E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kinë, rritje dyshifrore e ekonomisë. Zyrtarët të shqetësuar

Ritmi i ekonomisë kineze nuk njeh ngadalësim. Autoritetet njoftuan se ekonomia është rikthyer në ritmet e rritjes dyshifrore. Në njoftim thuhet se në tremujorin e fundit të vitit të kaluar ekonomia u rrit 10.7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Gjatë gjithë vitit 2009, ekonomia kineze shënoi një rritje 8.7%, duke i
tejkaluar gjithë parashikimet zyrtare. Analistët thonë se Kina u prek
nga kriza ekonomike, ndonëse jo aq rëndë sa vendet e tjera. Analistët e
statistikave, megjithatë thonë se viti i kaluar ishte më i vështiri
gjatë gjithë kësaj dekade. Zyrtarët argumentojnë rritjen duke deklaruar
se paketa për stimulimin e ekonomisë ishte më e madhja në botë në
përpjestim me përmasat e ekonomisë dhe e ndihmoi Kinën që të përballonte
situatën.

Para një viti ekzistonte shqetësimi se rritja ekonomike në Kinë do të
ishte shumë e dobët, ndërsa tani ka shqetësim se ritmet e rritjes
ekonomike mund të forcohen më shumë se ç'duhet.Interesat bankare mund të
rriten dhe mund të merren masa që monedha vendase të fitojë vlerë ndaj
dollarit.
Vitin e kaluar GDP-ja në Kinë ishte 4.9 trilionë dollarë. Kjo do të
thotë se ekonomia kineze ia ka kaluar asaj të Japonisë dhe është e dyta
në botë pas asaj amerikane.

Delina Bitraku

< I mëparshmi

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›