Kinemaja shqiptare nën shkëlqimin e Ariut të Artë
Për herë të parë Shqipëria e kinematografia e saj janë të pranishme në Berlinale, Festivali Ndërkombëtar i Filmit që zhvillohet në Berlin. Edicioni i sivjetshëm, i 61-të, u çel mbrëmë nga ministri i Kulturës Gjermane, Bernd Neumann; kryebashkiaku i Berlinit Klaus Woëereit; presidentja e jurisë ndërkombëtare, Isabella Rossellini; dhe drejtori i Berlinales, Dieter Kosslick; të cilët deklaruan të hapur edicionin e 61-të të Festivalit të Berlinit mbrëmë në orën 19.30 në një mbrëmje Gala drejtuar nga Anke Engelke. Mes të ftuarve ishin padyshim dhe kasti realizuesve të filmit që hapi Binealen “True Grit” (film jashtë konkurrimit) të vëllezërve Joel dhe Ethan Coen, aktorët Jeff Bridges, Hailee Steinfeld dhe Josh Brolin. Mes të ftuarve ishin dhe drejtori i Festivalit të Kanës, Thierry Frémaux, dhe i Venecias, Marco Müller. Kinemaja gjermane e të ftuarve plotësohej në këtë mbrëmje nga personazhe si Fatih Akin, Senta Berger, Martina Gedeck, Wim Wenders dhe Margarethe Von Trotta, por dhe të ftuar të tjerë të kinemasë botërore, si José Padilha, Costa Gavras dhe Lee Tamahori. Në kompeticionin e këtij viti do të shfaqen filma që vijnë nga 58 vende të ndryshme (përjashto Italinë, e cila nuk merr pjesë këtë vit): Irani, Turqia, Spanja, Franca, ShBA, Gjermania e mes tyre për herë të parë në tapetin e kuq do të “ecë” dhe kinemaja shqiptare. Qendra Kombëtare e Kinematografisë do të ketë një stendë promocionale me prodhimet më të fundit të kinematografisë shqiptare në Holet Marriot, në kuadrin e Tregut Ndërkombëtar të Filmit, treg që zakonisht organizohet paralelisht me festivalet e mëdhenj, ku producentët, profesionistët e sektorit dhe kineastët kanë rast të njihen e të hedhin bazat e ndonjë bashkëpunimi. Në seksionin më të rëndësishëm, ai i filmave në konkurrim, më 18 shkurt e ka radhën premiera e filmit “The Forgiveness Of Blood” (Falja e Gjakut) i regjisorit Joshua Marston dhe i prodhuar në vitin 2010, falë një bashkëpunimi mes disa shtëpive filmi nga ShBA, Shqipëria, Danimarka dhe Italia. Ndër interpretuesit shquhen Tristan Halilaj, Sindi Laçej, Refet Abazi e Ilire Vinca Çelaj. Vepra është shkruar dhe prodhuar me bashkëpunimin e një partneri të ri shqiptar, Andamion Murataj, i cili ka dhe shtëpinë e tij filmike “Lissus Media”. Me sa dihet, filmi është një prej pretendentëve për çmim e rrëfen një histori gjakmarrjeje, me aktorë shqiptarë e në shqip. Në seksionin Forumi Ndërkombëtar të festivalit merr pjesë vepra “Amnistia” e Bujar Alimanit (Shqipëri, Greqi, Francë), filmi i parë shqiptar në historinë e festivalit. Filmi “Amnistia” do të shfaqet për publikun e Festivalit të Berlinit më 12 shkurt në orën 19.05 në seksionin Forumi Ndërkombëtar. Regjisori Alimani ka realizuar filmin e tij të parë me metrazh të gjatë brenda një periudhë shumë të shkurtër (vetëm tre muaj), me buxhet të ulët dhe me një staf të rinjsh. Me përjashtim të dy aktorëve, më i vjetri i ekipit është regjisori 41-vjeçar Alimani, i cili jeton në Greqi prej vitit 1997. Autori thotë se filmi rrëfen “historinë e dy njerëzve që kërkojnë të moralshmen në atë që nga shoqëria quhet e pamoralshme. Janë karaktere që përpiqen të krijojnë planetin e tyre, me dashuri, erotikë, konflikte, dhimbje". Protagonistët janë një burrë e një grua, që krijojnë një lidhje jashtë martese. Për ta vendi i njohjes është … burgu, atje ku vuajnë dënimin partnerët e tyre zyrtarë e që presin të marrin sa më shpejt amnistinë. Edhe seksioni Perspektiva e Kinemasë Gjermane ka një protagonist shqiptar. Filmi “Der Albaner” (Shqiptari), i regjisorit Johannes Naber, ka interpretues kryesor aktorin e njohur Nik Xhelilaj, i cili konsiderohet si një nga talentet europiane të momentit. Shfaqja e filmit “Shqiptari”, i zgjedhur në seksionin Perspektivë e filmit Gjerman, do të bëhet më 13 shkurt në orën 20.15. Ndërkohë që më 14 shkurt do të zhvillohet ceremonia e ndarjes së çmimeve “Shooting Stra”, ku në tapetin e kuq të Berlinit do të ecë dhe aktori shqiptar Nik Xhelilaj, i cili do të nderohet me çmimin si një ndër 10 aktorët më të mirë të rinj në Europë. Në seksionin Talent Campus janë ftuar dy artistë të rinj shqiptarë: Gentian Koçi dhe Kolo.