E Diel, 1 Nëntor 2026

Sëmundjet kronike ja kalojnë krimit, vrasëset kryesore të shqiptarëve

Specialistët e shëndetit: 1 në 2 persona vdes nga sëmundje kardio-vaskulare
Sëmundjet kronike janë shndërruar në vrasëset kryesore të shqiptarëve. Sipas specialistëve të Shëndetit Publik, sëmundjet kardio-vaskulare, kanceret e të tjera si këto kanë marre mjaft jetë njerëzish në vendin tonë, te cilat lidhen me faktorët e riskut që sa vijnë e bëhen edhe më të dukshme në shoqërinë tonë. Sëmundjet kronike në Shqipëri janë vrasësi më i madh. Një në dy shqiptarë vdes nga sëmundje kardio-vaskulare, bëri të ditur drejtori i Shëndetit Publik, Alban Ylli. Si faktorë risku të rëndësishëm të identifikuar përmenden, duhani, kequshqyerja, alkooli, stresi, dhuna etj. Drejtori Alban Ylli, thekson se ndonëse shifrat e sëmundjeve kronike janë të ngjashme me ato të vendeve të tjera ka ardhur koha që sistemi ynë shëndetësor të përshtatet në mënyrë që të reagojë më mirë ndaj sëmundjeve dhe shëndetit publik, në mënyrë që të kapë sa më herët dhe të parandalojë sa më shumë faktorë risku. Sipas Yllit, rritja e barrës së sëmundjeve kronike nuk do të pritet thjesht me reagime pasive medicinale,  por me programe edukimi për të frenuar sjelljet e rrezikshme tek të rinjtë si duhanin, alkoolin, drogat, kequshqyerjen e të tjera. Për këtë specialistë të Shëndetit Publik, të mbledhur në Konferencën Mbarëkombëtare të Shëndetit Publik kanë kërkuar bashkëpunim me të gjitha strukturat përkatëse. "Nëse Shqipëria ka faktorë risku, sëmundshmëri dhe vdekshmëri të ngjashme me vende të tjera të Europës Lindore, problemet ende janë të pazgjidhura për sa kohë që ne nuk punojmë së bashku", apeloi drejtori i Shëndetit Publik, Alban Ylli. Duke u ndalur tek puna e deritanishme dhe arritjet e shëndetit publik shqiptar, Ylli tha se janë bërë shumë ligje, janë marrë shumë vendime që hedhin bazat për të përballuar në të ardhmen e afërt". Sipas tij, pavarësisht nga sfidat, ka shumë vend për të inkurajuar punonjësit e shëndetit publik, sepse një sërë aktivitetesh të kryera janë kurorëzuar me sukses, si bruceloza, çështje të sëmundjeve tek fëmijët, vdekshmëria foshnjore, ajo amtare, ndërsa janë duke u ndërtuar disa programe për sëmundjet kardiovaskulare, etj. Në këtë konferencë mori pjesë edhe ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, e cila ka konfirmuar se vendi ynë po përjeton probleme të lidhura me tranzicionin demografik dhe përparimin e shoqërisë së konsumit. Sipas saj, të parat kanë të bëjnë me kushtet e  shëndetshme apo jo të vendbanimeve, sigurinë e ushqimit, apo të ujit, si dhe me shkaqet infektive, toksike dhe traumatike të vdekjeve, të cilat mbizotërojnë në një popullsi me moshë të re dhe që shpesh janë të lidhura me standarde të ulëta jetese. Nga ana tjetër, ministrja Godo vuri në dukje se nëse këto probleme janë duke u pakësuar, vërehet shtim i problemeve që lidhen me jetëgjatësinë e rritur, me rëndësinë në rritje të sëmundjeve kronike dhe me dëmtimin e mjedisit si pasojë e zhvillimit intensive. Në konferencën 2-ditore, ku ishin të pranishëm edhe 35 specialistë të shëndetit publik të Kosovës, u demonstrohen arritjet e shëndetit publik në Shqipëri si dhe sfidat që e kërcënojnë atë. Duke përshëndetur konferencën, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, Naser Ramadani tha se, duhet të synojmë hartimin e projekteve të përbashkëta kombëtare për të gjithë shqiptarët e Ballkanit. Ai vuri në dukje bashkëpunim dypalësh me ISHP-në, duke synuar thellimin e mëtejshëm. Organizatorët e konferencës falenderuan me këtë rast edhe partnerët ndërkombëtarë, si OBSH, UNFPA, UNICEF, USAID etj., të cilët kanë dhënë ndihmesë të madhe kontribuar në shëndetësi.

***************************************************
Mjekët dhe mësuesit, të rrezikuar nga stresi
10 % e mjekëve dhe mësuesve gjatë punës së tyre të përditshme përballen me një stres të lartë që ndikon në shëndetin e tyre mendor dhe fizik. Studimi më i fundit i Institutit të Shëndetit Publik tregon se stresi në punë është faktori kryesor që sjell pagjumësi, lodhje dhe jo rrallë shkakton kancerin dhe vetëvrasjet. Studimi i Institutit është shtrirë në të gjithë vendin dhe janë pyetur 500 individë që i përkisnin fushës së arsimit dhe shëndetësisë. Të dhënat e studimit treguan se niveli i stresit në punë ishte më i lartë tek mjekët sesa tek mësuesit.

Last Updated on Wednesday, 03 June 2009 13:07

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›