Kina “liberalizon” shkëmbimin e juanit
Kina ka vendosur të zgjerojë shportën e monedhave kundrejt të cilave do të lejohet shkëmbimi i monedhës vendase juan. Banka Qendrore në Kinë nuk përmendi se, cilat janë monedhat e reja, por lajmi tregon vendosmërinë e Kinës për të kërkuar një rol më të madh të juanit në tregtinë ndërkombëtare. Aktualisht monedha kineze këmbehet me 7 monedha të tjera ku përfshihet, dollari amerikan, euro, jeni, dollari i Hong Kongut, stërlina britanike, rubla ruse dhe Ringit i Malajzisë. "Departamentet përgjegjëse do të vlerësojnë tregtinë bilaterale, si dhe transaksionet bilaterale financiare për të vendosur mbi tregtimin e juanit në tregun ndër-bankar", tha banka në një raport analitik për zhvillimet e tregut financiar në vitin 2010. Në koment të këtij raporti, analistët thanë se nuk bëhet fjalë për monedhat aktuale të shportës, por për zgjerimin e shkëmbimit të juanit me monedhat. Ndërsa tregtarët në bursën e Shangait thonë se nuk mund të pretendohet një zhvillim i tregjeve financiare globale dhe i ekonomisë në përgjithësi, nëse nuk do ketë ndërkombëtarizim të juanit. Pekini thotë se norma e këmbimit të juanit është e vendosur në raport me 7 monedhat e mësipërme të shportës, por në praktikë është e varur te dollari amerikan. Tregtarët thonë se zgjerimi i shportës do të reduktojë këtë varësi në përcaktimin e vlerës së juanit.