Kinë, suficiti tregtar në pikën e lartë 4-mujore
Kina raportoi rritje të surplusit tregtar për muajin prill, në pikën më të lartë, në 4 muajt e fundit, dhe kaloi në plan të dytë deficitin që regjistroi në tremujorin e parë të vitit. Eksportet e Kinës u rritën në një normë të kënaqshme, pavarësisht frikës se konsumi përtej detit do të prekej nga kriza japoneze e 11 Marsit. Ndërkohë, surplusi në 11.4 miliardë dollarë është 4 herë më i madh se parashikimi. Paralelisht ky nivel mund të rindezë debatin me Shtetet e Bashkuara dhe ekonomitë e tjera të industrializuara për politikën monetare të Pekinit. Statistika zyrtare në Kinë tregoi se eksportet u rritën me 29.9% në totalin e 155.7 miliardë dollarë, ndërsa importet u rritën me 21.8%. Rritja e importeve në këtë normë është tregues i përpjekjeve të Kinës për të rritur konsumin e brendshëm dhe përpjekjeve të kompanive të brendshme për të reduktuar efektet e çmimeve të larta të lëndëve të para. Ndërkohë, analistët e cilësuan statistikën si tregues të qartë të forcës dhe qëndrueshmërisë së rritjes së ekonomisë globale.