Kinemaja e vogël personale
Për tridhjetë vjet të ndaluar në Shqipëri, filmat e Francis Ford Coppola-s e patën takimin e parë absolut me publikun më 1 shtator 2011. Regjisori ishte i pranishëm, i ftuar në Festivalin e Durrësit, edicioni i katërt. Ditën përpara Coppola bëri një intervistë të hapur me publikun (në disa media gazetarët i vunë emrin e vet kësaj pune) e cila paraqet interes për të kuptuar dy filmat që ai kishte dashur të shfaqen për herë të parë në Shqipëri.
Rini pa rini dhe Tetro janë prodhuar nga kompania American Zoetrope që Coppola krijoi në fillim të shtatëdhjetës për prodhime të pavarura nga tutela hollivudiane (në mediat tona Coppola u prezantua ende si regjisor hollivudian) që do të thotë se filmat me pak buxhet e kanë të vështirë të shpërndahen në kinema e të shihen gjerësisht nga publiku.
Të dy u shfaqën njëri pas tjetrit dhe u ndje se Rini pa rini 2007 e vuri në siklet publikun, të cilit nuk iu duk punë mjeshtri, ndërsa ndaj tjetrit, Tetro, pëlqimi dhe magjepsja me historinë familjare dhe xhirimet në bardhezi, ishte thuajse unanim.
Gjatë Q^A, të rriturit nuk patën ndonjë pyetje konkrete për filmat e regjisorit dhe dialogu mes profesionistëve ishte i njëanshëm. Disa të rinj i kishin parë filmat në fjalë dhe pyetjet e tyre ishin në adresë të Rini pa rini dhe Tetro.
I pari është cilësuar film me çelësa, për përzierjen e zhanreve, strukturën e ndërlikuar dhe trajtimin e enigmave filozofike e metafizike me një brishtësi që sia del dot tu japë përgjigje.
Dominik Matei (Tim Roth) profesor rumun i gjuhëve të vjetra, një natë të vitit 1938 goditet nga rrufeja dhe në buzë të varrit, i djegur, koha e kthen trupin e tij pas. Ai fillon të bëhet i ri, gjysma e moshës që kishte. Rasti i tij nis të studiohet nga një mjek e më pas në Bukureshtin e pushtuar ngjall kuriozitetin e nazistëve. Profesor Matei duhet të çojë në fund veprën mbi gjuhët e vjetra dhe dashuria për Veronikën (Alexandra Maria Lara) e ndihmon për të kërkuar rrënjët e gjuhës së vjetër njerëzore në rrënjët e sanskritishtes, gjuhës babilonase, të egjiptit të lashtë e më thellë. Ky kërkim ka një çmim. Veronika është shpirti i inkarnuar i Laurës, të dashurës së Dominikut në fund të tetëqindës. Sa më thellë shkon Veronika në krizat neurotike të humbjes së identitetit, aq më shpejt përparon plakja dhe vdekja që e merr. Ky film është fillim i ri për mua, tha Coppola para premdierës në skenën e Teatrit Aleksandër Moisiu. Në këto dhjetë vite kam punuar shumë edhe me projekte të tjera. Kam bërë një përshtatje të Pinokut dhe kam shkruar një skenar origjinal. Ishin projekte për filma më të mëdhenj për studio të Hollivudit me qëllim që të arrinim një audiencë më të madhe. Pas shumë vitesh studioja amerikane më thotë që projekti është i tyre, kur në fakt Pinoku është një pronë publike. Ata për shumë vite arritën të më tregonin që ishin më të fuqishëm dhe mund të ma merrnin, por nuk ia dolën. Kështu që vendosa të vazhdoj dhe të punoj për projektin Megalopolis.
Coppola tregoi se nuk arriti të ngrejë financat për këtë projekt të madh utopik i cili erdhi kur ndodhën ngjarjet e 11 shtatorit 2001. Në këtë kohë ka lexuar romanin me të njëjtin titull të Mircea Eliade-s, filozof, studiues i feve dhe i gjuhëve të vjetra, po edhe shkrimtar (autor me një vepër të përkthyer në shqip vitet e fundit, i adhuruar nga një rreth i ngushtë intelektualësh shqiptarë në vitet e diktaturës). Guxova dhe vendosa të shkoj në Rumani pa njeri dhe të punoj me profesionistë të talentuar atje për të bërë këtë film me financat e mia. Zgjodha Tim Roth një aktor joamerikan e që financiarisht ishte i mundshëm. Bëra më pas dy filma të tjerë si të jem regjisor i ri që sapo ka filluar karrierën.
Coppola e do shkrimin. E quan oksigjeni i kinemasë, ndërsa hidrogjeni është loja e aktorëve. Të dy elementet bashkë bëjnë sipas tij, ujin e jetës në kinema. Biseda e hapur me publikun e pati shkrimin temë qendrore. Tregoi se në gjithë karrierën e tij ka dashur të ishte ai që shkruan historitë e tij origjinale e jo ai që përshtat historitë e të tjerëve, e më pas ti prodhojë e ti bëjë film. Por Hollivudi nuk është i interesuar për këto lloj filmash.
Janë të këtij lloji Njerëzit e shiut (1969) dhe Biseda (1974). Është domethënëse që ata janë realizuar para dhe pas Kumbarit 1972 i cili u bë shumë herë më i suksesshëm nga çe mendonte Coppola. Kumbari ia bëri të qartë idenë se tani që ai ishte regjisor hollividuan, që ishte i rëndësishëm, i jepnin libra për ti bërë film dhe i ofronin gjëra, barra ishte më e rëndë. Sa më shumë jam futur në këtë proces aq më e vogël ka qenë mundësia që unë të bëja filmat e mi personalë, por kjo ka qenë një ëndërr që se kam lënë asnjëherë.
Qoftë edhe Apokalipsi tani, i pari film për luftën e Vietnamit që vinte nga Amerika, i realizuar me një superbuxhet për të qenë film i suksesshëm, përmban në thelb filmin personal të Coppola-s. Ai tregon: Unë guxova, dhashë gjithçka kisha, bile edhe llogarinë që kishte në një supermarket gruaja ime, vajta në bankë dhe vendosa që ta financoj vetë këtë film. Nuk e dija që Apokalipsi tani po bëhej një vepër madhështore arti 4 herë më shumë e kushtueshme nga çishte parashikuar. Isha 40 vjeç dhe kur ke edhe familje, është e tmerrshme. Kisha blerë vreshta për të prodhuar verë dhe ato ia lashë bankës për të marrë paratë. Shqetësimet ishin të mëdha, e ndërkohë edhe më surrealist bëhej filmi. Kemi xhiruar me mijëra metër film dhe kur u kthyem në Amerikë thuhej se ky filmi nuk do dalë kurrë, se Coppola është i çmendur, është maniak. Filmi doli dhe pak nga pak në një periudhë kohe njerëzit filluan të ndërrojnë mendjen për Apokalipsin tani. Ata që njëherë e një kohë më quanin të çmendur sot e konsiderojnë një kult klasik. Në përgjithësi filmat e mi nuk janë pritur mirë nga kritika e cila njëzet vjet më vonë ka thënë që janë filma të mirë.
Në vitet tetëdhjetë-nëntëdhjetë realizon The Outsiders, Rumble Fish, The Cotton Club, Godfather III. Kumbari III më është ofruar atëherë kur unë kisha nevoja për para. Por tani nuk mund të më blejnë më, thotë Coppola. Të jesh artist, do të thotë që gjithmonë të duhet një patron dhe ky patron mund të jetë gjithnjë vetëm vetja jote. Kjo është arsyeja që unë smerrem më me producentët ekzekutivë, i gjeneroj unë vetë lekët. Kështu vreshtat më janë bërë tani një biznes që gjenerojnë para.
Në vitet dymijë F. F. Coppola provon që tiu kthehet atyre skenave, atyre ekipeve të vogla të xhirimit për të krijuar të njëjtën atmosferë që kishte pasur me Njerëzit e shiut.
Nga Rumania në Argjentinë për Tetro 2009. Është një film autor i Coppola-s. Tetro ka histori origjinale, mëse origjinale, është xhiruar me pak buxhet në Argjentinë, me pak aktorë nga Evropa, Vincent Gallo i shkëlqyer, jo më pak aktori austriak Klaus Maria Brandauer në rolin e dirigjentit Carlo Tetroccini, që mendohet si figura e të atit të Coppola-s, Carmine Coppola, flautist. Përkrah tyre Alden Ehrenreich, Maribel Verdu, Carmen Maura.
Kishte dyzet vjet pa bërë film një histori origjinale shkruar nga ai vetë. Për këtë, para premierës në amfiteatrin romak të Durrësit, Coppola tha: Ky film kishte zënë vend në kujtesën time dhe në njëfarë mënyre është historia ime personale, për veten time dhe tim vëlla që ishte mësuesi im i parë dhe më i miri. Kjo është histori familjare e treguar nga zemra e dikujt që atëkohë, nuk e ka kuptuar se çfarë ndodhte dhe duke bërë këtë film kam pasur shpresën se diçka do të kuptoj.
Rëndësia që Coppola i vë shkrimit, historisë origjinale, vjen edhe prej formimit të tij letrar, të cilin ia dedikon pikërisht të vëllait që e ka njohur me Andre Gide-in, Jean-Pa
