Kinezçja, gjuha më e re në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja
Studentët që arsimohen në Universitetin e Tiranës, tashmë do të kenë mundësi që të njihen dhe me gjuhën kineze. Vitin e ardhshëm akademik, 2009-2010, ata studentë në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, që studiojnë një gjuhë si degë të tyren, do të kenë mundësi që të studiojnë dhe gjuhën kineze, kjo e dyta me dëshirë. Kjo do të arrihet në sajë të marrëveshjes që u nënshkrua mes rektorit të Universitetit të Tiranës, Dhori Kule dhe ambasadorit kinez në vendin tonë.
Kule bëri të ditur se në vitet ardhshme, kjo gjuhë mund të shtrihet dhe në fakultete të tjera të UT. "E shikoj si një instrument shumë të nevojshëm dhe të domosdoshëm që do ti japë akses në tregun e punës kur të mbarojnë fakultetet. Pra, do të vijë një profesor kinez, në marrëveshjen që kemi nënshkruar është gatishmëria e ambasadës kineze që një profesor i gjuhës kineze do të vijë në muajin shtator në Shqipëri. Gjithashtu, ne do ta bëjmë ofertën dhe për studentët e fakulteteve të tjera", u shpreh rektori Kule. Ndërsa ambasadori kinez nënvizoi se bashkëpunimi do të vazhdojë edhe në të ardhmen në fushën e arsimit, një bashkëpumin që sipas tij i ka fillesat që në vitet '60, me hapjen e një katedre në gjuhen shqipe, ku edhe populli kinez mund të njihet me gjuhën tuaj.