASHINGTON- Zëvendëspresidenti dhe ndoshta numri një i Kinës, Xi Jinping, njoftoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të miratonin masa konkrete për të nxitur besimin reciprok, pak para se të takohej me presidentin Barack Obama në Shtëpinë e Bardhë.

"Shpresojmë se pala amerikane do ta shohë Kinën në mënyrë objektive dhe racionale dhe të miratojë masa konkrete për të nxitur besimin reciprok", deklaroi zëvendëspresidenti Xi, njofton agjencia zyrtare kineze e lajmeve Hsinhua. "Duhet të kërkojmë përfitime reciproke dhe marrëveshje të ndërsjella në një mënyrë pozitive dhe krijuese", shtoi ai.

Zëvendëspresidenti kinez shprehu gjithashtu shpresën se këtë vit zgjedhjet në SHBA nuk do të kishin ndikim mes dy ekonomive më të mëdha të planetit.

Zëvendëspresidenti Xi mbërriti sot në SHBA për një vizitë kyçe për një javë. Takoi disa zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë ish-sekretarët e Shtetit Henry Kissinger dhe Madeleine Albright. Sot, ai u takua me presidentin Obama në Shtëpinë e Bardhë.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›