Muzaka: Me Laçin nuk gabojmë si kundër Kastriotit
Megjithëse lufta në kampionat tani do të jetë më e fortë dhe emocionuese njëherësh, në qytetin juglindor nuk i kanë humbur shpresat për të marrë kreun e renditjes dhe për t’iu afruar sa më shumë titullit. Ndërkaq, 7 pikë diferencë edhe për Muzakën nuk janë të pakalueshme dhe, korçarët, sipas tij, dinë të surprizojnë në çdo moment. Sigurisht futbollisti i Skënderbeut, i ardhur në Korçë vetëm pak javë më parë gjatë merkatos së janarit, ndihet edhe “korçar” i motivuar, për të përmbushur një detyrim që ka marrë përsipër të kryejë kur ka firmosur për këtë ekip. Ajo që ka rëndësi për kryeqytetasin është padyshim ndeshja me Laçin. Po të kihet parasysh performanca e fundit e bardhekuqve në Krujë, duhet që gjërat t’i shohësh me skepticizëm, por Muzaka të bind se kundër Kastriotit, rezultati ka qenë aksidental. Ish-lojtari i Partizanit i bën analizën asaj që ka ndodhur në Krujë, një takim që për korçarët ka lënë një shije tejet të hidhur. “Skënderbeu vjen në këtë ndeshje pas dy barazimeve që kemi marrë në transfertën e Tiranës dhe Krujës. Do thosha që dy barazime nuk janë, as pak, as shumë. Por barazimi me Kastriotin ishte padyshim një rezultat negativ për ne. Pavarësisht kësaj, nuk duhet harrojmë faktin se Kruja është një fushë e vështirë. Ndërkaq mund të kujtoj një element të lojës, në të cilën u regjistruan plot 58 faulle. Në këtë ndeshje ne ishim konfuzë dhe këtë duhet ta pranojmë. Por nga ana tjetër dua të sqaroj diçka në raport me pozicion tim në fushë. Unë asnjëherë nuk kam luajtur sulmues dhe roli im është mesfushor i djathtë që ndihmoj sulmin. Unë nuk duhet të luaj nën presionin e golit, se nuk i shërbej as ekipit dhe sa vetes. Tani ne duhet të mendojmë për kundërshtarin e radhës, Laçin, një ndeshje kjo aspak e lehtë”, ka pohuar në një prononcim për gazetën, Muzaka. Lojtari e sheh kampionatin në ditët e tij më interesante, edhe për vetë rivalitetin që do ketë gara. “Gara e vërtetë për titull nis tani, që do të thotë se nuk na lejohen më gabime. Ne nuk na takon aspak të jemi në gjuetinë e Flamurtarit apo të mendojmë për këtë ekip dhe gjendjen e tij. Ne na duhet të mendojmë vetëm për veten tonë dhe rezultatet që do të arrijmë. Tashmë na takon të kalojmë me sukses ndeshjen e Laçit dhe më pas të nisim të mendojmë për Flamurtarin“, ka vazhduar më tej Gjergj Muzaka. Sipas tij, ka rëndësi që në këtë sfidë që luhet ditën e shtunë, korçarët të kryesojnë takimin, megjithëse nuk duhet harruar që është një përballje e vështirë me një skuadër si ajo e Laçit. Korçarët kanë besim se do dinë të rishfaqen të rrezikshëm në këtë takim, që për më tepër do kenë dhe disa mungesa me shumë vlerë në ekip. Por autokritika pas barazimit me Krujën do nisë nga kjo ndeshje, teksa pas kësaj korçarët kërkojnë sa më shumë fitore për të prekur vendin e parë në tabelën e klasifikimit.