E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kinemaja shqiptare, katër ditë në Romë

Në vazhdën e festimeve të 100-vjetorit të pavarësisë, nga data 2-5 qershor, shoqata Syri Blu- Anna Cenerini Bova organizon në Romë Shqipëria përmes kinemasë. Gjatë këtyre ditëve do të shfaqen 8 filma, prodhime të viteve 1995-2011, që vërtiten rreth denoncimit të diktaturës së Enver Hoxhës, analiza të temave të mëdha sociale, si emigracioni, tensionet intime që lindin në kushtet e një modernizimi kontradiktor, që në një mënyrë apo në një tjetër ndihmojnë për të krijuar një imazh më të qartë mbi Shqipërinë. Filmat e përzgjedhur janë Parullat, Kolonel Bunker, Muaj mjalti, Tirana, viti zero, Trishtimi i zonjës Shnajder, Natë pa hënë, Vdekja e kalit dhe Amnistia. Mësohet se projektimi i filmave do të shoqërohet edhe me nga një takim me regjisorët përkatës. Aktiviteti do të nisë nesër në orën 18:00, ku do të marrin pjesë jo vetëm organizatorët, por edhe emra të njohur të kinemasë si Giuliano Montaldo e Marco Belloçhio. Filmi që do të hapë siparin do të jetë Parullat, me regji të Gjergj Xhuvanit, i ndjekur nga filmi Kolonel Bunker, i cili do të prezantohet nga vetë regjisori Kujtim Çashku. Të nesërmen, të ftuar do të jenë Pirro dhe Eno Milkani, që do të prezantojnë filmin e tyre Trishtimi i zonjës Shnajder, si dhe aktori Michele Placido, i cili luan në këtë film. Ditët në vijim do të ketë të tjerë të ftuar dhe diskutime rreth filmave. Këto ditë të kinemasë shqiptare mundësohen me mbështetjen e shoqatës Syri Blu në Tiranë, Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Ambasadës Shqiptare në Romë etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›