E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohen 17 vjet enigmë

Piktori Naxhi Bakalli, një ndër emrat më të njohur të artit viziv në Shqipëri, do të prezantojë nesër në Galerinë e Arteve, 17 vite karrierë, që i përkasin periudhës së jetës së tij në Itali. E titulluar "Enigmë e pezullt", ekspozita do të përmbajë 170 punime në pikturë, grafikë e skulpturë. Ekspozitën e parë personale, ai e ka prezantuar në vitin 1991 po në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë dhe ky rikthim me krijimtarinë e tij shumëvjeçare, konsiderohet si një kthim në "shtëpi".
Naxhi Bakalli ka lindur në Tiranë në vitin 1937. Ka kryer liceun artistik "Jordan Misja" dhe Institutin e Lartë të Arteve.
Ai njihet për kombinimin e suksesshëm e subjekteve historike me idetë bashkëkohore, të përdorimit të konturit dinamik dhe paraqitjes me psikologji elokuente të pasurisë tradicionale etnografike shqiptare. Cikli i tij i vizatimeve "Vallja e Luftës" (1971), personifikon stilin e tij dhe subjektet që ai trajton, të cilat janë të frymëzuara nga epikat legjendare dhe arti mesjetar shqiptar. Të tjera cikle në akuarele dhe vizatime, si "Lufta e Shtimjes" (1981) shquhen për simbolizmin e tyre të fuqishëm dhe tregojnë tranzicionin e Bakallit drejt pikturës monumentale. Temat e tij murale si "Përballimi" që ndodhet në muzeun "Gjergj Kastrioti Skënderbeu", Krujë, si dhe "Kuvendi i Dukagjinit" që ndodhet në Muzeun Historik të Burrelit, prezantojnë subjektin historik të sfumuar me elementet etnike dhe filozofike. Në ekspozitën "Enigmë e pezullt", Naxhi Bakalli do të prezantohet me krijimtari të ndryshme nga ajo e prezantuar më parë, si reflektim i mungesë së gjatë në vendin e tij.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›