E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kina bën thirrje për paqe dhe stabilitet në rajonin e Gjirit Persik

Përballë rritjes së tensioneve në ngushticën e Hormuzit Kina ka rikujtuar detyrimin për paqe dhe stabilitet në rajonin e Gjirit Persik. Mirëpo një zëdhënës i ministrisë së jashtme të Kinës e la të enjten pa përgjigje nëse ky vend gjendet në kontakt me Iranin dhe me shtete të tjera për grindjen në fjalë.  Në një koment të agjencisë zyrtare të lajmeve “Xinhua” thuhet, se spekulimet për luftë me Iranin kanë rezultuar vazhdimisht alarme të rreme. Megjithatë, vijon komenti, lipset një qasje serioze dhe fleksible, për të penguar kthimin e alarmit të rremë në alarm të vërtetë.

Tensioni u rrit me një kërcënim të Iranit

Në fillim të acarimit të ri midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës qëndron kërcënimi i Iranit për të mbyllur ngushticën e Hormuzit në rast se Perëndimi vendos sanksione ndaj programit të tij bërthamor. Marina Amerikane është shprehur se nuk do ta durojë ndërprerjen e kësaj rruge të furnizimit me naftë. Përmes ngushticës detare, në vitin 2009 u transportua një e treta e të gjithë naftës së botës. Ngushtica e Hormuzit lidh Gjirin Persik dhe shtetet eksportuese të naftës Bahrein, Kuvajt, Katar, Arabi Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe me Oqeanin Indian.

Megjithatë, në lidhje me hapat konkrete të SHBA-së në rast bllokimi të ngushticës së Hormuzit prej Iranit ka deri tani vetëm deklarata nga radha e dytë. Ish-ambasadori amerikan në Organizatën e Kombeve të Bashkuara John Bolton tha në televizionin “Fox-News”: "Është fakt që në rast se iranianët përpiqen të bllokojnë ngushticën e Hormuzit do të zgjaste e shumta dy ose tri ditë derisa ngushtica të rihapej. Dëmi i Iranit nuk do të konsistonte vetëm në atë se marina e tij do të gjendej në fundin e detit."

Raporti i OKB-së e vë Iranin në pozitë të vështirë

Pas një raporti të OKB-së në të cilin thuhet se Irani ka zhvilluar prova që kanë të bëjnë me pajisje bërthamore, vendet perëndimore vendosën së fundi sanksione të reja kundër këtij vendi. Shqyrtimi i masave të mëtejshme provokuan tani një përgjigje të fortë nga ana e Iranit. Me gjithë kërcënimet e Iranit, Bashkimi Evropian nga ana e tij përforcoi vullnetin që në grindjen bërthamore me Iranin të ndërmarrë në rast nevoje sanksione të reja.

Ish-gjenerali amerikan James Marks as nuk e konsideron Iranin në gjendje për të paralizuar trafikun detar në ngushticën e Hormuzit. Ai përmend dy arsye: "Së pari, me Flotën e tyre V amerikanët kanë një prani të jashtëzakonshme në rajon dhe së dyti, ne e kemi ushtruar me hollësi mijëra herë skenarin e bllokimit të ngushticës së Hormuzit."/DW-Start/

                                                                                             2011-12-30 10:06
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›