Përmbytjet, thirret Konferencë donatorësh
SHKODER- Mbyllja e portave të hidrocentraleve mbi lumin Drin ka bërë që brenda 24 orëve të jenë tharë nga uji plot 2000 hektarë tokë në Qarkun e Shkodrës. Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile pranë Ministrisë së Brendshme bëri me dije të premten se sipërfaqja e tokës së përmbytur ishte 8340 hektarë, nga 9340 hektarë që ishte të enjten dhe 11 400 hektarë që ishte tre ditë më parë.Përmirësimi i situatës jo vetëm në zonat e përmbytura brenda qytetit të Shkodrës, por edhe në komunat problematike, që gjatë 15 ditëve të katastrofës ngjanin me ishuj, dalëngadalë po i lë vendin fazës tjetër atë të rehabilitimit të zonës dhe kthimin e banorëve, të cilët uji u ka shkaktuar dëme të mëdha në banesat e tyre.Shifrat e Drejtorisë së Përgjithshme e Emergjencave Civile pranë Ministrisë së Brendshme dëshmojnë se që nga fillimi i janarit mbetet i njëjtë numri i banesave të përfshira nga uji 2169 dhe numri i personave të evakuuar, 5173 persona.Konferenca e donatoreveQeveria shqiptare pritet të organizojë së shpejti një konferencë donatorësh për të mbledhur ndihma dhe asistencë ekspertësh profesionistë, për të vlerësuar dhe rikuperuar dëmet e shkaktuara në zonat e përmbytura në veri të vendit. Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Sali Berisha gjatë një takimi që ai zhvilloi paraditen e djeshme në zyrën e tij me ambasadorin e Spanjës, Emanuel Montobio, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, si edhe me kreun e delegacionit të Komisionit Europian, Helmut Lohan. Kryeministri Berisha ftoi vendet e BE-së të marrin në konsideratë pjesëmarrjen dhe kontributin në këtë konferencë, pasi sikundër theksoi, “thellimi i lumit të Bunës si dhe masat e tjera mbrojtëse infrastrukturore, janë projekte të një rëndësie të jashtëzakonshme, por edhe shumë të kushtueshme, ndaj çdo kontribut i BE-së dhe vendeve të tij është shumë i mirëpritur dhe i vlerësuar”. Në takim u vlerësua reagimi masiv i institucioneve, i cili bëri të mundur realizimin e objektivit më madhor, shpëtimin e jetëve njerëzore.SHBA, 50 mijë USDNë përgjigje të situatës së krijuar nga përmbytjet në veriperëndim të Shqipërisë, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës deklaroi dje se do të dhurojë 50.000 USD si ndihmë emergjence për të mbështetur ata që janë prekur më shumë. Fondet do t’i përcillen Kryqit të Kuq Shqiptar, i cili aktualisht po punon për të ofruar ndihmë për rreth 5.000 banorë në veri të vendit. Në përgjigje të përmbytjeve ambasada amerikane sqaroi se po këshillohet ngushtë me qeverinë shqiptare dhe po bashkërendon me bashkësinë ndërkombëtare për kthimin eventual të banorëve në bashkësitë e tyre, si dhe nevojën për përpjekje drejt rindërtimit dhe rimëkëmbjes.BB: eksperte per vleresimin e demitZv/presidenti i Bankës Botërore, Philippe Le Houreou gjatë një vizite në zonat e përmbytura në Shkodër tha se BB do të jetë pjesë e projekteve për rehabilitimin total të zonës së përmbytur” Banka Botërore e vlerësoi si mjaft efiçent menaxhimin nga ana e qeverisë shqiptare të situatës së emergjencës civile në zonat e prekura nga përmbytja në Qarkun e Shkodrës. Ndërkohë, zëvendëspresidenti bëri të ditur se Banka Botërore mund të ndërhyjë me projekte për riparimin e infrastrukturës dhe përforcimin e saj që fatkeqësi të tilla të mos përsëriten më. “Ndërhyrja e Bankës Botërore fillimisht do të konsistojë në asistencën e një grupi ekspertësh për të vlerësuar dëmet e sektorit privat, qytetarëve, por edhe të aseteve publike. Pas vlerësimit të kostos do të fillojmë punën për të rigjeneruar dhe për të filluar përsëri aktivitetin rajonal ekonomik”, - tha Philippe le Houreou. Ndërsa, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha falënderoi zv/presidentin e Bankës Botërore për ofertën e ndihmës që paraqiti në Shkodër. Kjo, për sa i përket dërgimit të një skuadre me ekspertë për vlerësimin e dëmit, duke filluar nga java që vjen, si dhe për gatishmërinë për të ndërhyrë me financim në projektet e rehabilitimit total të zonave të përmbytura.(s.g/BalkanWeb)