Viti i “pafajësisë”!

Mbyllet debati për fletët e votimit
Fillimi vitit 2011, e gjeti Shqipërinë në një debat të gjerë nëse fletët e votimit duheshin djegur ose jo. Vendimi për djegien e këtyre fletëve ishte marrë pak para vitit të ri vetëm nga pesë votat e mazhorancës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Opozita këmbëngulte që të bëhej një hetim për fletët e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, por mazhoranca aktuale këmbënguli fort për të mos i hapur këto kuti. Më 4 janar, kryeministri Sali Berisha, tha se kutitë e votimit janë pjesë të së shkuarës. Më 6 janar, nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi theksoi, se vendimi për djegien e fletëve të votimit ishte i qëllimshëm.
Gërdeci, lirimi i “kokave” të ngjarjes
Gjyqi i tejzgjatur për tragjedinë e Gërdecit, ka sjellë edhe lirimin nga qelitë e paraburgimit të njërit prej të ndaluarve për ngjarjen e rëndë e ndodhur në mars të vitit 2008. Dritan Minxolli, ish-drejtori i fabrikës së demontimit të armëve u lirua më 2 shkurt nga Gjykata e Lartë dhe ndaj tij është marrë masa e “arrest shtëpie”.
Edhe tre të arrestuarit e tjerë në ngarkim të tragjedisë janë lënë të lirë nga qelitë e paraburgimit. Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj Mihal Delijorgjit, Ylli Pinarit dhe Sokol Ngjeçit. Vendimi u dha më 7 shkurt të këtij viti, duke bërë që asnjë prej shkaktarëve të tragjedisë të mos mbetej prapa hekurave. Kryeministri Sali Berisha në përkujtim të tragjedisë së Gërdecit, u bëri thirrje institucioneve të drejtësisë të mos vonohen në ndëshkimin e përgjegjësve të kësaj tragjedie.
Më 17 mars, Komisioni Evropian kërkoi nga drejtësia shqiptare që të zbardhë ngjarjen e ndodhur në Gërdec, ndërsa autorët të marrin dënimin e merituar. Më 22 qershor, numri i seancave për Gërdecin shkoi në 153, ku shumica e seanca kishin dështuar. Në seancën e zhvilluar dy ditë më vonë, Mihal Delijorgji dhe Ylli Pinari u shfajësuan në seancë, duke pretenduar se ata nuk ishin shkaktarët e tragjedisë.
Më 1 nëntor, Prokuroria dha pretencën për të pandehurit e tragjedisë së Gërdecit, ku ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit kryesorë, përkatësisht për Mihal Delijorgjin, Ylli Pinarin dhe Dritan Minxollin. Këta të fundit akuzohen për vrasje. Prokuroria ka kërkuar gjithashtu edhe dënimin e ish-kreut të Forcave të Armatosura, Luan Hoxha, me 8 vjet burg.
Të njëjtin dënim ka kërkuar prokuroria edhe për ish-gjeneralin Shpëtim Spahiu.8 vjet burg është kërkuar edhe për Shkëlzen Madanin e Dashnor Çaushin, 7 vjet burg për Ardian Mullain, 6 vjet burg për Zija Bajën dhe 4 vjet burg për Agim Lalën. Gjithashtu prokurorët kanë kërkuar nga 4 vjet burg për Ilmi Laçajn dhe Ilir Babameton, 4 vjet e 6 muaj burg për Armand Tartarin dhe 3 vjet burg për Ndue Markun. Vendimi përfundimtar pritet të jepet gjatë vitit 2012.
Kombësia, certifikatat dhe regjistrimi
Më 15 shkurt, Gjykata e Sarandës depozitoi në Gjykatën Kushtetuese, një ankesë për shënimin e kombësisë në certifikatat e shtetasve. Paraditen e 17 shkurtit, në Tiranë u zhvillua një protestë para Parlamentit të Shqipërisë kundër regjistrimit të popullsisë në baza etnike dhe fetare. Kjo protestë organizohet me nismën e TIFOZAVE KUQ E ZI dhe mbështetjen e Rrjetit të Organizatave Shqiptare (RROSH), ku marrin pjesë shoqata nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe bashkësia çame.
Më 24 shkurt, kryetari i Gjykatës së Shkodrës Andri Ymeri, i është drejtuar me një kërkesë Gjykatës Kushtetuese për antikushtetutshmërinë e ligjit “për gjendjen civile” pas pezullimit që ky i fundit i kishte bërë çështjes gjyqësore me objekt ndryshimin e kombësisë nga shqiptare ne serbo-malazeze. Ndërkohë, qeveria kishte paralajmëruan vitin e shkuar regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare, i parashikuar për në muajin prill. Për këtë arsye, më 26 shkurt, Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet së bashku me Klubin e Patriotëve të Rinj, zhvilluan një protestë para Parlamentit kundër regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare.
Më 28 shkurt, një grup i intelektualëve të njohur dhe personaliteteve të fushave të ndryshme, i kanë dërguar një peticion krerëve të shtetit ku kundërshtojnë regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare.
Më 1 mars, nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, deklaroi se brenda muajit të fundit, rreth 3800 shqiptarë kryesisht në jug të vendit kanë braktisur kombësinë shqiptare.
Gjykata e Përmetit ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për shqyrtimin e ligjit “për gjendjen civile”, kërkesë e cila u depozitua më 16 mars. Pavarësisht protestave dhe kundërshtive të shumta, Parlamenti i Shqipërisë ka miratuar projektvendimin për regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare. Propozimi i ministrit të Inovacionit, Genc Pollo u fut me procedurë të “jashtëzakonshme” në seancën e 28 qershorit ku edhe u miratua.
Më 16 shtator, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ligjin e gjendjes civile si të papërputhshëm me Kushtetutën e vendit. Në bazë të vendimit, termi “kombësi” hiqej nga certifikatat. Më 1 tetor nisi regjistrimi i popullsisë dhe banesave, i njohur ndryshe si census. Më 7 tetor, Greqia ankimoi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës regjistrimin që po bëhej në Shqipëri. Më 21 dhjetor, INSTAT publikoi të dhënat paraprake të regjistrimit të popullsisë, ku në Shqipëri jetonin 2,831,741 banorë, pak më pak se dhjetë vite më parë.
Skandali i naftës virgin
Më 29 mars, Gjykata e Apelit ka lënë në burg tre prej të dyshuarve si të implikuar në kontrabandën e naftës “virgin”. Trupi gjykues vendosi masën e me burg ndaj Hajri Elezaj, administrator i firmës “Euroil”, Kadri Hajredini, magazinier i firmës “Fisheku” si dhe shtetasit Vladimir Koteci, duke lënë në fuqi masat e arrestit, marrë ndaj tyre nga Gjykata e Shkallës së Parë.
Më 23 korrik, Gjykata e Tiranës Iljaz Fishekun, pronar i shoqërisë ‘Fisheku sha’. Ekspertë të mjekësisë ligjore i paraqitën Gjykatës së Tiranës një akt ekspertim, ku thuhej se jeta e Iljaz Fishekut rrezikohen nëse ai vazhdonte të qëndronte në qeli. Më 29 korrik, biznesmeni kuksian Hajri Elezi, u arratis nga vendi, duke thyer vendimin e gjykatës me “arrest shtëpie”. Atë kohë, Gjykata e Apeli kërkoi rikthimin në qeli, por Elezi u zhduk dhe që prej asaj dite vazhdon të mos dihet asgjë për.
Viti që “rrëmbeu” personalitetet
Mesditën e 2 prillit u nda nga jeta Baba Reshat Bardhi. Baba Reshati u lind në vitin 1936 në fshatin Lusën të Kukësit, prej nga është dhe origjina e familjes së tij. Interesimi i tij për bektashizmin, sekt brenda Islamit nisi që gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1954 emërohet si dervish pranë Kryegjyshatës. Gjatë kësaj kohe, ai pati marrëdhënie shumë të mira me parardhësin e tij Baba Ahmeti, i cili la testament që kur të ndërronte jetë, pasardhës të ishte Bardhi. Më 12 gusht, u nda nga jeta deputeti i Partisë Demokratike, Gëzim Dibra. Më 7 tetor u nda nga jeta ish-presidenti i fundit komunist, Ramiz Alia. Ai vdiq në moshën 86 vjeçare, duke marrë me vete edhe shumë sekrete të periudhës rreth 50 vjeçare të historisë së Shqipërisë. Pretendenti për Fronin Mbretëror, Leka Zogu I ndërroi jetë mëngjesin e 30 nëntorit pas një sëmundje të gjatë. Zogu vuante nga anoreksia e thellë, rënie e ndjeshme e temperaturës së trupit, vuajtje multisistemike, ku mbizotëron vuajtja e zemrës dhe e mushkërive. Mesditën e 3 dhjetorit ndërroi jetë edhe politikani i njohur Sabri Godo.
Verë minatorësh!
Më 24 korrik, nis greva e urisë së 25 minatorëve pas më shumë se një muaji protesta para kompanisë ACR. Më 29 të këtij muaji, edhe 100 minatorë të tjerë firmosën për t’iu bashkuar grevës së urisë që kishte nisur në nivelin 14 të minierës. as 27 ditësh në grevë urie, minatorët e Bulqizës lanë galerinë e nivelit të 14-të të minierës, duke ndërprerë grevën e urisë. Dalja nga galeritë erdhi pa vendimit të Gjykatës së Dibrës, pasi jeta e tyre vihej në rrezik. Qindra forca policie shkuan pranë minierës për të nxjerrë prej andej grevistët. Më 19 shtator, minatorët e Bulqizës kanë rinisur grevën e urisë, me pretendimin se kompania ACR nuk ka përmbushur kërkesat e tyre. Më shtator u arritja marrëveshja midis minatorëve dhe kompanisë.
Vrasja e bujshme
Gjyqtari i Gjykatës së Shkallës së Parë në Vlorë, Skerdilajd Konomi, 33-vjeç, mbeti i vdekur më 9 shtator nga një atentat me tritol brenda makinës së tij. Ngjarja ndodhi rreth orës 09:20 minuta të së premtes në qendër të Vlorës. Reagime të shumta nga institucionet dhe partitë politike erdhën pas vrasje me lëndë plasëse të gjyqtarit Konomi. Pesë ditë pas vrasjes mafioze, Prokuroria e Vlorës nisi hetimet edhe ndaj policisë në lidhje me ekzekutimin Konomit. Sipas Prokurorisë, policia hetohet për mosveprimin në kohë për t’i dhënë ndihmë mjekësore gjyqtarit, i cili pas atentatit ishte ende gjallë. Më 25 tetor u gjet i vdekur oficeri i Shërbimi Informativ Shtetëror, Isa Çopa. Fillimisht u quajt vetëvrasje po më vonë doli se ishte vrarë. Ende nuk dihen arsyet e vdekjes së tij. /Saimir Lleshi/Start/
2011-12-30 09:51