E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza greke thellohet, ekonomia e Shqipërisë nën presion

Ekonomia e vendit tonë do të jetë nën presion të lartë edhe këtë vit nga zhvillimet në Greqi. Ekspertët rendisin efektet dhe pasojat e tyre

Ekonomia e Shqipërisë duket se, edhe këtë vit do të jetë nën presionin e zhvillimeve në Greqi. Madje efektet negative mendohet të shtrihen përtej xhepave të emigranteve dhe tregtisë, nëse qeveria helene do të vendosë të dalë nga euro, siç është përfolur këto ditë. Greqia është vendi i dytë me të cilin Shqipëria ka shkëmbimin më të madh tregtar. Ish ministri i Financave dhe ekspert i ekonomisë, Anastas Angjeli tha dje se, zhvillimet ekonomike në vendin tonë dhe atë helen janë të lidhura ngushtë. Sipas Angjelit, ky ndikim ndihet në frenimin e investimeve greke dhe në uljen e dërgesave monetare nga emigrantët. Ndërsa përsa i përket çmimeve të larta, Angjeli e argumenton këtë fakt me varësinë që ka vendi ynë ndaj importit. Krizat në vendet e BE-së, si Greqia, Irlanda dhe Portugalia, kanë shkaktuar presione inflacioniste ndaj monedhës evropiane, duke sjellë një rritje të mëtejshme të çmimeve dhe zhvlerësim të monedhës vendase. Ndërkohë që për Athinën, nuk ka qetësi. Agjencia e vlerësimit të riskut të kredisë Standard&Poor’s e uli besueshmërinë e saj, duke e çuar në nivelet e konsideruara “ndër më të fundit”. Një zhvlerësim tjetër i këtij lloji do ta radhisë atë si vendin më pak të besueshëm në Europë. Greqia, një nga tre vendet që kanë marrë hua emergjente nga Bashkimi Europian vitin e kaluar, për t’i bërë ballë niveleve të larta të borxhit, është goditur rëndë nga ngadalësimi ekonomik, kostoja e huave dhe rënia e të ardhurave nga taksat. Ulja në renditjen e vlerësimit të kredive e detyron Athinën të paguajë interes më të lartë për huatë e nevojshme, për të rifinancuar borxhet e vjetra dhe për të mbuluar shpenzime të reja. Standard&Poor`s nuk e përjashtuan mundësinë e një tjetër zhvlerësimi të Greqisë muajt e ardhshëm. Qeveria greke reagoi ashpër, duke e cilësuar krejtësisht të pajustifikuar klasifikimin e mbërritur, sipas saj, në një kohë kur vendi nuk ka pasur zhvillime të reja negative. Të tilla vendime, sipas zyrtarëve grekë, duhen mbështetur në të dhëna objektive, në vlerësime realiste të kushteve ekonomike dhe jo në thashetheme tregu e artikuj shtypi. Standard&Poor’s nuk ka kursyer as Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë. Agjencia e uli besueshmërinë për marrjen me kredi të këtyre vendeve nga “të qëndrueshme” në “negative”. Sado që diçka e tillë dukej e paimagjinueshme për ekonomitë më të mëdha botërore, vendimi nuk ka qenë dhe aq i papritur. Defiçiti buxhetor i SHBA-ve ka arritur një nivel rekord, duke u llogaritur aktualisht në më shumë se 10 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›