Ethet e provimeve, maturantët japin Gjuhë-Letërsinë
Rreth 45 mijë maturantë të shkollave të mesme të vendit dhanë dje provimin e lëndës gjuhë-letërsi. Zv/ministri i Arsimit dhe Shkencës, Halit Shamata ka bërë të ditur ditën e djeshme pas provimit të parë të Maturës Shtetërore, se procesi i testimit të nxënësve në Gjuhë- Letërsi vijoi normalisht në të gjithë vendin. Në një konferencë për mediat, Shamata u shpreh se nga raportimet e vazhdueshme për shtabin e ngritur në MASH, gjatë shpërndarjes dhe kryerjes së provimit, në 37 Drejtori Arsimore Rajonale dhe Zyra Arsimore gjithçka eci normalisht.
Sipas Shamatës, në provimin e djeshëm, ku morën pjesë gjithsej 38.499 maturantë, të cilët u testuan për 7 lloje të ndryshme testesh të gjuhë-letërsisë, u përfshinë 2.500 administratorë të provimit (AP) të cilët mbikëqyrën maturantët në 282 mjediset e provimit të përzgjedhura nga Drejtoritë Arsimore Rajonale. Provimi i parë i Maturës filloi njëkohësisht në të gjithë vendin në orën 10:00 dhe zgjati 2 orë e gjysmë. Ashtu si edhe vitet e kaluara, maturantët u testuan krahas njohurive për letërsinë, edhe për gjuhën shqipe. Sipas një grafiku të caktuar, zonat më të thella tërhoqën të parat testet e provimit. Shpërndarja filloi me Tropojën, për të përfunduar me Tiranën, në orën 06:00 të mëngjesit të djeshëm. Të gjitha makinat që kryen transportin drejt Drejtorive Arsimore Rajonale u shoqëruan nga Policia e Shtetit. Ndërkaq, Ministria e Arsimit dhe Shkencës bëri të ditur se testet e gjuhë-letërsisë, të plotësuara nga rreth 38 mijë maturantë, të grumbulluara në shkollën "Sabaudin Gabrani" në Tiranë, do të shpërndahen sot për korrigjim në katër qendra vlerësimi në Tiranë, Elbasan, Shkodër dhe Fier, bëri të ditur sot. Sipas MASH, katër qendrat e vlerësimit janë instaluar në godinën e shkollës "Sabaudin Gabrani" në Tiranë, në godinën e shkollës "Qemal Stafa" në Elbasan, në godinën e shkollës "Jordan Misja" në Shkodër dhe në godinën e Drejtorisë Arsimore Fier. Drejtoria e Arsimit Parauniversitar në MASH dhe Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) kanë siguruar mjedise të përshtatshme dhe të sigurta për vlerësuesit e testeve. Mënyra se si do të përzgjidhen testet për t'u vlerësuar do të jetë me short, ndërkohë që asnjë qendër rajonale nuk do të korrigjojë testet e rajonit të saj. Ndërkohë, Drejtoritë Arsimore Rajonale (DAR) Tiranë, Elbasan, Shkodër, Fier, kanë marrë masa për lirimin e mjediseve të korrigjimit në godinat e sipërpërmendura dhe për ruajtjen e tyre me shërbim 24-orësh me polici ose roje civile gjatë periudhës së korrigjimit të provimeve. Rezultatet e provimit të parë për maturantët do të publikohen pas dy javësh, ndërkohë që javën e ardhshme ata do të vazhdojnë me provimet e tjera.