Kinë, hapet Festivali i skulpturave prej akulli
KINE- Turistë dhe vendas morën pjesë në ceremoninë e inaugurimit të botës së parë prej akulli e dëbore në Pekin ndërkohë që veriu i Kinës po përballet me një ndër dimrat më të ashpër ndër vite. Të pranishmit patën rastin të admironin tempujt dhe pallatet e stërmëdhenj me kollona, shkallare e çati të hijshme orientale, të ndërtuara tërësisht prej akulli, e të ndriçuar me drita shumëngjyrëshe. Pjesë e kësaj bote të akullt ishin edhe skulpturat e gdhendura në blloqe akulli të cilat paraqesin figura të ndryshme, që nga udhëheqësit e revolucionit komunist e deri tek tigrat, me rastin e Vitit të Tigrit, i cili nis muajin që vjen sipas kalendarit hënor kinez.Ky festival i cili zhvillohet në kontenë Janqing dhe zgjat deri në fund të muajit Shkurt kur akujt nisin të shkrijnë, tashmë ka hyrë në edicionin e 24-ët duke u shndërruar në një joshje të madhe për turistët. Turisti Li çengshao tha se ja kishte vlejtur udhëtimi deri aty. "Edhe pse kishim mundësi t’i admironim skulpturat prej akulli në televizor dëshironim t’i shihnim me sytë tanë. Këtu hasëm një mori skulpturash shumë ngjyrëshe me forma nga më të ndryshmet, e secila prej tyre është vërtet interesante. Ky vend është i mrekullueshëm" tha ai. Akulli i përdorur për realizimin e skulpturave pritet në blloqe nga sipërfaqja e lumit të ngririrë që rrjedh në periferi të qytetit e më pas sharrohet e lustrohet para se të vihet në dispozicion të skulptorëve. Më pas brenda tyre vendosen drita shumëngjyrëshe për të krijuar efekte interesante.Në Kinë këto skulptura me drita shumëngjyrëshe njihen si 'Fenerë prej akulli' ndaj mjeshtrat bëjnë të pamundurën për të sjellë gjithnjë risi përsa i përket krijimit të tyre. Ndërkohë që ngrohja globale po bëhet objekt diskutimesh në mbarë botën Kina po përballet me një ndër dimrat më të ashpër ndër vite, me temperatura deri në minus 14 gradë Celsius. Megjithatë turisti Song Qian shprehu shqetësim për faktin që mund të ishte i fundit në familjen e tij që i admironte skulpturat prej akulli. "Jam i shqetësuar për ndryshimin e klimës, rritjen e temperaturave, gjë që mund të bëjë që pasardhësit e mi të mos i shohin dot më këto skulptura prej akulli. Ndaj unë duhet t’i fiksoj në kujtesë në mënyrë që t’ua përcjell brezave që do të vijnë më pas" tha ai. Në Kinë zhvillohet gjithashtu edhe Festivali Ndërkombëtar i Borës dhe Akullit, festival i cili zhvillohet në Harbin, kryeqyteti i provincës Heilongjiang në kufi me Siberinë. Në këtë festival të pamatë, gjatë të cilit realizohen skulptura të ngjashme me ato që u ekspozuan në Pekin, përdor një sasi prej 120,000 metra kub dëborë e 160,000 metra kub akull.(s.g/Balkanweb)