Importet, 10 për qind hyjnë pa taksa
Sipas të dhënave nga doganat, më shumë se 10 për qind e totalit të importeve në vlerë monetare nuk paguajnë taksë doganore. Shkak janë marrëveshjet e tregtisë së lirë
Më shumë se 10 për qind e totalit të importeve në vlerë monetare, nuk paguajnë taksë doganore. Sipas të dhënave nga doganat, vetëm për në dy muajt e parë të vitit, janë futur pa taksë doganore mallra, vlera e të cilave po të taksohej do të arrinte në 1.7 miliardë lekë, ndërkohë që arkëtimet nga doganat për këto dy muaj arritën në rreth 16 miliardë lekë. Ndërsa tarifa mesatare doganore për mallrat e tjerë, që paguajnë tarifë doganore, arriti këtë vit në 1.7 për qind. Gjithnjë e më shumë hapësira e mallrave pa tarifa doganore do të rritet për shkak se, tashmë, Shqipëria është e detyruar të zbatojë detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në Organizatën Botërore të Tregtisë, marrëveshjen e tregtisë së lirë me Bashkimin Europian dhe marrëveshjen CEFTA, që është një marrëveshje unike e tregtisë së lirë me vendet e Rajonit. Mirëpo kriza financiare ndërkombëtare dhe pasojat që janë gjeneruar prej saj kanë zhvendosur tregtinë me jashtë të Shqipërisë, në vende që nuk ka marrëveshje të tregtisë së lirë. Sipas të dhënave të Qendrës Shqiptare për Konkurrueshmërinë dhe Tregtinë Ndërkombëtare (ACIT), volumi i tregtisë me tregjet e largëta (Rusi, Kinë, Meksikë, Argjentinë) pothuajse ka dyfishuar peshën në tregtinë e jashtme shqiptare në dekadën e fundit. Sipas ACIT, me këto tregje zhvilluam 18% të volumit të tregtisë gjatë vitit të kaluar. Në vitin 2000, me këto tregje shkëmbyem vetëm 10% të volumit tregtar. Vitin e kaluar, tregjet e largëta u bënë interesante për importet. Blerjet në dollarë vazhdojnë të jenë shumë më të lira se ato në tregun europian, për shkak të forcimit të euros ndaj dollarit. Tregjet e largëta janë zgjedhur më së shumti për importet e produkteve ushqimore, atyre farmaceutike, por edhe për makineri dhe pajisje elektronike. Zgjedhjet tregtare kanë dobësuar peshën e tregtisë me Europën, e cila gjithsesi mbetet më e rëndësishmja, si në tregtinë e pajisjeve elektronike, veshje-këpucë e produkte bujqësore. Në këtë kontekst, tregjet e Amerikës Latine po marrin gjithnjë e më shumë peshë në botë për furnizimin me prodhime shtazore, por edhe produkteve që natyra u ka rezervuar mundësinë e prodhimit, si kafeja, banania etj. Sipas të dhënave të institutit Shqiptar të Statistikave (INSTAT), importet nga Argjentina u rritën 52 herë dekadën e fundit, duke arritur në rreth 1.2 miliardë lekë vitin e kaluar. Në të njëjtën kohë, importet nga Brazili i kaluan 4.6 miliardë lekë, 27 herë më shumë se dhjetë vite më parë. Pothuajse në këtë masë u rritën edhe importet nga Ekuadori. Në dekadën e fundit, vlera totale e importeve u rrit 2.3 herë. Si rrjedhojë, numri i vendeve me të cilat zhvillojmë tregti është rritur në mënyrë të vazhdueshme. Sipas të dhënave të ACIT, numri i vendeve me të cilat tregtojmë është dyfishuar, krahasuar me tregtinë e zhvilluar në vitet ‘93-‘94. Në importe, vendet partnere u shtuan më së shumti në gjysmën e parë të dekadës së kaluar. Shtimi i partnerëve tregtarë ka pësuar rritje më të madhe për eksportet. Vitin e kaluar, sipas ACIT, eksportuam në 16 tregje të reja, duke shënuar zgjerimin më të madh të gjeografisë së eksporteve pas atij të vitit 2004. Gjithsesi, tregjet ku ne eksportojmë mbeten ende më të pakta se ato nga të cilat importojmë. Sipas ACIT, vitin e kaluar eksportuam në 100 vende dhe importuan nga 124 shtete.