Kina dhe Japonia dominojnë notin

Kina dhe Japonia janë dominuesit e garave të ditës së parë në Kampionatin Botëror të notit, që është duke u zhvilluar në Fukuoka dhe që po vjen drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Kina ishte e artë në hedhjen nga trampolina. Kështu ka ndodhur në hedhjen nga trampolina 1 metër për femra, atje ku medalja e artë shkoi për Shan Li të Kinës, e cila la nga pas bashkatdhetaren Jajle Li dhe meksikanen Vazkez Montano.
Më pas në hedhjen nga trampolina 10 metra e sinkronizuar e arta ka shkuar për çiftin kinez Uang/Zhang, që ka lënë nga pas dyshen meksikane Baleza Izaias/Del Anxhel Penike dhe çiftin japonez Ito/Itahashi.
Dhe medalja e artë e tretë për Kinën do të vinte në hedhje nga trampolina 3 metra e sinkronizuar për meshkuj, ku fitues ishte çifti Uang/Long. Pas tyre britanikët Lauger/Harding dhe francezët Bujer/Zhardard.
Ndërkohë noti i sinkronizuar individual për femra ose ndryshe solo teknik, shqip thjeshtë vetëm teknikë, ishte për japonezen Inui. 32-vjeçarja la nga pas austriaken Aleksandri dhe spanjollen Tio Kasas. Emocionet e Botërorit të notit do të vijojnë në ekranin e Radio Televizionit Shqiptar deri më 30 korrik.